Marin Meksi bashkë vajzën e kryeministrit Berisha
Festa e dhjetë vjetorit të krijimit të kompanisë së Sigurimeve “Sigal” ka bërë bashkë vajzën e kryeministrit Berisha, Argita Malltezi me Marin Meksin, djalin i cili njihet si kampion i Body Building, por dhe si djali i shkrimtares së njohur Mira Meksi drejtoreshë dhe administratore e “Alsat”. Fakti që Marini doli dhe e priti jashtë i shoqëruar nga e ëma Mira, tregon për konfidencën që ata kanë me vajzën e kryeministrit. I pyetur për këtë miqësi Marin Meksi, i cili tani punon në Drejtorinë Konsullore të Ministrisë së Jashtme si diplomat, ai tregon: “Zonja Argita Malltezi Berisha është mikesha e familjes tonë, ashtu siç edhe ne jemi miq të familjes së saj.
Për mua ajo është një familje me vlera intelektuale, kulturore dhe humane. Vendosëm që ta shijojmë së bashku debutimin e mikes tonë të përbashkët Inva Mula me rastin e dhjetë vjetorit të “Sigal”. Përjetuam së bashku emocionet e shfaqjes dhe shkëmbyem biseda rreth muzikës”. Marini ka vazhduar studimet për drejtësi në Universitetin “Luarasi” . Ai nuk merret me politikë, por si qytetar dhe intelektual ka mendimin se politika jonë është në një proces të gjatë demokratizimi, ashtu si e tërë shoqëria jonë, me uljet dhe ngritjet e saj. Pohon se Argitën e takonte për herë të parë pavarësisht se prindërit kanë miqësi me ta.
I pyetur nëse vazhdon të merret me sportin e Body Building ku u shpall kampion disa vite më parë ai thotë: “Vazhdoj të merrem me bogybuilding, sigurisht jo në mënyrë kompetitive për asye se impenjimet dhe pozita nuk më lë që t’i përkushtohem në nivel gare, por stërvitem rregullisht për të ruajtur një formë të mirë sportive. Gara ime e fundit ka qenë në vitin 2007 në Kampionatin Europian të Bodybuilding”. Marini është një djalë me fat pasi ka një familje intelektuale që e ka përkrahur shumë, ka ditur të mbajë në nivele shumë të mira studimet dhe sportin, ka shumë shoqëri në Tiranë, është pronar i televizionit
Alsat dhe mesa duket familja i ka krijuar edhe një komoditet tjetër, të njohë miq të rangjeve të larta, edhe pse ai është akoma veçse 23 vjeç. Duke u kthyer te koncerti ku ne i fotografuam, në fakt nuk jemi të sigurt nëse kanë arritur ta shijojnë aq shumë, pasi në sallën e TOB bënte aq ftohtë, sa Inva Mula në daljen e radhës në skenë, kishte hequr dorë nga ideja për të patur vetëm fustanin e planifikuar enkas për këtë rast, dhe kishte shtuar edhe peliçen e ngrohtë.
Burimi: Panorama Plus





