Arbana Osmani: Ju sfidoj të gjithëve..

March 21, 2009   | Lajmet / Vijesti

arbana-osmaniBionde si kukulla dhe ish-mise me këmbët kilometrike. Prezantuese të vjetra dhe ato që sapo vënë këmbë në televizione. “Siç i kam prezantuar unë ato programe, nuk do ta bënte askush tjetër”, tregon Arbana Osmani në një rrëfim aspak modest. Ama të përligjur: e kush do ishte me këmbë në tokë nëse do pushtonte ekranin më të lakmuar në vend?!
Takimi me të nuk është edhe aq i thjeshtë. Jo sepse Arbana është një vajzë e pasjellshme apo më keq akoma sepse i pëlqen të bëjë të rëndësishmen, si shumica e personazheve të njohur, por sepse e ka thuajse të pamundur të gjejë një xhep kohë për të na takuar. Emisioni në radio, provat për “Super Model”, pastaj provat për “E diell”, pastaj një reklamë, pastaj… Është gjatë gjithë kohës në lëvizje. Bashkë me “Big Brother 2”, që do të fillojë së shpejti, të gjithë spektaklet më të rëndësishëm në “Top Channel” janë në duart e Arbanës. Mos Top-i është në krizë me prezantueset, që i paskan besuar asaj projektet më të mëdha?! Apo Arbana qenka kaq e pazëvendësueshme?! Quajeni si të doni, përfundimi ngelet po ai: Arbana Osmani ka pushtuar një nga ekranet më të mëdhenj televizivë dhe i ka sfiduar të gjithë, sidomos ata që nuk kanë besuar kurrë se ajo vajza imcake që s’ta mbushte syrin do të bëhej një ditë një nga prezantueset më të fuqishme, që do t’u rrëmbente kolegeve të saj të gjitha skenat e spektakleve më të reja që kanë thithur audiencën më të madhe e do të thyente ca rregulla të pashkruara, sipas të cilave harroje se mund të bëhesh prezantuese pa qenë së paku një e tetëdhjetë e pa pasur ca forma trupore të hatashme. Ajo nuk ka as njërën e as tjetrën. As këmbët kilometrike, as buzët mishtore, as flokët e verdhë e as sytë e kaltër. Ia ka dalë mbanë edhe pa të gjitha këto. Edhe pse përvoja ka treguar krejt të kundërtën: se pa ato format trupore, më mirë zgjidh një profesion tjetër, edhe pse mund të jesh e shkathët, edhe pse mund të flasësh rrjedhshëm, edhe pse mund të kesh përvojë radiofonike të gjatë… Kamera është tjetër gjë. Të do të bukur. A nuk ishte edhe Alketa Vejsiu një prezantuese shumë e mirë? A nuk kishte përvojën disavjeçare në radio dhe ishte kthyer në imazhin e “Top Albania”-s? Ama dalja në ekran (me gjithë mbështetjen e pakursyer të Vera Grabockës) e detyroi të kalonte më parë nga kirurgu estetik, të limonte kurrizin e hundës, të bëhej bionde e më pas t’ia niste një karriere për së mbari. Ekzaktësisht nga e njëjta studio radiofonike ka dalë edhe Arbana Osmani, duke kaluar nëpër të njëjtat emisione e duke u njohur së pari për zërin (që tani e përdor në disa reklama) e më pas duke u shfaqur pak nga pak në ekran, fillimisht me emisionin “Select” e më pas me të gjitha edicionet e “Top Fest”-it. Ashtu siç qe, pa u përpjekur të dukej ndryshe nga ç’ishte. E duket se një gjë të tillë nuk ka ndër mend ta bëjë as tani. As të ndryshojë vazhdimisht ngjyrën e flokëve, as të fryjë buzët e as të bëjë ndonjë ndryshim tjetër, qoftë edhe të vockël fare.

Pse?
Sepse mua më pëlqen vetja, sepse kështu me duan njerëzit e mi më të dashur, sepse e ndiej se kështu më duan edhe ata që nuk i njoh. Pastaj ca komplekse nuk i njoh fare. Për mua ka rëndësi vetëm kjo: që autorët e programeve më kanë besuar disa nga spektaklet më të rëndësishme dhe mendoj se ua kam shpërblyer besimin.

Nuk të ka shkuar ndonjëherë ndër mend të ndryshosh?
Jo, asnjëherë, dhe as besoj se do më shkojë ndonjëherë. Unë nuk besoj se ekrani do njerëz të ndërtuar. Ekrani do njerëz natyralë e mbi të gjitha të lexuar e të aftë.

Po të tjerët ta kanë këshilluar ndryshimin?
Më ka ndodhur shpesh të më propozojnë një ndërhyrje që do të m’i bënte buzët më të plota apo gjëra të tjera, por nuk kam pranuar. Ndihem kaq mirë kështu dhe pa gjatësinë 1.80, edhe pa format perfekte trupore. Pa pasur asnjërën prej tyre, kam arritur atë që kam dashur gjithmonë. Megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk kujdesem për veten.

Si kujdesesh?
Për shembull bëj palestër. Edhe pse jo shumë e rregullt, përpiqem që të shkoj të paktën dy herë në javë. Bëj kujdes me ushqimin.

Që do të thotë?
Që do të thotë sa më shumë ushqime të shëndetshme të tipit: sallatë, supë, rizoto, që zakonisht më pëlqen që t’i gatuaj edhe vetë, dhe u rri larg fast food-eve. E shkel ndonjëherë me verën, po…

Po qendrat estetike i frekuenton?
Ah, ato jo. Mërzitem shpejt dhe nuk kam nerva të rri me orë të tëra duke humbur kohën me gjëra të kota. Edhe thonjtë i lyej vetë në shtëpi.

Po për sa i përket veshjes?

Kam fatin e mirë që shoqja ime e ngushtë Rovena është drejtore artistike e “Top Channel”-it. Është ajo që kujdeset për veshjen time të skenës apo që më kujton të lyej flokët se më ka dalë rrënja duke më njohur mirë e duke e ditur se pas detajeve të tilla unë nuk jam shumë e vëmendshme.

Kush të ka ndihmuar për t’u bërë prezantuese?
Askush. Aq më pak prindërit e mi, që s’kanë pasur kurrfarë lidhje me radion apo televizionin. Gjithçka e kam arritur vetë.

Si?
Po ja, fillimisht trokita në derën e “Top Albania Radio”-s dhe kërkova që të punësohesha aty si prezantuese e ndonjë emisioni. Dija vetëm kaq që doja të punoja aty. Kisha me vete pasionin dhe guximin për t’i thënë gjërat ashtu siç më vinte.

Çfarë gjërash?

Gjëra që mund të thotë një vajzë e vogël. Për shembull, kur kam hyrë për herë të parë në studio, kam thënë: kjo perdja s’më pëlqen fare. As Alketa s’më pëlqen. Në fakt mua as radioja nuk më tërhiqte siç më tërhiqte televizioni.

Por këtë nuk e the, apo jo?
Jo, sepse radioja do të më ndihmonte për të arritur televizionin dhe për t’u bërë prezantuese televizive. Sepse e kisha ndarë mendjen qëkur bëja spektaklet nëpër shkallët e pallatit, të cilat i organizoja vetë, i prezantoja vetë dhe i fitoja po vetë, se një ditë do arrija të bëhesha prezantuese prej vërteti.

Po këtë ëndërr mund ta kenë me mijëra vajza të vogla që bëjnë spektakle me shoqet nëpër shkallët e pallatit…
E vërtetë, por për mua ishte një plan që unë kisha vendosur ta realizoja me çdo kusht, sepse e ndieja që isha e aftë, nuk kisha pikën e drojës t’i dilja kamerës përpara. Por para se të ndodhte kjo, më duhej në fillim radioja, që do të më ndihmonte për të arritur aty ku doja. Si fillim nisa të prezantoja hit paradat e këngëve e më pas m’u besua “Goodmorning Albania”.

E megjithatë dikush ka besuar tek ty.
Po, sigurisht. Pa besimin e Bojken Lakos, unë nuk do isha këtu ku jam. Dhe jo vetëm të tij. Jeta është treguar shumë bujare me mua. Përveç Bojkenit, dy njerëz që kanë besuar gjithmonë tek unë dhe që më frymëzojnë vazhdimisht janë Rovena (kostumografia dhe mikesha ime më e mirë) dhe i dashuri im. E megjithatë, kur e mendoj shpesh, më vjen çudi se si Bojkeni besoi tek unë.

Kishte ndonjë arsye për të mos besuar tek ti?
Unë isha një çerre që nuk dija të artikuloja mirë, e veshur keq dhe mendoja se arma më e fuqishme që kisha ishin gjuhët e huaja që dija. Në atë kohë as unë nuk do t’i kisha besuar vetes.

Po tani?
Tani gjërat janë krejt ndryshe. Kam përvojën e shumë viteve dhe një listë programesh të realizuara jo vetëm si prezantuese. Sepse kam kërkuar gjithmonë të jem në brendësi të programit që kam prezantuar dhe nuk kam qenë asnjëherë një prezantuese edhe kaq. Në “Super Model” jam edhe prezantuese, edhe koordinatore; në “Top Fest” edhe prezantuese dhe as. regjisore; në “Big Brother” edhe prezantuese, edhe autore.

Mendon se ia ke zënë rrugën ndonjë prej kolegeve të tua?
Mua dhe kolegeve të mia shanset na u janë dhënë të barabarta, në mos atyre më shumë. Në “Top Fest 1” u zgjodh Evis Mula si prezantuese kryesore dhe unë si dytësore. Dhe në fund, në finale shkova unë në të gjitha edicionet. Më pas unë pak pasur në krah prezantues të tjerë të rinj shumë të aftë, por ishte figura ime që u identifikua me “Top Fest”-in dhe jo vetëm me të, por me çdo program tjetër muzikor në “Top Channel”. Po të kisha dashur t’i kisha zënë rrugën njeriu, unë nuk do isha larguar nga “Top Fest”-i, as nga “Select”-i, as nga “Top Show” muzikor, por gjithmonë kam dashur të eksperimentoj në programe të reja dhe t’u lë shansin prezantuesve të rinj të gjenerojnë ide të reja dhe forma të ndryshme prezantimi. Dhe, ma lejoni mungesën e modestisë, në atë kohë që janë bërë, askush nuk do t’i kishte prezantuar më mirë se unë asnjë nga këto programe.

Shumëkush kërkon të arrijë atë që ke arritur ti. Ka edhe nga ata që gjejnë plot mënyra për t’ia arritur qoftë edhe me ndonjë prapaskenë. Sa herë të kanë thurur intriga?

Ndoshta kjo që do them mund të duket mendjemadhësi, por më beso, nuk është ashtu aspak. E kam filluar profesionin tim që e vogël fare dhe jam rritur këtyre korridoreve. Nuk ma hedh dot njeri.

Po prezanton me Adi Krastën. Ç’do të thotë për ty?
Sigurisht që kjo është diçka që më pëlqen veçanërisht. Kam shumë për të mësuar prej tij.

Nuk ke frikë se mos përfundon duke bërë rolin e kukullës?
Jo. Sepse unë nuk jam kukull. Sepse Krasta nuk më trajton si të tillë. Pastaj unë nuk e kam luajtur ndonjëherë këtë rol kur kam prezantuar me partnerë në skenë.

Pse kaq e fshehur?
Sepse jeta ime është jeta ime – nuk më ka pëlqyer për asnjë moment ta bëj publike, sidomos për hir të njerëzve të mi të dashur.

Është e vërtetë që je e martuar?
Kjo nuk ka kurrfarë rëndësie. Unë jam e dashuruar. Unë bashkëjetoj që prej 7 vjetësh me të dashurin tim.
Bashkëjetesa është tjetër gjë dhe martesa është tjetër gjë.
Në fakt për mua nuk kanë asnjë dallim njëra nga tjetra.

E megjithatë asnjëherë nuk e ke bërë publike lidhjen tënde e as partnerin tënd. Pse?
Së pari, sepse dua të mbaj çdo gjë timen larg syve kureshtarë dhe së dyti, sepse unë respektoj të drejtën e tij për privatësi. Unë nuk jam një personazh që dal në ekran me qëllimin për t’u bërë e famshme në këmbim të jetën sime private. Nuk e kam bërë dhe nuk besoj se do ta bëj ndonjëherë. Të njohur më bën thjesht puna ime. Çdo gjë tjetër që kalon përtej kësaj do të ngelet thjesht çështje personale.

Ja pra, kjo është Arbana!

Gazeta Express


YouTube Preview Image

5