Mali i Zi- Shqipëri, kërkohet liberalizim i tregtisë
Liberalizim të tregut dhe intensifikim të marrëdhëniet tregtare është kërkuar gjatë takimit të sotëm mes kryetarëve të Dhomave të Tregtisë së Shqipërisë dhe Malit të Zi. Bashkëpunimi mes dy vendeve shihet si i dobishëm kur rajoni po përballet me krizën.
TIRANE- Përfaqësuesit e biznesit të rajonit intensifikojnë komunikimin për gjetjen e mënyrave të shpëtimit nga kriza globale. Në takimin që kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Gjokë Uldedaj, pati me homologun e tij nga Mali i Zi Vladimir Mijuskoviç si dhe nënkryetarin Branko Vukmanoviç, është folur kryesisht për rritjen e bashkëpunimit ekonomik e tregtar midis dy vendeve dhe, po ashtu, të rolit të Dhomave respektive. Uldedaj tha se Dhomat e Tregtisë po punon fort për të krijuar klimën e përshtatshme që këto shkëmbime të gjejnë një dimension të ri, në përshtatje me situatën e brishtë ekonomike në të cilën gjendet rajoni.
Kryetaret e Dhomave te Tregtisë kanë vënë theksin në këtë takim në liberalizimin e tregtisë midis vendeve të rajonit, e parë kjo si një nga instrumentet e rëndësishme për të zbutur impaktet e krizës globale. Ide kjo e theksuar edhe në Forumin e Biznesit Shqipëri-Maqedoni, organizuar disa ditë më parë nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.
(a.r/news24/balkanweb)





