Këshilli nacional i shqiptarëve hapi zyrën në Ulqin

February 23, 2009   | Lajmet / Vijesti

tahir-tahiriNë mbrojtje të të drejtave dhe identitetit nacional shqiptar
“KNSH do të angazhohet për zhvillimin e bashkëpunimit brenda komunitetit nacional shqiptar, për bashkëpunim me popujt dhe bashkësitë e tjera nacionale në Malin e Zi dhe institucionet, për bashkëpunimin dhe avancimin e marrëdhënieve me shqiptarët në diasporë, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të tyre dhe ruajtjes së identitetit të tyre nacional, kulturor, gjuhësor dhe fetar”, tha kryetari i KNSH-së, Tahir Tahiri.

Ulqin – Në përvjetorin e parë të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Ulqin u hap zyra e Këshilllit Nacional të Shqiptarëve, veprimtaria e të cilit është mbrojtja, afirmimi dhe avancimi i të drejtave nacionale, kulturore, gjuhësore, fetare, informative, ekonomike dhe i të gjitha të drejtave të tjera të shqiptarëve në Malin e Zi.
Kryetari i KNSH-së Tahir Tahiri, në fjajlën e hapjes theksoi se fillimi i punës së zyrës paraqet një hap shumë të rëndësishëm për krijimin e kushteve në mbarëvajtjen e punëve dhe aktiviteteve të cilat janë në kompetencën e këtij këshilli.
“KNSH do të angazhohet për zhvillimin e bashkëpunimit brenda komunitetit nacional shqiptar, për bashkëpunimin me popujt dhe bashkësitë e tjera nacionale në Malin e Zi dhe institucionet, për bashkëpunimin dhe avancimin e marëdhënieve me shqiptarët në diasporë, me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të tyre dhe ruajtjes së identitetit të tyre nacional, kulturor, gjuhësor dhe fetar”, tha Tahiri.
Ai premtoi se KNSH do të bashkëpunojë me shtetin amë Shqipërinë, shqiptarët jashtë Malit të Zi në regjion dhe diasporë.
Një prej qëllimeve të rëndësishme të Këshillit, shtoi Tahiri, do të jetë marrja e masave me qëllim të ndalimit të ndryshimit të strukturës nacionale të popullsisë në zonat ku jeton popullsia autoktone shqiptare.
Tahiri u shpreh i bindur se me fillimin e punës së zyrës së Këshillit dhe me angazhimin e të gjithë anëtarëve të tij dhe anëtarëve të trupave të punës, shumë prej këtyre qëllimeve do të mund të realizohen me sukses përmes hartimit të projekteve adekuate në fusha të caktuara me interes për shqiptarët e këtushëm.
KNSH është konstituuar në prill të vitit të kaluar dhe përkundër vështirësive materiale e financiare ka arritur të zgjedhë organet drejtuese, të aprovojë aktet më të rëndësishme normative, të formojë trupat dhe komisionet e nevojshme për funksionimin e tij.
Kryetari i KNSH-së, Tahir Tahiri, me rastin e njëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, u ka dërguar telegrame urimi Presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu, Kryeministrit Hashim Thaçi, kryeparlamentarit, Jakup Krasniqi dhe kryetarit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Gj. Gjonaj
Koha Javore

YouTube Preview Image

1