Luigj Shkreli, kandidat për deputet i Koalicionit “Mali i Zi Europian – Millo Gjukanoviq”

March 17, 2009   | Lajmet / Vijesti

luigj-shkreli1. Pres pa dyshim fitore të bindëse dhe të sigurt të Koalicionit “Mali i Zi Evropian”, me të cilën do të arrihet një mandat stabël dhe afatgjatë, i cili do të na sigurojë ecjen përpara dhe përfundimin e proceseve që e çojnë Malin e Zi drejt Bashkimit Evropian dhe anëtarësimit në të gjitha strukturat e tij. Kualiteti i ri dhe aplikimi i standardeve të njohura evropiane në jetën e çdo qytetari të Malit të Zi do të jetë një ndër sfidat kryesore dhe bosht i përqendrimit të aktiviteteve tona partiake, parlamentare dhe shtetërore në kohën që do të pasojë pas zgjedhjeve dhe fitores së sigurt dhe votës transparente, të besuar nga populli.

2. Po të isha unë në pozitë që të shtroj pyetje, do të pyesja: Pse mos të më votojnë shqiptarët?! A ka ndonjë arsye pragmatike? A ka ndonjë shkak të arsyeshëm? A ka ndonjë fakt të jetësishëm? A ka ndonjë sjellje të njerëzishme, përpos atyre që kanë karakter subjektiv ose të ndonjë gjendjeje tjetër në të cilën mund të ndodhin logjika e jetës së përditshme njerëzore?.
Perfundimi i Shtëpisë së Kulturës pas 15 vjetëve, Materniteti, Fakulteti i Mësuesisë, i pari institucion i lartë në gjuhën shqipe, hapja e pikës kufitare me Shqipërinë, Ligji mbi përdorimin e simboleve nacionale, Ligji mbi liritë dhe të drejtat e popujve pakicë, njësia e posaçme zgjedhore për shqiptarët në Mal të Zi, diskriminimi pozitiv dhe aksioni afirmativ, Ministria përkatëse e udhëhequr në mënyrë konstante nga shqiptarët, kontributi i parezervë për Pavarësinë e Malit të Zi, roli i subjektit tim politik në kohët më të egra për shqiptarët dhe strehimi i vëllezërve dhe motrave nga Kosova në Mal të Zi në kohën e eksodit të paparë gjatë agresionit serb dhe bombardimeve të NATO-s, roli aktiv në hartimin e Kushtetutës me dispozita afirmative për pakica dhe anëtar i këshillit për hatimin e saj, njohja e shtetit të Kosovës nga ana e Qeverisë së Malit të Zi, politika e fqinjësisë së mirë e udhëhequr nga Qeveria e Malit të Zi si prodhim i partisë në pushtet.
Këto dhe shumë të tjera, qoftë direkt qoftë indirekt, në Parlament dhe jashtë tij, janë produkt i aktivitetit tim, i drejtimit politik që kam përkrahur dhe kam udhëhequr, dhe i Partisë Demokratike të Socialistëve, funksionar i lartë i së cilës jam dhe i kryetarit Millo Gjukanoviq, në listën e së cilës tash tre mandate në radhitjen e dhjetë deputetëve të parë hyj në Parlament.
I bindur se me këto stolisen edhe të tjerët dhe lëvdatat dhe epoletat ia ngjesin vetvetes, por lexuesit dhe qytetarët e dinë se cili subjekt politik i ka aprovuar të gjitha këto, por e dinë mirë edhe kush ka qenë kundër tyre.
A janë këto të arritura që mjaftojnë që të më jepet vota dhe a kanë pse të më votojnë shqiptarët, le ta çmojnë vetë votuesit te të cilët kam besim të plotë duke llogaritur mençurin dhe maturinë tradicionale që është karakteristika jonë.

3. Nuk mendoj se kam përparësi në krahasim me kandidatët e tjerë që garojnë në këtë njësi zgjedhore, përpos eventualisht faktit se jam i njëjti person qysh prej vitit 1997, 1998, 1999, 2001, 2002, 2006 edhe sot e kësaj dite. Të tjerët le të sillen rrotull e të përqendrohen për të pare se ku gjenden. Nuk i kam shkuar askujt prapa, por të tjerët kanë ardhur pas meje. Populli dhe qytetarët, e posaçërisht votuesit dinë bukur mirë t’i vlerësojnë të gjitha këto dhe të japin notën dhe respektin e merituar.

Koha Javore

2