Kejsi Tolaj, në Moskë: Tërhiqet shorti i ‘Evrovizionit 2009’
“Më merr në ëndërr” është kënga me të cilën do të prezantohet 16-vjeçarja Kejsi Tolaj nga Shqipëria. Pse Gjeorgjia është tërhequr nga gara?
Të martën, në një ceremoni zyrtare, është tërhequr shorti për renditjen e këngëve në ‘Evrovizion 2009’, që në mesin e majit do të mbahet në Moskë. Dima Bilan përcaktoi numrat e këngëtarëve që do të paraqiten në dy mbrëmjet gjysmëfinale. Sipas renditjes, më 12 maj në gjysmëfinalen e parë do të prezantohen solistët nga këto shtete: Mali i Zi, Çekia, Belgjika, Bjellorusia, Suedia, Armenia, Andora, Zvicra, Turqia, Izraeli, Bullgaria, Islanda, Maqedonia, Rumania, Finlanda, Portugalia, Malta, Bosnjë e Hercegovina. Ndërsa, më 14 maj përpara publikut do të përformojnë këngëtarë nga Kroacia, Irlanda, Letonia, Serbia, Polonia, Norvegjia, Qipro, Sllovakia, Danimarka, Sllovenia, Hungaria, Azerbajgjani, Greqia, Lituania, Moldavia, Shqipëria, Ukraina, Estonia, Holanda. Tradicionalisht dihet se Rusia hyn në garë pasi është fituese e edicionit të kaluar, së bashku me vendet e katërshes: Franca, Gjermania, Spanja dhe Britania.
Ndonëse Kosova ende nuk ka fituar të drejtën për të qenë pjesë e kësaj gare, shqiptarët do t’i mbajë në ethe përfaqësuesja e Shqipërisë, Kejsi Tolaj. “Më merr në ëndërr” është kënga me të cilën do të prezantohet 16-vjeçarja Kejsi Tolaj nga Shqipëria. Ajo bashkë me ekipin po bën përgatitjet e fundit, ndërsa këngëtarja ka deklaruar për mediet shqiptare se beson në veten dhe pretendon të realizojë një përformancë të mirë, që të mos i zhgënjejë shqiptarët.
Ndërkohë, edhe në këtë edicion nuk mungojnë problemet. Gjeorgjia është tërhequr nga gara pasi organizatorët nuk ia kanë lejuar këngën “We Don t Put In”, në të cilën përmendet emri i kryeministrit rus, Vladimir Putin. Sipas organizatorëve, kjo është këngë e natyrës politike dhe organizatori ka kërkuar ndërrim të tekstit, gjë që nuk ka pranuar Gjeorgjia.
Biletat për ‘Evrovizion 2009’, që mbahet nga 11 deri në 16 maj, me pjesëmarrjen e 42 vendeve, në koncertet e pasdites dhe në mbrëmje do të jenë nga 8.50 deri mbi 50 euro. Në gjysmëfinale nga 22 deri 549 euro dhe në finale nga 28 euro deri 849 euro. Në “Olimpik” ka vend për rreth 20 mijë veta, ku do të përfshihen edhe delegacionet e huaja, përfshirë këtu përfaqësuesit e Bashkimit Evropian të transmetimit.
F. A.
Gazeta “Kosova Sot”





