Kolapsi politik në Malësi dhe Refleksi i mentalitetit tonë

March 10, 2009   | Shtypi / Mediji

kolapsi-politik-i-alternatives-shqiptareRefleksi i mentalitetit tonë
Marrja me politikë është një profesion i cili varet nga disponimi i qytetarëve. Nëse qytetarët mendojnë se subjekti politik, ose personaliteti për të cilin kanë votuar punon në favor të interesave të tyre, ata do të votojnë përsëri për të. Andaj, në politikë asgjë nuk është e përjetshme. Në Malësi nuk ekziston kjo vetdije. Për qytetarin i cili i shikon anash rrjedhat aktuale, e gjithë kjo len përshtypje të luftës së pamëshirshme për pushtet qoftë ky vetëm pushteti brenda një partie.

Ditëve të fundit është çuar shumë pluhur në opinionin shqiptar në Mal të Zi lidhur me ngjarjet e fundit në Alternativen Shqiptare, gjegjësisht lidhur me faktin se Këshilli kryesor i kësaj partie nuk ka mundur të arrijë konsensus lidhur me faktin se kush do të jetë bartësi i listës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të bëjmë rekapitulim në bazë të asaj çka ka mundur të shihet nga mediat: një rrymë e anëtarëve të Këshillit ka qenë për opcionin që bartësi i listës zgjedhore të kësaj partie të jetë deputeti i deritashëm në Parlamentin e Malit të Zi, Vasel Sinishtaj, ndërsa, rryma tjetër e ka përkrahur Nik Gjeloshajn. Sipas mediave malazeze (sic!) bartësi i listës do të jetë Gjeloshaj. Te qytetari neutral i cili, në rend të parë, brengoset për të ardhmen e Malësisë, rrymimet në ASH lënë përshtypje të rëndë. Jo vetëm që krijojnë imazh negativ për partinë në fjalë, por, në radhë të parë për Malësinë. Sepse, fitohet përshtypja se diçka nuk është në rregull me mentalitetin tonë.

Çfarë është mentaliteti ynë

Rrymimet aktuale në ASH janë pasqyrë reale e asaj që është mentaliteti i sotëm i cili mbizotron në Malësi e që është trashëgim i kohrave të përparshme kur trevat shqiptare ishin të izoluara nga Europa e qytetëruar. Do të nevojiten deceniet (dhe shekujt) që të kapërcehet kjo humnerë civilizuese. Kemi menduar se me rënien e komunizmit do të ecim më shpejt drejt Europës. Mirëpo, praktika po e tregon se ky proces po përparon shumë ngadalë. Shembulli më i mirë janë ngjarjet aktuale në ASH.

Niccolo Machiavelli

Do t’u propozoja politikanëve tanë që ta lexojnë Machiavellin. Aty do të mund të gjenin shumë gjëra të dobishme të cilat do t’u ndihmojnë që në opinion të mos duken komikë nga fakti se janë qasur të merren me një profesion parimet e të cilit nuk i njohin. Çka është edhe më e keqja, politika është profesion i cili, nëse ushtrohet nga injorantët ka pasoja të rënda për popullin i cili i ka votuar. Andaj çka thotë Machiavelli? “Njerëzit mund të hipin në pushtet me anë të tjerëve ose si pasojë e rrethanave. Për këta është shumë vështirë ta ruajnë pozicionin e tyre. Pushteti i tyre nuk ka rrënjë të thella dhe nuk mund t’ju rezistojë furtunave.” Kurzivin e kam bërë unë që politikanët tanë të dijnë të orientohen më mirë lidhur me atë se çfarë ka dashur të thotë Machiavelli e që mund të aplikohet në situatën aktuale në ASH.

Çka paraqet në esencë profesioni i politikanit

Fakt është se shqiptarët në Mal të Zi nuk kanë ide se çka paraqet në thelb marrja me profesionin e politikanit. Në shtetet e demokacisë europiane, ky profesion ushtrohet për ta përmirësuar pozitën dhe jetën e qytetarëve. Te ne, ky kuptohet si mundësi ideale që të shfrytëzohen benefitet që i sjell pushteti. Te shqiptarët e Malit të Zi, funksioni i kryetarit partiak është i përjetshëm. Dhe jo vetëm kaq, Ky funksion nënkupton që atë person të njejtë do ta shohim në të gjitha këshillat, komisionet, tryezat e rrumbullakta, grupet e punës, etj.,etj. Vërtet, njeriut i vie që të thotë “Mjaft më!”. Më në fund qytetari i thjeshtë fillon ta ndiejë veten si peng të fytyrave për të cilat nuk ka shans që të zbresin nga funksioni i përjetshëm. Diçka si Fidel Castro!
Po, si qëndron puna në rastin e ASH- së. Ky rast është specifik për shumë arsye dhe kjo që e kam thënë më lartë nuk vlenë për ASH-në.
1. ASH si subjekt autokton politik në Malësi. ASH është subjekti i parë autokton politik në trevën e Malësisë që nga koha e rënies së komunizmit. Të gjitha partitë e tjera që veprojnë në Malësi janë degë të partive politike me qendër në Ulqin.
2. Çështja e strategjisë afatgjatë. Në situatë kur fitohen zgjedhjet lokale dhe një deputet hynë në Parlament republikan si pasojë e rrethanave të krijuara pas aksionit policor “Fluturimi i shqiponjës”, ASH vepron tërë kohën (gati tri vjet) pa strategji afatgjatë. Politika nuk mund të zhvillohet prej rastit në rast. Duhet të dihet çka është strategjia afatgjatë e një subjekti politik. Përveç kësaj, duhet bërë dallim mes politikës krijuese dhe asaj ditore. A ka pasur njerëz të tillë në Këshillin Qendrorë të ASH-së, njerëz të cilët dijnë çka është strategjia e të cilët kanë qenë në pozitë të vendosin për këtë si anëtarë të Këshillit qendror? Dyshoj! Ose, edhe në rast se ka paur të tillë, kanë qenë në pakicë.
3. Lufta për pushtet. Marrja me politikë është një profesion i cili varet nga disponimi i qytetarëve. Nëse qytetarët mendojnë se subjekti politik, ose personaliteti për të cilin kanë votuar punon në favor të interesave të tyre, ata do të votojnë përsëri për të. Andaj, në politikë asgjë nuk është e përjetshme. Në Malësi nuk ekziston kjo vetdije. Për qytetarin i cili i shikon anash rrjedhat aktuale, e gjithë kjo len përshtypje të luftës së pamëshirshme për pushtet qoftë ky vetëm pushteti brenda një partie.
4. Faktori fisnor. Kur e lexon historinë e malësive shqiptare, jo vetëm të Malësisë së Madhe, e sheh qartë se të gjitha trojet e këtilla kanë ruajtur një mentalitet mikrolokal (fisnor) i cili i ka bërë shumë dëm, së pari mjedisit lokal e pastaj edhe kombit shqiptar. Kjo ka ardhur si pasojë e luftës shumëshekullore për mbijetesen e identitetit kombëtar, luftë e cila ka qenë aq e gjatë sa që është humbur parafytyrimi se ka njerëz të zot edhe jasht fisit tim. Për fat të keq, në Malësi, kjo psikologji nuk është tejkaluar as në kohën e sotme kur duhet shikuar një interes më të gjërë. Një mentalitet i ngjashëm klanor ekziston edhe në mjediset e tjera shqiptare në Mal të Zi të cilat nuk e kanë strukturën fisnore. Kuptohet se edhe kjo është pasojë e izolimit dhe mbylljes në vete sepse rrethanat kanë qenë të tilla.
5. Uniteti i brendshëm i subjektit politik. Të kthehemi përsëri te Machiavelli. Ai thotë se për ta ruajtjur pushtetin, nuk duhet ngurruar të largohen njerëzit të cilët janë të rrezikshëm për unitetin. Ta aplikojmë këtë parim në rastin aktual të ASH-së, kjo dmth. se një subjekt politik nuk mund të funksionojë nëse nuk është unik. Nga ky shkak, në demokracinë qytetare vie deri te formimi i partive të reja politike nga fraksionet që janë krijuar brenda partive ekzistuese. Konkluza lidhur me ASH-së imponohet vetvetiu.

Përfundimi
Në këtë moment, përfundim nuk ka. Neve, qytetarëve të thjeshtë (por,jo edhe neutralë kur është fjala për fatin e vendlindjes sonë), na mbetet të shpresojmë se Malësia nuk do të shuhet para se t’i zgjidhin interesat e tyre fisnorë politikanët të cilët vendosin për fatin e saj.

Xhoana M. Perkaj
Koha Javore