U promovua libri i Ferhat Dinoshës “Një nënë kanë edhe bletët”

February 28, 2009   | Kulturë / Kultura

libri-i-ferhat-dinoshesLibër me frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi
Presidenti i Akademisë Diplomatike Shqiptare, dr. Lisen Bashkurti, tha se “Ferhat Dinosha është një jetë përkushtimore për lirinë, për demokracinë, për prosperitetin e shqiptarëve në Malin e Zi, për faktorizimin e tyre në integrimin në jetën shoqërore, politike dhe institucionale të këtij vendi dhe pjesë e historisë së rëndësishme të popullit shqiptar të Malit të Zi”.
Të premtën në Bibliotekën e Qytetit në Ulqin u promovua libri i Ferhat Dinoshës “Një nënë kanë edhe bletët”. Ky libër publicistik i cili flet për shqiptarët dhe pluralizmin në Mal të Zi, është botuar nga Akademia Diplomatike Shqiptare.
Kryetari i Akademisë Diplomatike Shqiptare, ambasadori dr. Lisen Bashkurti, tha se kjo akademi ka pasur privilegjin që të botojë në kolanën e botimeve të saj “një prej librave më unikë në letërsinë politike shqiptare të kohëve moderne”.
Duke lexuar parathënien e librit, që siç tha ai, “ia ka dedikuar mikut, shokut, kolegut dhe bashkëpunëtorit tim të shquar, z. Dinosha”, Bashkurti tha se “Ferhat Dinosha është një jetë përkushtimore për lirinë, për demokracinë, për prosperitetin e shqiptarëve në Malin e Zi, për faktorizimin e tyre në integrimin në jetën shoqërore, politike dhe institucionale të këtij vendi”.
Ai tha se Ferhat Dinosha tashmë është pjesë e historisë së rëndësishme të popullit shqiptar të Malit të Zi.
Bashkurti tha se Dinosha ka qenë ndër liderët e guximshëm politikë shqiptarë që ka punuar me urtësi, vullnet, por edhe këmbëngulje që qytetarët shqiptarët të Malit të Zi të lënë pas diferencimet, diskriminimet, kompleksitetet dhe të jenë pjesë e rëndësishme e historisë moderne të Republikës së Malit të Zi,
“Ferhat Dinosha është njëri ndër politikanët më të mënçur shqiptarë në të gjithë hapësirën ballkanike”, tha ai.
Ndërsa duke folur për librin, Bashkurti tha se çdokush do të gjejë veten në të dhe se në këtë libër ka vetëm frymë bashkëpunimi dhe mirëkuptimi.
Autori i librit, Ferhat Dinosha, kryetar i UDSH-së dhe deputet në Parlamentin e Malit të Zi, tha se libri nuk kishte qenë në duart e lexuesve po të mos kishte qenë familja e tij e dytë, Unioni Demokratik i Shqiptarëve.
“Nuk do të kishte qenë ky libër po të mos kishin qenë votuesit e tij besnikë, simpatizantët e tij besnikë, anëtarët secili dhe në çdo nivel, po të mos kishin qenë udhëheqësit e UDSH-së. Unë jam shumë i vetëdijshëm dhe shumë mirënjohës për këtë dhe besoj se këtë libër të gjithë do ta përjetojnë si fryt të punës së vet për arsye se Ferhat Dinosha nuk do të mund të fuste në këto faqe atë që gjendet aty pa patur bashkëpunimin dhe ndihmën e madhe, ndihmën e pazëvendësueshme të bashkëpunëtorëve të mi, duke filluar prej kryetarit të parë të UDSH-së, të ndjerit Bajram Rexha, e deri në ditët në të cilat jemi sot”, tha Dinosha.
Ai falënderoi edhe kryetarin e Akademisë Diplomatike Shqiptare, dr. Lisen Bashkurti për ndihmën e dhënë në publikimin e këtij libri.
Presidenti i Akademisë Diplomatike Shqiptare, dr. Lisen Bashkurti, i ndau me këtë rast Ferhat Dinoshës Mirënjohje në emër të Akademisë Diplomatike Shqiptare, në përvjetorin e 55-të të ditëlindjes së tij.
Në mbrëmjen promovuese morën pjesë shumë personalitete në mesin e të cilëve ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Tonin Beci, kryetarët e zyrave të Akademisë Diplomatike Shqiptare për Kosovë dhe Maqedoni, etj.
Mbrëmja promovuese u organizua nga Akademia Diplomatike Shqiptare në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës në Ulqin, ndërsa u moderua nga gazetari Agron Bala.
I.Kallaba
Koha Javore

3