Elvana Gjata: Më në fund ju rrëfej të vërtetën mbi Florin

March 18, 2009   | Lajmet / Vijesti

elvana-gjata9Këtë herë shfaqet shumë ndryshe. Një zonjushë rreth të 25-tave, me një veshje glamuroze të viteve ’70. Elvana Gjata ka lançuar në treg klipin e saj më të fundit, “Nuk janë më!”, një material muzikor që mban firmën e Florit dhe që ka korrur sukses që në ditët e para të shfaqjes. E duke mbetur tek Flori, për të parën herë, Elvana rrëfen të vërtetën e marrëdhënies së saj me Florin, kjo e fundit shumë e përfolur prej kohësh.

Sapo ke lançuar klipin tënd më të fundit. Një klip disi ndryshe nga të tjerët. Diçka më shumë rreth realizimit të këngës, klipit dhe cilët janë bashkëpunëtorët?

Më është dashur një kohë e mirë për t’u kthyer sërish me një punë të re. Është sërish një kompozim dhe orkestrim i Florit. Të dyve na ka tërhequr vëmendjen rikthimi i muzikës së viteve ‘80 në mbarë tregjet muzikore botërore, dhe na frymëzoi të krijonim këtë këngë. Gjithashtu, pamë që kjo gjë nuk ka hyrë ende mirë në Shqipëri, dhe pse jo të ishim nga të parët që e lëvrojmë këtë tendencë. Duke qenë se kemi qenë gjithmonë të kënaqur nga bashkëpunimet e Kosovës, kemi bashkëpunuar sërish me produksione kosovare, këtë herë me ‘Entermedia’.

Cila është fabula e kësaj këngë?

Fabula e kësaj kënge flet për një çift, që dashuria e tyre, qoftë për faj të njërit apo tjetrit ka përfunduar. Është një tekst shumë i ndjerë nga Ardit Roshi. Shumica e teksteve të mia i dedikohen dashurisë, por kjo është hera e parë që vij me një histori të dhimbshme, dhe mund të them që çdo njëri me një histori të përfunduar do ta bëjë të vetin tekstin e këngës.

Cilët janë dy personazhet në klip, pas të cilëve qëndron ti vetë?

Janë dy personazhet kryesorë të ndodhisë. Janë historia për të cilën unë rrëfej në këngë, pra çifti që “Nuk janë më”. Kanë mundur të bëjnë një interpretim fantastik, sa e kanë sjellë klipin në nivelet e një filmi me metrazh të shkurtër. Ne klip ata shfaqen në momente të caktuara të jetës së tyre, pra përjetime të lumtura apo të këqija të sjella në një makine. Jam unë ajo që me anë të tingujve paraqes gjendjen shpirtërore të tyre..

Shfaqesh me një look të ndryshuar. Ndihesh më mirë kështu?

Në fakt, gjithmonë kam dashur të vij ndryshe, po të dëgjosh këngët e mia ndër vite, sidomos singëllat, mund të kuptohet fare lehtë që asnjëra nuk ngjan si rrymë muzikore. Ndërkohë që këtë herë, më shumë sesa një ndryshim në look, përcjell një imazh të ri. Dua të them që gjithmonë e kam justifikuar rritjen në moshë të look-ut tim. Për shembull, këtë herë paraqitem si një zonjushë rreth të 25-tave, me një veshje glamuroze në vitet ‘70. Dua të falenderoj stilisten Jona Muça për kontributin e saj mbresëlënës në shumë evenimente ku jam paraqitur.

Studion në Akademinë e Arteve, në degën e regjisë. Si shkojnë studimet? Çfarë studenteje e cilëson veten Elvana?

Është e çuditshme sa shpejt kalojnë vitet dhe unë këtë vit diplomohem. Studimet shkojnë shumë mirë, por e kam pasur shumë të vështirë të jem e t’i ndjek rregullisht, për shkak të aktiviteteve jashtë Shqipërisë, dhe për këtë përfitoj nga rasti t’i kërkoj mirëkuptim profesorëve. Them që jam një studente ambicioze. Kërkoj gjithmonë të sjell punë të mira. Mund të them që regjisura është një profesion që unë e kam dashur, dhe e dua shumë ende. Shpresoj që në të ardhmen të përfaqësoj suksesshëm këtë fushë.

Një bashkëpunëtor i fortë në gjithçka që ti bën për sa i takon muzikës, është Flori. Dhe për këtë të fundit ka pasur mjaft thashetheme se mes jush nuk ka qenë vetëm një marrëdhënie pune. Cila është në fakt e vërteta?

Jam e lumtur që sa më shumë vitet kalojnë, aq më i fortë bëhet bashkëpunimi jonë, falë profesionalizmit, disiplinës që kemi në punë. Pa anashkaluar dhe respektin që kemi ndaj njëri-tjetrit. Kanë shumë vite që njerëzit merren me ne, sidomos kur Flori është singëll. Flori është më shumë se sa një kompozitor për mua. Është një mik shumë i shtrenjtë. Jo vetëm nga unë, por ai është i respektuar dhe nga familja ime. Shumë herë jam shfaqur e përqafuar me Florin, por kjo rendomë është marrë si një shenjë. Kam përshtypjen se një përqafim për një mik apo mikeshë është më se normale. Thashethemet e shumta na kanë bërë për të qeshur, por kur kanë qenë shumë të tepruara, na kanë bezdisur. Më vjen keq që është kaq e vështirë të kuptojnë që asnjëherë nuk ka pasur dhe s’do ketë diçka më shumë sesa miqësi mes meje dhe Florit.

Miku më i mirë për ty? Po mikesha?

Nuk kam një që të jetë më shumë se të tjerët, qoftë mik apo mikeshë. Ato që janë, jam e lumtur që janë në jetën time.

Është Elvana e dashuruar?

Le të themi që e njoh konceptin e dashurisë!

Dhurata më e fundit që ke bërë?

Është një tufë me lule shumë e madhe që ja kam dhuruar mamit tim dhe i them që e dua shumë dhe është mami më e mirë në botë!

YouTube Preview Image

22