Nimani: “Shqiptarët e Malit të Zi e fituan flamurin edhe pa dalë në male” !

March 8, 2009   | Intervista / Intervju

fuad-nimaniFuad Nimani, ministër i Malit të Zi për minoritete
Komiteti i OKB-së kundër diskriminimit racial, ka shqyrtuar të premten të drejtat e njeriut në republikën e Malit të Zi, pas pavarësisë së këtij shteti nga Serbia. Kur është fjala për të drejtat e njeriut, sidomos të minoriteteve, sipas ekspertëve ndërkombëtar, viteve këto dy-tri vitet e fundit, sidomos pas shkëputjes nga Serbia, Mali i Zi ka përmirësuar dukshëm imazhin e vet në këtë drejtim. Përmirësimin e të drejtave të njeriut, në veçanti të pakicave në ketë republikë ish-jugosllave e dëshmoi edhe z. Fuad Numani, ministër i të drejtave të njeriut i cili po i prin delegacionit nga Mali i Zi në punimet sivjetme të Komitetit të OKB-së kundër diskriminimit racial që po mbahen në Gjenevë. Në raportin e tij në seancën e Komiteti të OKB-së në Gjenevë, ministri Nimani, theksoi se kur bëhet fjalë për arsimimin e pakicave nacionale në Mal të Zi, mund të thuhet me siguri se Mali i Zi ka bërë viteve të fundit hapa të rëndësishëm pozitivë në këtë drejtim, qoftë sa i përket miratimit të rregullores së re ligjore që rregullon këtë lëmë, qoftë sa i përket qasjes për zgjidhjen e këtij problemi.

“Arsimimi i pakicave është pjesë e sistemit arsimor të përgjithshëm integral shtetëror i cili respekton specifikat e pakicave nacionale dhe iu garanton mundësinë e shkollimit në gjuhën e tyre amtare, krahas ruajtjes së identitetit të tyre kombëtar dhe kulturor”, ka deklaruar ai. Sipas z.Nimani, në programet e reja arsimore të cilat janë hartuar në kuadër të reformës së arsimit, nga fusha e gjuhës amtare, dituri shoqërisë, historisë, kulturës fizike dhe figurative në një masë të konsiderueshme janë përfshirë dhe integruar përmbajtjet që përfaqësojnë gjuhën, krijimtarinë, historinë dhe kulturën e pakicave në Mal të Zi

Ministri për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Pakicave, tha se me qëllim të realizimit të parimeve shumë kulturore dhe tolerancës etnike në Mal të Zi, programet e reja arsimore të reformuara përmbajnë edhe një risi, e kjo është natyra e tyre e hapur. “Me këto ndryshime është bërë e mundur që shkolla dhe komuniteti lokal mund të propozojnë dhe të hartojnë 15-20 për qind të programit arsimor në pajtim me nevojat dhe specifikat e tyre”, tha ndër të tjera Nimani.

Sipas tij pavarësia e Malit të Zi dhe funksionimi i shtetit juridik, ka bërë që sot qytetarët e Malit të Zi, edhe minoritetet, të ndihen të lirë dhe të barabartë. Në 81 ulëset e parlamentit malazias, janë edhe 5 deputetë shqiptarë, 2 kroatë dhe të tjerë. Kur është fjala për të drejtat kombëtare të 7 për qind të shqiptarëve në Mal të Zi, ministri Numani, tha se shqiptarët në ketë republikë, deri në njëfarë mase, janë të trajtuar mirë dhe të integruar, megjithëse ka ende edhe shumëçka për t’u realizuara.

Ndërkaq, duke folur për kombëtaren “Bota Sot”, mbi të drejtat e shqiptarëve në Mal të Zi, përmendi shembullin se shqiptarët e Malit të Zi, numerikisht më pak se shqiptarët në disa republika tjera ish-jugosllave, ta zëmë ata në Maqedoni, nuk u desh të dalin në male për të siguruar flamurin dhe të drejtat e tyre kombëtare, por i fituan në mënyrë demokratike, nëpërmjet bisedimeve përmes institucioneve vendore në Podgoricë. Qeveria e Malit të Zi ka hartuar ligjin për përdorimin e flamurit shqiptar në këtë vend, i cili së shpejti, do të miratohet edhe nga parlamenti malazias.

Nefail Maliqi
BOTA SOT

2