Maqedonia s’mundet pa Malin e Zi

March 20, 2009   | Rajoni / Region

maqedonia-se28099mundet-pa-malin-e-ziNuk përjashtohet mundësia që njësoj si me njohjen e pavarësisë së Kosovës kësaj radhe Maqedonia dhe Mali i Zi përsëri të koordinohen që së bashku të vendosin marrëdhënie diplomatike me Kosovën, kanë thënë për gazetën “Lajm” të Maqedonisë burime të larta qeveritare në Shkup.

Sipas burimeve të njëjta sërish është Mali i Zi i cili dikton tempin për vendosjen e marrëdhënieve bilaterale me fqinjin e ri.

“Po shqyrtohen mundësitë që mes dy rretheve zgjedhore të vendosen marrëdhëniet diplomatike me Kosovën por nuk përjashtohet mundësia që kjo të bëhet edhe në koordinim me Malin e Zi për të neutralizuar më mirë ndonjë reagim të ashpër serb si gjatë aktit të njohjes”, kanë thënë për këtë gazetë burime të larta qeveritare.

Autoritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Maqedonisë janë në kontakte të vazhdueshme me kolegët e tyre nga Kosova që vendosja e marrëdhënieve të bëhet në kohë sa më të përshtatshme për të dyja palët.

Këtyre ditëve ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku ka deklaruar se, kohë më parë, kryeministri i Malit të Zi Millo Gjukaniq i ka konfirmuar se Podgorica dhe Prishtina shumë shpejtë do t’i vendosin marrëdhëniet diplomatike.

Ndryshe, një kohë të gjatë autoritetet e Shkupit dhe ato të Prishtinës paralajmërojnë vendosjen e shpejtë të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve por një gjë e tillë assesi të ndodhë.

Kohë më parë spekulohej se vendosja e marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Shkupit ka ngecur për shkak se shefja e diplomacisë greke, Dora Bakoyannis gjatë vizitës që i bëri Prishtinës i ka premtuar lidershipit të Kosovës njohjen greke nëse Prishtina nuk shpejton me lidhjen e marrëdhënieve bilaterale me Shkupin.

Lajmpress