Clinton rikonfirmon mbështetjen ndaj Kosovës

March 1, 2009   | Bota

hillary-clinton_fatmir-sejdiu_hashim-thaciSekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton gjatë konferencës për shtyp të mbajtur para pak çastesh me presidentin kosovar Fatmir Sejdiu dhe kryeministrin Hashim Thaçi, ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-ve për Kosovën.

“Ne mbështesim shtetin e ri të Kosovës. Kosova ka arritur progres gjatë një viti pavarësi dhe është shndërruar në një faktor stabiliteti. Përgëzoj presidentin dhe kryeministrin për këtë vit qeverisjeje, të cilët i inkurajoj për përballimin e sfidave që kanë përpara”, ka pohuar Clinton.

Ndërsa presidenti Sejdiu i ka shprehur sekretares Clinton mirënjohjen e Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe ka dhënë garancinë se qeveria kosovare po ndërton një shtet multietnik.

“Shprehim mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme që SHBA i kanë dhënë Kosovës. Pa këtë ndihmë Kosova nuk do të kishte arritur në këtë pikë ku është sot. Zoti bekoftë Amerikën dhe popullin e saj. Gjate një viti pavarësi, Kosova ka dhënë prova se është faktor stabiliteti dhe se është e gatshme për një fqinjësi të mirë me të gjitha vendet”, ka deklaruar Sejdiu.

Edhe kryeministri Thaçi, përveçse ka falënderuar SHBA-të për ndihmën e dhënë, ka rikonfirmuar prirjet e qeverisë së tij për krijimin e një shteti demokratik dhe multietnik.

“Mbështetja e SHBA-ve ka qenë e jashtëzakonshme. Marrëdheniet me Amerikën do të mbeten të shkëlqyera dhe Kosova dhe populli i saj i përulen Amerikës. Jemi shumë krenarë për punën e bërë në një vit pavarësi. 1 vjetori i pavarësisë u shoqërua me progrese. Kemi pasur 55 njohje dhe besoj se do të kemi njohje të reja. Gjithashtu, kemi instaluar një qeverisje të mire dhe multietnike”, ka theksuar Thaçi, i cili ka vlerësuar se pavarësia ka sjellë më shumë paqe e stabilitet në rajonin e Ballkanit.

Pritet që më vonë, Sejdiu dhe Thaçi të takohen edhe me nënpresidentin amerikan, Joseff Biden.

Top Channel

YouTube Preview Image