Fillon gjykimi ndaj tetë të pandehurve për krime lufte

March 23, 2009   | Rajoni / Region

fillon-gjykimi-ndaj-tete-te-pandehurve-per-krime-lufteVrasja e refugjatëve në Husaj më 18 prill të vitit 1999 dhe vrasjet e tjera të refugjatëve kosovarë në Malësinë e Rozhajës gjatë muajve mars-qershor të po atij viti sollën bilancin tragjik prej 21 personave të vrarë, në mesin e të cilëve fëmijë, plaka, pleq e të rinj. Drejtësia malazeze tetë vjet pas këtij krimi makabër ka shprehur gatishmëri për ndriçimin e këtij krimi. Akuza ndaj tetë të dyshuarve dhe paraburgosja e tyre kanë ngjallur shpresa tek të afërmit e të dëmtuarve kosovarë se shteti i Malit të Zi është i gatshëm për të zbardhur këtë krim. Po ashtu nga avokatët Velia Muriq dhe Zenel Mekaj kuptojmë së nga Kosova në Gjykatën e Lartë të Bijello Poles do të marrin pjesë afro 30 dëshmitarë dhe familjarë të të dëmtuarve. Ky proces gjyqësor fillon sot dhe kohëzgjatja e tij është e paparashikueshme, pasiqë disa nga të akuzuarit ende ndodhen në liri.
Vrasjet serike grupore dhe individuale të refugjatëve kosovarë para dhjetë viteve sot po shqyrtohen në Gjykatën e Lartë në Bijello Pole. Nga tetë të akuzuarit, në gjykatë do të paraqiten shtatë prej tyre, pasiqë i akuzuari kryesor, ish-komandanti i korpusit të parë të Podgoricës Predrag Pavle Strugar vazhdon të mos u dorëzohet organeve të drejtësisë edhe përkundër pohimeve të avokatit Velia Muriq se i kërkuari vazhdon të strehohet në Serbi. Ndërkaq para kësaj gjykate dhe trupit gjykues që përbëhet nga kryegjyqtari Drago Konotar e ndihmësi i tij Arif Adroviq si dhe tre porotnikë, do të paraqiten të pandehurit Momçillo Bajraktaroviq (54), Petar Llabudoviq (49), Aco Knezheviq ( 43), Petar Llabudoviq ( 49), Branisllav Randiq ( 42), Boro Novakoviq ( 31), Miro Bojeviq (42) e Radomir Gjurashkoviq (45). Aktakuza i ngakon për pjesëmarrje në vrasjen e 21 civilëve shqiptarë nga Kosova në periudhën kohore mars-qershor të vitit 1999, krime këto të kryera në territorin e komunës së Rozhajës. Avokati nga Rozhaja, Velia Muriq të hënën në adresë të kryeministrit malazias z. Millo Gjukanoviq ka dërguar nismën për arritjen e paqësimit gjyqësor për kompensim material të krimit të luftës për 21 familje të dëmtuara. Konkretisht këtë nismë ky avokat e ka dërguar edhe ne Ministrinë e Drejtësisë, në Gjykatën e Lartë, në Prokurorin e shtetit si dhe në Gjykaten Themelore në Podgoricë. Nga burime të sigurta kuptuam se ky dokument u është nisur edhe ambasadave me renome të akredituara në Podgoricë, si ambasadorit amerikan Roderik Moor dhe ambasadorit të Shqipërisë z. Tonin Beci. Përfaqësuesi i familjeve të dëmtuara avokati Muriq mendon që paqësimi gjyqësor për të cilin ka paraqitur iniciativën, është forma më afirmative e përfundimit të kontesteve gjyqësore dhe ka theksuar: “Dhembja të cilën e vuajnë familjet për shkak të krimeve të përjetuara, me asgjë nuk mund të fshihet, e madje as me vendim gjyqësor. Megjithatë, me paqësim gjyqësor, Mali i Zi do të radhitej në radhën e shteteve demokratike të cilat janë të vendosura që në mënyrë objektive të ballafaqohen me të kaluarën, do të tregonte qëndrim të kuptueshëm ndaj kërkesave të arsyeshme të familjeve të dëmtuara, do të jepte shembull të veçantë në rajon dhe do të dëshmonte gatishmërinë konkrete drejt afrimit të popujve të cilët historikisht dhe pashmangshmërisht janë të orientuar drejt njëri tjetrit në këto hapësira” – ka thënë Muriq. Ai ka shtuar se me marrëveshjen për paqësim gjyqësor në masë më të madhe do të arrihet efekti human, kurse Mali i Zi do të radhitej ne radhën e shteteve në të cilat të drejtat njerëzore dhe qytetare të përcaktuara me ligj të të realizohen në nivelin e standardeve më të larta të rregulluara me dokumentet ndërkombëtare nënshkrues i të cilave është Mali i Zi.

Ali Daci
Koha Javore