Intervistë me analistin Xhemal Peroviq

February 23, 2009   | Intervista / Intervju

xhemal-peroviq-1Përfaqësimi i shqiptarëve në Parlament ka peshë të madhe
Koha javore: Z. Peroviq, cilat janë rrethanat në të cilat po zhvillohen zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi?
Xh. Peroviq: Rrethanat e sotme janë përcaktuar, gjatë më shumë se një decenie sundimi të pushtetit i cili me trashëgimin e strukturave komuniste, monopole, kontrabandë, shpërdorim të procesit të privatizimit dhe krim të organizuar, nuk lejoi formimin e institucioneve shtetërore të pavarura, shtetit ligjor dhe pluralizmit të mirëfilltë.
Mali i Zi ende nuk ka përjetuar ndërrim të pushtetit i cili do të buronte nga zgjedhjet e lira. Si rrjedhojë, sot kemi pushtetin joformal të milionerëve, pronarëve të rinj të vlerave nacionale, që kontrollojnë çdo veprimtari, prej biznesit deri te partitë politike. Shumë prej tyre (partive politike), kinse opozitare, sot janë dekor i “demokracisë” dhe shërbejnë për të kontrolluar trupin votues dhe pakënaqësinë e qytetarëve. Në shërbim të këtij pushteti sot janë gjykatat, prokuroritë, mediat… Paradokset që ndodhin nga dita në ditë, si p.sh. në komunën e Ulqinit, privatizimi i Kripores, masat e dhunshme në ndërmarrjet kryesore, instalimi i kuadrove nga Podgorica, shitja e hotelit “Galeb” për rinovim në afatin pesë vjeçar dhe pastaj leja për shembjen e tij, etj., kërkojnë paketim ligjor dhe arsyetim. Dhe paradoksi më i madh është se të gjithë i dinë këto dhe pas zgjedhjeve “të lira” pushteti del më i fortë! Ky është, pra, ambienti dhe këto janë rrethanat .

Koha javore: Tashmë është pak a shumë e qartë se pozita, gjegjësisht koalicioni aktual qeverisës do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare në koalicion me disa parti të pakicave. Si e vlerësoni këtë?
Xh. Peroviq: Fjala është për aleatët e vjetër. Është qesharake kur këto “parti të pakicave” paraqiten si opozitare dhe për nevojat e këtij pushteti paraqesin pozitën e pakicave si të kënaqshme. Tragjik është fakti se dikur pushteti komunist kërkonte, por vështirë gjente “poštene albance” (“shqiptarë të ndershëm”), kurse sot ky pushtet ka në shërbim parti të tëra.

Koha javore:
Ndërkaq opozita përkundër deklari­meve nuk ka arritur të bashkohet, me përjashtim të krijimit të disa grupimeve të vogla koalicionesh. Cilat janë, sipas Jush, arsyet e mosarritjes së koalicionit të përbashkët opozitar?
Xh. Peroviq: Duke marr pjesë në disa negociata për bashkimin e opozitës, para ose pas zgjedhjeve, mund të them vetëm se në momentin e fundit gjithmonë “aktivizohet” vetëm njëra nga partitë “opozitare” për devijim. Dhe ky veprim gjithmonë dhe lehtë justifikohet para opinionit me interesa madhore, me “parime”, me egon e liderëve, etj. Në fakt, terreni për këto situata është përgatitur me kohë.
Vini re (në rastet e rralla) kur liderët e opozitës akuzojnë njëri tjetrin për bashkëpunim me pushtetin në bizneset private (rasti i fundit brenda Listës Serbe). Dhe sa shpejt ndërpriten këto polemika. Pse nuk i investigojnë këto akuza mediat e “pavarura” malazeze?

Koha javore:
Për një pjesë të mirë të opinionit zgjedhjet janë të kryera para mbajtjes së tyre duke qenë se fituesi, sipas tyre, dihet paraprakisht. Cili është shansi i opozitës për të fituar zgjedhjet?
Xh. Peroviq: Në rrethanat e paraqitura nuk ka kurrfarë shkopi magjik për fitoren e opozitës. Por nuk jam i bindur se ky është opinioni i një pjese të mirë të qytetarëve. Kjo do të rezultonte me abstenim të dukshëm. Përkundrazi, mendoj se regjimi edhe kësaj radhe do të “tërheqë” në vendvotime rreth 75% të votuesve të “pakënaqur”.

Koha javore: Akoma nuk dihet se si do të marrin pjesë shqiptarët në këto zgjedhje. A mendoni se partitë shqiptare, të paktën shumëica e tyre apo disa prej tyre do të arrijnë të krijojnë koalicion?
Xh. Peroviq: Koalicioni i shumicës së partive shqiptare do të ishte përgjigje normale në këto rrethana. Ndoshta është momenti i fundit për artikulimin e interesave jetike dhe nevojës për vetëqeverisje në Tuz dhe Ulqin. Kolonizimi dhe etnocentrizmi i Podgoricës kërkojnë minimum uniteti në mbrojtjen e interesave jetike të shqiptarëve në Mal të Zi. Nëse jo sot, dikur do të turpërohen ata që marrin pjesë në anën tjetër.

Koha javore: Si do të duket skena politike në Mal të Zi pas 29 marsit? Cili do të jetë përfaqësimi i partive në Parlamentin e Malit të Zi?
Xh. Peroviq: E pandryshuar sa i përket regjimit, forcës dhe monopoleve të tij të paprekshme. Por pres ndonjë sinjal shpresëdhënës, ndërgjegjësimin e opinionit për rrezikun nga ky pushtet i korruptuar dhe individët që kanë parasysh vetëm interesat private. Në këto rrethana shqiptarët (në opozitë) janë të pafuqishëm politikisht, por përfaqësimi dhe zëri i tyre në parlament ka peshë të madhe.
I.Kallaba
Koha Javore