Intervistë me Maksut Haxhibrahimin, Doktor i shkencave gjeografike

March 24, 2009   | Intervista / Intervju

maksut-haxhibrahimiValdanosi, një tradhëti e planifikuar
Koha javore: Z. Haxhibrahimi, lidhur me Ullishtën e Valdanosit të ekspropriuar në vitin 1978 për qëllime të ish Ushtrisë Jugosllave kemi të dhëna kontradiktore varësisht nga grupet e interesit. Nga ajo që keni hulumtuar, cila është e vërteta?
M. Haxhibrahimi: Për ekspropriimin e pronës në Ullishtën e Vjetër të Ulqinit në Gjirin e Valdanosit nuk u kompensua rrënja e ullirit, por as toka e ullishtës në formë reale me të holla. Pagesa e të hollave ka qenë nën vlerën e tregut, duke ditur se nuk ka çmim që ka mundësi ta paguajë ullishtën në fjalë. Kompensimin e Ullishtës së Valdanosit e kanë bërë organet shtetërore të asaj kohe, ata që kanë bërë edhe eksproprimin e ullishtës, duke i tradhëtuar ish pronarët e Ullishtës me pretekstin se në kompleksin e Valdanosit do të ndërtohen objektet ushtarake – baza ushtarake, me interes për nevojat ushtarake dhe për mbrojtjen e atdheut.
Pak më vonë u dëshmua se kjo ishte një tradhëti e planifikuar nga ana e organeve shtetërore të asaj kohe, sepse në lokalitetin e Valdanosit ishte planifikuar ndërtimi i objekteve hoteliero-turistike, gjegjësisht pushimoreve ushtarake të tipit të hapur.
Për këtë arsye, duke menduar se Ullishta e Ulqinit po merret për nevoja ushtarake me qëllim të ndërtimit të bazës ushtarake, ish pronarët nuk janë ankuar për sasinë e kompensimit në të holla, sigurisht kompensim i padrejtë dhe joreal kur dihet vlera e Ullishtës në lokalitetin e Valdanosit.

Koha javore: Parlamenti i Malit të Zi ka miratuar Ligjin mbi kthimin e pronave. Madje pranë komunave janë krijuar edhe komisione për kthimin e pronave. Pse nuk u kthehet atëherë prona pronarëve të Ullishtës?
M. Haxhibrahimi: Baza juridike për kthimin e pronës së marrë është në përmbajtjen e neneve 3, 14, 15 dhe 17, të Ligjit mbi kthimin e të drejtave të marra pronësore, i botuar në Gayetën Zyrtare të RMZ, numër 21, më 31 mars 2004.
Kështu, në nenin 3 të Ligjit mbi kthimin e të drejtave të marra pronësore shkruan në mënyrë decide për “ish pronarët që kanë të drejtë të kërkojnë kthimin në harmoni me këtë ligj në rast se të drejtat e tyre pronësore janë të marra në dobi të së mirës së përgjithshme popullore, të pronësisë shtetëtore apo pronësisë shoqërore, pa kompensim të drejtë të tregut”.
Kur është fjala për sendet e patundshme, për këtë flet neni 14 dhe 15, i Ligjit të përmendur më sipër.
Neni 14 i Ligjit mbi kthimin e të drejtave të marra pronësore, thotë, citoj “sendet e patundshme u khehen ish pronarëve në harmoni me këtë ligj”. Kur është fjala për ullishtë, pyje dhe tokën pyjore do të citoj nenin 15, i cili thotë: “Ullishtat e marra, pyjet dhe pronat tokësore u kthehen ish pronarëve në rast se me këtë ligj nuk është përcaktuar ndryshe”.
Kur flitet për tokën ndërtimore të pandërtuar, për këtë bën fjalë neni 17 i këtij ligji. Në të në mes tjerash shkruan: “Toka ndërtimore e pandërtuar që kaloi në pronësinë shtetërore u kthehet ish pronarit në rast se me këtë ligj nuk është ndryshe e përcaktuar”.
Lidhur me këtë nen (neni 17) mund të jap një koment të shkurtër. Për këto 31 vjet që Ullishtën e Ulqinit e ka pasur në pronësi ish Ushtria e Jugosllavisë, më pas ajo e SMZ-së, kurse sot Qeveria e Malit të Zi, në lokalitetin e Valdanosit janë ndërtuar disa objekte të vogla hoteliero-turistike, në afro dhjetë për qind të sipërfaqes së Ullishtës së marrë në lokalitetin e Valdanosit. Të gjitha këto objekte ndodhen pranë bregut të plazhit.
Sipërfaqja më e madhe e Ullishtës së ekspropriuar ka mbetur e pashfrytëzuar dhe që prej kohës kur është marrë e deri tani, në të nuk ka shkelur këmba e njeriut. Gjatë kësaj periudhe pothuajse shumica e ullinjve janë tharë dhe ky lokalitet është shndërruar në pyll.
Prandaj, meqenëse qëllimi i ekspropriimit nuk është realizuar, janë plotësuar kushtet për deekspropriim në bazë të nenit 30, paragrafi 2, i Ligjit mbi ekspropriimin. Pra, në këtë moment kemi në disponim dy ligje, Ligjin mbi kthimin e të drejtave të marra pronësore dhe Ligjin mbi ekspropriimin.

Koha javore:
Qeveria e Malit të Zi ka paralajmëruar se së shpejti do të hapet tenderi për dhënien e Valdanosit, ndërkohë që kanë thënë se ish pronarët do të lejohen të punojnë Ullishtën. Si Ju duket kjo zgjidhje? Sa e drejtë dhe sa e realizueshme është kjo?
M. Haxhibrahimi: Lidhur me tenderin që pritet ta shpallë Qeveria e Malit të Zi apo më saktësisht me Studimin e lokacionit të Valdanosit, më 16 janar të këtij viti, në sallën e madhe të Komunës së Ulqinit, është mbajtur shqyrtimi publik ku janë dhënë shumë vërejtje.
Vërejtjet kryesore lidhur me projektin e studimit në fjalë kanë qenë këto:

  • 1. Projekti i studimit të lokacionit të Valdanosit të tërhiqet nga procedura, të mos pranohet ky studim, derisa të përfundojë mosmarrëveshja juridiko-pronësore, pra proceset e nisura gjyqësore në gjyqet e Malit të Zi dhe Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg.
  • 2. Objektet hoteliero-turistike që janë propozuar të ndërtohen në Valdanos me studimin e lokacionit të dislokohen në kodrën e Mendrës. Në këtë mënyrë do të shmanget shkatërrimi apo devastimi i Ullishtës së Vjetër të Ulqinit në Valdanos.

Për opinion mbase është me rëndësi të dijë disa nga arsyetimet e përpunuesit të studimit.

  • 1. Në faqen 35, përpunuesi ka sugjeruar: “Është e nevojshme që Ministria për zhvillimin ekonomik së bashku me komunën e Ulqinit, të rregullojnë sa më parë çështjet apo problemet me tokën e Ullishtës, që të pengohen spekullimet e panevojshme dhe shumë të shtrenjta në nivelin vendor dhe ndërkombëtar”.
  • 2. Në fq. 37 thuhet “Sipërfaqja e Valdanosit me plazhin është renditur si përmendore natyrore sipas Vendimit të Entit Republikan për Mbrojtjen e Natyrës, nr. 30, nga viti 1968”.
  • 3. Në fq. 73 thuhet “Në bazë të Ligjit mbi ullishtari (Fleta Zyrtare e RMZ, nr. 55, e vitit 2003), ullishta si e mirë me interes të përgjithshëm, gëzon mbrojtjen e veçantë dhe shfrytëzohet sipas kushteve që janë vendosur me këtë ligj dhe me urdhrin që është aprovuar në bazë të këtij ligji”.
  • 4. Në fq. 75 shkruan se “Në bazë të Ligjit mbi mbrojtjen e natyrës, në zonën e gjerë të lokacionit të Valdanosit me 3 hektarë tokë, dhe Ullishta e Valdanosit, e mbrojtur nga viti 1968, si përmendore e natyrës”.
  • 5. Në fq. 83 thuhet: “Ullishta e Valdanosit, në harmoni me Ligjin e Ullishtarisë (Fleta zyrtare e RMZ, nr. 55, viti 2003, si dhe për arsye të veçanta të vlerave ambientale, është ndarë si zonë e veçantë për shfrytëzimin e tokës”. Ky kompleks gëzon mbrojtjen në harmoni me programin e mbrojtjes së veçantë të ullirit që e sjell ministria përkatëse, me propozim të institucionit shkencor”.

Duhet thënë se përpunuesi i Studimit në fjalë nuk ka marrë parasysh këto arsye:

  • 1. Vendimin e ekspropriimit nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes së ish Jugosllavisë, të vitit 1978, të Ullishtës së Valdanosit, që u mor nën presionin politik dhe psikologjik të regjimit komunist, i cili e mashtroi popullin, pikërisht pronarët, duke thënë se në Valdanos do të ndërtohet “Baza ushtarake”, si një formë e veçantë e presionit, që s’ka guxuar të kundërshtohet nga ana e pronarëve.
  • 2. “Baza ushtarake” as ka filluar të ndërtohet, që dëshmon se Ullishta e Valdanosit nuk e ka arritur qëllimin e destinimit për çka edhe është ekspropriuar.
  • 3. Ullishta e Valdanosit nuk e arriti qëllimin e caktuar dhe për këtë arsye është obligim në bazë të Ligjit mbi ekspropriim që prona e marrë t’u kthehet pronarëve.
  • 4. Ullishta të kthehet në bazë të Ligjit mbi ullishtari për arsye se Ullishta e Valdanosit është e mbrojtur me ligj, që do të thotë se është e nevojshme të trajtohet si tokë bujqësore, kurse Studimi i propozuar e ndërron në mënyrë kundërligjore destinimin e përcaktuar duke e shndërruar në tokë urbane ndërtimore. Me këtë studim rreth 30% e hapësirës së Valdanosit ku ndodhet Ullishta është e paraparë për ndërtimin e objekteve hoteliero-turistike.
  • 5. Ullishta e Valdanosit t’u kthehet ish pronarëve për arsye se Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka miratuar vendimin që prona e ekspropriuar t’u kthehet ish pronarëve.
  • 6. Ullishta të kthehet edhe në bazë të Ligjit mbi kthimin dhe zhvlerësimin e të drejtave pronësore.
  • 7. Të bindur se në Gjykatën Ndërkombëtare në Strasburg, pronësia e ish pronarëve të Ullishtës do të kthehet dhe do të shkaktojnë shpenzime plotësuese dhe të panevojshme.

Koha javore: Në Planin Hapësinor Ullishta e Valdanosit është e ndarë në gjashtë zona. Cili është qëllimi i kësaj ndarjeje?
M. Haxhibrahimi: Është e vërtetë se në Planin Hapësinor, Ullishta është e ndarë në gjashtë zona: zona A, B, C, D-D1, E dhe F (zona e Ullishtës). Më lejoni të sqaroj shkurtimisht.
Zona A paraqet prapavinë e Plazhit, ku planifikohet kompleksi i objekteve turistike, me sipërfaqe prej 10.8 ha. Brenda kësaj zone përcaktohen 3 parcela urbanistike, siç janë: parcela urbanistike nr. 1, me sipërfaqe prej 30 034 m2, parcela nr. 2, me sipërfaqe prej 5 206 m2 dhe parcela nr. 3, me sipërfaqe 67 077 m2, në të cilat planifikohen të ndërtohen objekte turistike, që direkt depërtojnë me sipërfaqe të madhe në zonën e Ullishtës që e ka sipërfaqen prej 56 ha.
Në këtë zonë – Zona A, ndërmjet tjerash është planifikuar edhe një rezervoar për vaditje (thuase është e nevojshme të vaditet ullishta shekullore).
Në krahasim me planin e mëparshëm, kur zona A dhe zona C kanë qenë pjesë të veçanta të përfshira me këtë plan, e ashtuquajtur Zona e kuqe, tani, me Planin e ri Hapësinor, Zona A është ndarë dhe prej saj është formuar zona B dhe në mes tyre ndërhapësira, jashtë këtyre dy zonave, d.m.th. në mes zonës A dhe B, sipërfaqe me ullinj, jashtë sipërfaqes së planifikuar për ndërtim.
Kjo hapësirë është brenda zonës së Ullishtës, jo e përfshirë në zonën A dhe B, duke menduar se këtë hapësirë të lirë, të jetë si zonë e rezervuar për interesa të veçanta.
E njëjta gjë është edhe me zonën C, që u nda prej saj dhe u formua zona D-D1, dhe po ashtu, zona D-D1 dhe zona E (Mendra), depërtojnë në zonën A dhe nëpër të në zonën e Ullishtës – zona F.
Zona B – përfshin pjesën veriperëndimore të Ullishtës, prej restorantit e deri rrëzë Mavrijanit.
Sipas Studimit të Lokacionit për Valdanos, zonat e përmendura kanë këtë sipërfaqe: Zona A – 269 000 m2, Zona B – 42 000 m2, Zona C – 30 000m2, Zona D-D1 41 000 m2, Gjithsej 383 000 m2. (Zona E – 182 ha, gjithsej 565 ha sipërfaqe).
Sipas Studimit të Lokacionit për Valdanos, në fq. 40 të tij shkruan se: “Sipërfaqja e përfshirjes është 346 ha, kurse pesha apo bruto siprfaqja ndërtimore është 44 800 m2.
Këto numra që paraqiten në Studimin e Lokacionit për Valdanos nuk janë identike me siprëfaqen e zonave breda lokacionit të Valdanosit, që paraqiten në këtë studim, për pjesën e qëllimit të hapësirës.
Sipërfaqja e përfshirjes në Valdanos është 346 ha, kurse sipërfaja në plane hapësinore duke përfshirë zonat A, B, C, D-D1 është 383 ha, çka do të thotë se dallimi është 37 ha, pa llogaritur sipërfaqen e Zonës E, që përfshin sipërfaqen prej 182 ha, që do të thotë se ky Plan hapësinor përfshin sipërfaqen prej 565 ha, e jo siç paraqitet në Studimin e Lokacionit 346 ha, çka do të thotë se ekziston ndryshimi prej 219 ha, që nuk përfshihen në këtë lokacion, ose që nuk ndërtohet asgjë, por paraqet hapësirë të lirë, apo nuk hyn në sipërfaqen e përfshirjes së lokacionit të Valdanosit.

Koha javore: A kanë bërë sa duhet pronarët e Ullishtës dhe përfaqësuesit e tyre, a i kanë shfrytëzuar të gjitha rrugët ligjore për kthimin e ullishtës? Si e shikoni Ju zgjidhjen apo rezultatin përfundimtar të çështjes së Ullishtës së Valdanosit duke pasur parasysh qoftë Studimin e Lokacionit apo edhe vendimet e tjera të Qeverisë së Malit të Zi lidhur me Valdanosin?
M. Haxhibrahimi: Këshilli për Kthimin e Pronës së Valdanosit, anëtar i të cilit jam, prej vitit 1997 ka pasur takime, bisedime lidhur me kthimin e pronës së Valdanosit. Normalisht ne i kemi bërë ankesat brenda Malit të Zi, në gjyqet e Malit të Zi, kemi pasur kontakte me Qeverinë e Malit të Zi, gjegjësisht ministrin e Bujqësisë. Por deri tani nuk ka asnjë përgjigje pozitive.
Dua të rikujtoj se në vitin 1997 është marrë vendimi që Ullshta e Valdanosit të përfshihet në zonën e të Mirave Detare. Me këtë rast, kemi njoftuar qytetarët dhe opinionin, si dhe në shtyp.

Bisedoi: I. Kallaba
Koha Javore


2