Grindjet e brendshme brënda shqiptarëve

March 16, 2009   | Politika

retorika-e-partive-shqiptare-ne-mal-te-ziThonë se “s’ka trim që të mos ketë rënë prej kali e s’ka kalë që të mos ketë zënë në thumb!” Puna është që pasi të jesh rrëzuar, të dish të ngrihesh e përsëri të vish në vete.

Tani që gjërat janë qartësuar rreth asaj se sa koalicione e parti politike do të dalin në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, për ne shqiptarët në Mal të Zi duket se jemi të prirur për debakle. Çdokund, në çdo ndejë heton vetëm urrejtje ndaj njëri-tjetrit, e akumuluar kjo me propagandën e bërë nga ata që do të duhej të ishin nismëtarë të së mirës, të asaj që sjell bashkim e prosperitet për shqiptarët. Vetë mënyra e paraqitjes së subjekteve shqiptare për të dalur në zgjedhje të bën të pyesësh veten, si ka mundësi që jemi katandisur kështu? Jemi bërë të padurueshëm ndaj njëri-tjetrit, duke sulmuar secilin që nuk është në një mendje me ne, duke ofenduar kundërshtarët politikë edhe për jetën private, shkallën e aftësisë profesionale, mënyrën e veprimit politik e çfarë jo, vetëm e vetëm për ta paraqitur veten si engjuj, në një kohë kur ose nuk dinë se janë zhdukur nga skena politike, ose para se ta kuptojnë këtë hidhen e kërcejnë si peshku pa ujë. Të rrëmosh për të mësuar të metat e tjetrit, është paturpësi, ta përfolësh atë majtas e djathtas është ves i pafalshëm për ata që pretendojnë se janë në shërbim të popullit.Tani këtu nuk kalon ditë e të mos dëgjosh deklaratat e tyre apo shkrimet në media nga më të ndryshmet nga ata që kanë mbetur pa parti, që nuk i pranon askush, ata që po i japin çdo ditë e më shumë profesionit të vet politik “natyrë matrapazi”, pa qenë të vetëdijshëm për të kuptuar atë thënien: “çka t’i bësh tjetrit, do ta përjetosh vetë”. Kjo është logjikë e tyre politike, kështu janë të prirur nga natyra, nga vlerat që kanë në vetvete duke menduar se me deklarata e punë të bëra mund të realizojnë aspiratat dhe ambicjet e veta politike. Kjo logjikë u shfaqet si dukuri dhe vazhdon t’u mbushë mendjen se kështu mund të veprohet në shoqëri pa harruar se kanë marrë fund, ose janë duke u likuiduar. Punët e tyre të ngritura mbi gënjeshtra dhe stëmadhime të dukurive negative duket se janë shembur si një ëndërr e hidhur dhe një ilzion i përmalluar!

Kjo mënyrë e veprimit politik të tyre kur edhe brënda një subjekti politik paraqiten të ndarë me lista zgjedhore të bënë të mendosh se dikushët-kërrkushët shfrytëzojnë momentin për t’u ngritur me merita të huaja, pa pasur masën pas vetit. Të më besohet se unë nuk jam për konfrontime brënda subjekteve shqiptare e as brënda një subjekti politik, atëherë pse na ndodhë kjo neve nëse nuk punojmë për shkatërrim e përcarje brenda vetës? Hileqarët me punët e tyre tinëzare bëjnë njëmijë dallavere për të mbajtur poste e karriga të cilat duket se nuk do t’i mbajnë edhe shumë kohë. Këta bashibuzukë vazhdojnë të shesin mend kudo e me këdo për të arritur majën politike duke harruar se atje në bazë kanë një masë të shëndoshë që do ti detyrojnë ata të ulin gishtat e demokracisë për të mos manipuluar më me votën e sovranit. Për ta ky është një fakt i hidhur, ndaj shrohet pyetja: çfarë e keqe i kanoset komunitetit të këtushëm nga këta individë që nuk zgjedhin mjete për diskreditimin e njerëzve, për ofendimin që u bëjnë të tjerëve e duke nënçmuar këdo pa zgjedhur mjete? Asgjë tjetër, përvec se lakmia për të qenë në piedestal të politikës ditore e duke u sjellur me të tjerët sikur ata të mos ishin pjesë e të njëjtit komb, pa pasur respekt e dinjitet ndaj të tjerëve përdorin ofendime që nuk i “ha pazari”. Nga deklaratat dhe shkrimet e tyre njeriu nuk ka se si të mos dëshprohet, megjithatë ne jemi mësuar tashmë t’i duam të tjerët kur vdesin e kurrsesi sa jemi gjallë. Këta mjeranë politikë që shohin zi cdo gjë e çdokë që mendon ndryshe pa pasur merita, duke u bërë shembull tipik i së keqes, merren me shpifje e mashtrime të opinionit të këtushëm.

Ky popull është lodhur nga ata që duan të manipulojnë me votuesit duke u munduar ta bindin atë se pa ta do të shkatërrohet cdo gjë. E si zakonisht këta me deklaratat e veta mundohen të ulin imazhin e kundërshtarëve të tjerë për t’u gjetur atyre “qime në vezë”. Kjo betej brënda shqiptarëve të këtueshëm duket se nuk ka fund, këtë do ta hetojmë atëherë kur të hamë njëri-tjetrin! Për këtë duhet lënë anash mentalitetin ballkanik për të mënjanuar të afërmit e njerës apo palës tjetër, ndaj votuesi këtë mund ta bëjë duke marrë pjesë në votime në mënyrë masive për ta kuptuar këta politikanë se ne nga Ballkani duhet të shkojmë në Evropë.

Shaban Peraj

Koha Javore

YouTube Preview Image

1