Modelet e ligjit zgjedhor dhe shqiptarët

March 23, 2009   | Politika

nail-dragaZgjedhjet e parakohshme parlamentare në Mal të Zi
Nga zgjedhjet e para pluraliste(9 dhjetor 1990) e deri më tash në Mal të Zi kanë ekzistuar tre modele zgjedhore nga del se në ketë mjedis nuk ka infrastrukturë stabile zgjedhore e cila është miratuar në parlament sipas interesave të pushtetit, ku pjesëtarët e popujve pakicë vazhdimisht kanë qenë në pozitë të pabarabartë e kjo ka të bëjë sidomos me shqiptarët si e vetmja popullsi josllave në ketë mjedis, sepse ende nuk është realizuar në praktikë përfaqësimi autentik i popujve pakicë apo i pakicave kombëtare.
Siç është i njoftuar opinioni i gjerë nga zgjedhjet e para pluraliste në Mal të Zi(9 dhjetor 1990) e deri më tash, në praktikë janë zbatuar tre modele zgjedhore. Pasi infrastruktura e tillë zgjedhore ka ndryshuar vazhdimisht, del qartë se pushteti ia ka përshtatur vetes në varshmëri të rrethanave aktuale shoqërore.
Edhe pse për mjediset multinacionale sikurse është Mali i Zi ekzistojnë modele të gatshme të njohura si “standarde evropiane”, këtu ende vazhdohet me të vjetrën, sepse kështu i konvenon pushtetit, edhe pse strukturat qeveritare deklarohen verbalisht se do të zbatojnë në praktikë standardet e shoqërive demokratike evropiane. Në rastin konkret, në pozitë më të pavolitshme janë shqiptarët si e vetmja popullsi josllave, të cilët ende nuk e kanë realizuar në praktikë përfaqësimin autentik të popujve pakicë apo të pakicave kombëtare.

Tre modelet zgjedhore

Modeli i parë(1990,1992) tërë territorin e Republikës së Malit të Zi e definonte si një njësi zgjedhore, me sistemin zgjedhor proporcional, ku çdo subjekt politik për të marrë pjesë ne parlament duhej të siguronte 4% të votave të përgjithshme të elektoratit i cili ka dalur në votime. Në një situatë të tillë në pozitë më të pabarabartë ishin pjesëtarët e popujve më të vegjël që këtu trajtohen si pakica kombëtare, sepse nuk kanë elektorat të mjaftueshëm votues për të arritur pragun e nevojshëm për të qenë parti parlamentare. Ne këto zgjedhje(1990) morën pjesë edhe shqiptarët me subjektin e tyre politik-LDMZ por jo si subjekt i vetëm por në koalicion me partinë e boshnjakëve-SDA dhe së bashku fituan 11 deputetë, 4 nga të cilët ishin shqiptarë. Ndërsa në zgjedhjet e parakohshme te vitit 1992, shqiptarët dolën vetëm në zgjedhje me po të njëjtin subjekt politik ku edhe pse fituan 11.508 vota(3.96%) nuk arritën cenzusin e 4%-shit, sepse iu munguan 115 vota dhe mbetën jashtë parlamentit.
Modeli i dytë(1996), dallohej nga i mëparshmi, sepse tash territori I Malit të Zi nuk ishte një njësi zgjedhore, por ai ndahej në 14 njësi zgjedhore. Një veprim të tillë e bëri partia në pushtet(DPS) sepse në saje të gjendjes ekzistuese frikohej se do t’i humbte zgjedhjet, andaj ia përshtati vetes Ligjin e zgjedhjeve. Në krahasim me dy zgjedhjet e mëparshme, ky ligj eliminonte sistemin proporcional, duke eliminuar në ketë mënyrë partitë e vogla dhe duke pamundësuar praninë e tyre në parlamentin republikan.
Një konstatim të tillë e dëshmojnë të dhënat numerike të votave që kanë të bëjnë me dy subjektet politike, PSD dhe PRS. Kështu edhe pse PSD kishte fituar gjithsej 16608 vota apo 5,7% të votave të përgjithshme dhe PRS 12963 vota apo 4,4%, ata mbetën jashtë parlamentit në saje të këtij ligji zgjedhor. Se ky ligj zgjedhor avanconte partinë në pushtet (DPS) dëshmon e dhëna ku edhe pse fitoi 51% të numrit të përgjithshëm të votave ajo mori 63% të mandateve në parlament (45 deputetë), duke përvetësuar 39000 vota të të tjerëve.

Shqiptarët me dy njësi zgjedhore

Ligji zgjedhor i zgjedhjeve të vitit 1996, për shqiptarët paraqiti një risi, sepse në saje të këtij ligji zgjedhor iu mundësohej përfaqësimi i tyre në parlamentin republikan. Kështu, nga gjithsej 14 njësi zgjedhore, për shqiptarët ishin rezervuar dy njësi zgjedhore qe së bashku jepnin katër deputetë. E para përfshinte territorin e Komunës së Ulqinit dhe Krajën deri në Ftjan, dhe e dyta territorin e Malësisë (pa Kojën). Në këto dy njësi zgjedhore, subjektët politike shqiptare (LDMZ, UDSH) fituan gjithsej 9138 vota( apo 3%) duke siguruar katër deputetë, nga dy secili subjekt politik.
Nëse shikohet nga aspekti partiak e sidomos ai kombëtar, ky ligj zgjedhor ishte i përshtatshëm për shqiptarët, sepse iu garantonte përfaqësimin e tyre ne parlament edhe pse kishte mangësitë e veta sa i përket përfaqësimit territorial të vendbanimeve dhe viseve shqiptare në Mal të Zi. Nuk ka dilemë se një veprim i tillë ishte bërë nga partia në pushtet për të fituar pikë politike, sidomos te faktori ndërkombëtar, por nëse analizohet nga aspekti qytetar, ky model i ligjit zgjedhor ishte i papërshtashëm, sepse elimononte jo vetëm subjektet e vogla politike por edhe ato që kishin një elektorat të konsideruar.
Modeli i tretë (1998) i Ligjit të zgjedhjeve ka të bëjë me zgjedhjet e 31 majit të këtij viti, ku kemi rikthim në modelin e mëparshëm (1990), kur përsëri territori i Malit të Zi është një njësi zgjedhore. Ndërsa për popullatën shqiptare kësaj here u gjet kompromisi që shqiptarët të votojnë në 59 qendra votimi ku jeton popullsia shqiptare si popullsi autoktone në pesë komuna në Mal të Zi (Ulqin, Tivar, Podgoricë, Plavë dhe Rozhajë). Edhe pse me ligj nuk është e definuar si njësi e veçantë zgjedhore, pothuaj nga të gjithë nënkuptohet si e tillë.
Ky ligj zgjedhor po ashtu sjell edhe një risi, sepse për pjesëmarrje në parlament subjekteve politike iu zvogëlohet cenzusi nga 4% në 3% të votave të përgjithshme. Një veprim i tillë iu mundësoi subjekteve të vogla politike që të jenë pjesëmarrëse në parlamentin republikan.
Dhe nga ky vit e më pas shqiptarët për deputetët e tyre që do t’i përfaqësojnë në parlamentin republikan votojnë në 59 qendra votimi, ku përveç subjekteve nacionale shqiptare marrin pjesë edhe subjektet e tjera në skenën politike të Malit të Zi. Përjashtim bën këtu e dhëna në lidhje me numrin e deputetëve, që ka ndryshuar në saje të disponimit të shumicës parlamentare. Kështu në vitin 1998 vendvotimet shqiptare jepnin 4 deputetë, në vitin 2001, 5 deputetë, në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2002 u vendos të jenë 4, e në ato të 2006, 5 deputet, sa do të jenë edhe në zgjedhjet e 29 marsit të këti viti.

Mungon përfaqësimi autentik

Me vullnetin politik të shumicës parlamentare u vendos që më 29 mars 2009 të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Por, duke marrë parasysh faktin së nuk është bërë harmanozimi i legjislacionit zgjedhor që është obligim kushtetues, në këtë aspekt më të pabarabartë janë pjesëtarët e pakicave nacionale apo të popujve pakicë në Mal të Zi. Edhe pse një veprim i tillë ka qenë obligues, ndërsa afati i miratimit të tij ka skaduar me 21 prill të vitit 2008, dëshmon qartë joseriozitetin profesional dhe papërgjegjësinë e pushtetit aktual.
Rasti i moshartimit të Ligjit zgjedhor për këshilltarë dhe deputetë është dëshmi e mjaftueshme për mostrajtimin serioz të çështjes së barazisë nacionale dhe qytetare të pjesëtarëve të popujve pakicë në Mal të Zi. Edhe pse në lidhje me këtë çështje nuk mund të amnistohet mospuna e përfaqësuesve të opozitës në grupin punues parlamentar për legjislacionin zgjedhor, nuk ka dilemë së përgjegjësia kryesore bie mbi pozitën. Andaj në zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të votohet sipas ligjit ekzistues, i cili cenon të drejtat e qytetarëve të cilët iu përkasin popujve pakicë në veçanti kur ka të bëjë me përfaqësimin autentik të tyre, ndërsa favorizon shumicën arlamentare aktuale.
Nail Draga
Koha Javore

1