Muhamet Nika: “Ikje nga gënjeshtra”

March 23, 2009   | Intervista / Intervju

muhamet-nika_shprehu-edhe-ti1TËHUAJSIMI I SHQIPTARËVE NGA POLITIKA
Ky titull më ka mbetur në kujtesë nga një shkrim i z. Astrit Lulushi i cili argumenton që edhe Platoni në librin e tij “Për shtetin utopik” ngul këmbë që të paktën brezi i parë i shtetasve duhet të mësojë që njeriu lindi i dobët, por ishte nëna natyrë ajo që e mëkëmbi duke e bërë të fortë. Kështu, pra njeriu duhet të ishte mirënjohës për atë që ia bëri natyra – zotat. Nga ana tjetër gënjeshtra duhej të ishte e vërtetë e përhershme në mënyrë që gjeneratat që vijnë të besonin në të në mënyrë të padiskutueshme, dhe të mos u shkonte ndër mend jo që ta kritikonin të kaluarën e tyre, zotat e tyre, por as mos të dyshonin në të.
Historinë e rregullimit shoqëror shqiptar e kemi të ngulitur si kujtesë kolektive përmes mësimeve të Partisë së Punës ku na duhej të besonim në këngën “Kur lindi partia, lindi drita jonë”. Mirëpo kjo vazhdon, thot eseisti Lulushi, pra gënjeshtra e nevojshme sfidohet nga e vërteta e nevojshme.
Të heshtësh është mençuri, por në këso rastesh pa marrë parasysh të drejtën “Po të jesh në kurthe, e pat puna mbaroi, debakli është afër, por shpresoj se fjala e urtë që thotë se më mirë e njeh budallai shtëpinë e vet, se i mençuri shtëpinë e huaj, mund të ketë në fund të mirën e përgjithshme e që është rezultat i arsyes”. Kështu shprehej njëri nga themeluesit e Lidhjes Demokratike në Mal të Zi në një letër dërguar anëtarëve të kryesisë së LD – së duke u ankuar për mënyrën se si funksiononte në një kohë njëra nga ndërmarrjet publike të pushtetit vendor në Ulqin. E morëm këtë shembull për të dëshmuar se edhe brenda Lidhjes për kohën në fjalë gjatë vitit ’98 pati zëra që mendonin ndryshe, që u shkëputën nga “gënjeshtra e nevojshme” kur u ballafaquan me të “vërtetën e nevojshme”.
Si duket, eksperienca “aha” ekziston në ndërgjegjen e çdonjërit kush do qoftë ai. Ajo është një vetëdije e brendshme, e thellë e së drejtës dhe të së gabuarës. Ajo lind si dëshirë për të korrigjuar dorëshkrimin e gabuar të shkruar mbi bazën e perceptimeve të gabuara.
Viti ’98 shënon mendimin e ri i cili u parapri nga njerëzit e thjeshtë, e që pamë në shkrimin e mësipërm “në muzgun e një nate politike”, ku u cek se disa “anamalas”, “kontrabandistë kufiri”, “policë në pension” dhe “intelektualë të hutuar” u kyçën në politikën e DPS – së në Anë të Malit pasi hetuan që në atë kohë ky opsion ishte më i avancuar se organizimi tjetër. Në këtë kohë duke hetuar edhe shumë rrokopujë të tjera kam ofruar dorëheqje të parevokueshme ngase nuk kam dashur që të jem pjesëmarrës i këtyre nënkëmbëzave. Me këtë në atë kohë nuk kam pasur mendim se dikush mund t’ia kërcasë vetes, por kam menduar se nuk duhet të biem në pozitat e romakëve të vjetër të cilët edhe pse e dinin që gruaja e Cezarit ishte lavire, nuk guxonin ta thonin.
Sot për sot qëndrimi përbuzës e mospërfillës ndaj transparencës krijon përshtypjen që dalëngadalë po biem në nivelin e romakëve të vjetër.
Po si kanë qenë pikëpamjet e disave, personaliteteve të larta të Lidhjes në atë kohë shkëpus mendimin e sekretarit të LD – së z. Nikollë Camaj i cili për gazetën “Kronika” të Ulqinit shprehej kështu: “Fakti se nga partia vazhdimisht ikin individët apo grupet të cilët ishin aktivë edhe në kohët më të vështira dhe largohen në kohën kur nuk ka farë rreziku të jesh pjesëtar i një organizimi të këtillë, dëshmon se diçka nuk është në rregull as brenda subjektit, pra dëshmon se është dashur që të kërkohen edhe mangësitë subjektive, e jo veç ato objektive, siç jemi mësuar “Tjetër, vazhdon Camaj, e vërteta është se kandidatura ime u paraqit, madje edhe pa pëlqimin e z. Bardhi. Deri në momentin e fundit para zgjedhjeve ka tentuar të më bind që të heq dorë nga kandidatura, madje edhe duke më premtuar çdo pozitë tjetër, përpos të kryetarit dhe të deputetit, pasi që këto duket janë të rezervuara për z. Bardhi. Së paku edhe këtë herë. Dhe nuk do të kishte gjë të keqe nëse kjo do të premtonte një të ardhme më të mirë të partisë, por nga e kaluara nuk mund të nxjerrim kësi përfundimi.
I vetmi kusht që e kisha pranuar për t’u tërhequr ka qenë, dhe këtë ia kam shprehur z. Bardhi gjatë drekës, që kryetari i partisë, kryetari i Këshillit Ekzekutiv dhe deputeti të jenë tre persona, e jo një dhe unë nuk do të pretendoj të jem asnjëri nga ata. Këso propozimesh ka pasur edhe prej disa dashamirëve të tjerë të tij dhe të Lidhjes.” Kujtojmë që pas këtij kuvendi largohet edhe z. Doda, kryetar aktual i Bashkimit Demokratik të Shqiptarëve, i cili po duket se me lokalizmin e tij po vazhdon të kundërmojë erë të pakënaqshme edhe pas 10 viteve në vitin 2009 me aleancat e tija të vjetra e të reja.
Them lirisht se nuk ka veprim më jorentabël sesa shpifja e cila bëhet për të nënçmuar të tjerët e për të përfituar vetë apo grupi i vet. Këtë po e them për të përgënjeshtruar disa akuza që vijnë në adresë të veprimeve të tre këshilltarëve të PPD – së po edhe timen personale të drejtuara në këtë stinë të sprovës nga shqiptarizmi i z. Bardhi i cili deklaron që ne u bashkuam me partinë në pushtet duke e çuar ujin këmbë e krye në mullirin e të tjerëve. Si duket z. Bardhi harron se shqiptarët në qoftë se jo të gjithë dinë, atëherë disa të lexojnë qirilicë, dhe për ta parë se si ai e demanton veten, përmendim vlerësimin e tij dhënë gazetës “Dan” të 4 gushtit 2007 në të cilën shprehet kundër veprimit të pushtetit lokal. Në gazetën “Dan” të kësaj date kemi shkrimin me titull: “Shqiptarët nuk punojnë ashtu çka kërkojnë prej të tjerëve” dhe “Nga 24 anëtarët e këshillave drejtuese në 4 ndërmarrjet publike 23 janë shqiptarë, kurse të gjithë janë anëtarë të koalicionit “Për Ulqinin evropian”. Sipas autorit janë të lënë pas dore përfaqësuesit e popullatës ortodokse. Dhe duke përkrahur shqetësimin e gazetarit ai në këtë gazetë shkruan: “Sikur mos t’i kishim të qarta qëllimet e tyre, atëherë me siguri do të kishim mundur të themi: ‘fali o zot se s’dinë çka bëjnë’. Mirëpo ne e shohim se çfarë mendojnë dhe kjo është e palejueshme bashkë me atë çfarë bënë në Ulqin koalicioni “Për Ulqinin evropian”. E kjo nuk është rrugë e mirë”, tërheq vërejtjen z. Bardhi. Pa komentuar arsyet përse ndodhi përjashtimi i PPD – së nga koalicioni shqiptar në Komunën e Ulqinit tërheq vërejtjen që shprehja e tij “fali o zot se s’dinë çfarë bëjnë”, që është një thënie e Krishtit para kryqëzimit nga turma, dëshmon që z. Bardhi duke i ditur qëllimet tona çon dorë nga falja kristiane dhe është i mendimit që ne duhet të kryqëzohemi. Nëse është kështu Bardhi do të duhej të ngjitej në kryq disa herë. Nëse nuk mendon se i duhet bërë hallall ato që bëri me koalicione në vitin ’96 në Ulqin me Liberalët e deri te zgjedhjet e fundit për komunës e Tuzit me parti të serbëve e të proserbëve për të vazhduar deri me moshedhjen e parafit bashkë me deputetin Sinishtaj në dokumentin e qeverisë për integrime evropiane e cila duhej të kalonte në kuvend dhe e cila i hapi rrugë njohjes së pavarësisë së Kosovës. Duket e pabesueshme por kjo është realitet. Ajo që pak më shqetëson në këtë mes ndoshta është indiferenca qytetare e cila e mbështet në heshtje deformimin. A është kjo një heshtje para stuhisë, mbetet të shihet. Arsyeja të nxitë të mendosh se tëhuajsimi i shqiptarëve nga politika e shqiptarëve po vazhdon t’i përngjajë procesit të Kafkës. Kur do të mbushet kupa e krimit me gënjeshtra të nevojshme, nuk mund të vlerësohet, por në prag të Luftës së Parë Botërore, filozofi Niçe pat shkruar disa ese të cilët ushtarët e Luftës së parë i mbanin dhe i lexonin në vijat e para të frontit, ndërsa në to ai shprehej kështu: “Arratisu, o miku im, në vetminë tënde, sepse po të shoh të shpuar nga thumbat e mizave helmuese… Shumë më afër xhuxhave të poshtër rrojte, shmange hakmarrjen e tyre të padukshme. Ata për ty s’kanë tjetër, veç hakmarrje. Mos ngrit dorë mbi ta, janë të panumërt, nuk të takon ty të katandisesh në përzënës mizash”. E kjo filozofi e adaptimit po ngjet edhe në hapësirën tonë shqiptare në Mal të Zi. Fatura e dështimit do të shihet pas zgjedhjeve të marsit. E ne duket se jemi ata që përsëritemi në mënyrë të vazhdueshme.
Muhamet Nika
Koha Javore