Mali i Zi, lamtumirë euforisë ekonomike

March 26, 2009   | Ekonomia / Ekonomija

budva-mali-i-ziNjë heshtje e pazakontë mbretëron në dhjetëra kantiere ndërtimi përgjatë bregdetit të Adriatikut në Malin e Zi, pasi vendi është goditur drejtpërdrejt nga kriza imobiliare, pas periudhës euforike që solli pavarësia. Në Zavala, në periferi të Budvas, një nga plazhet më të famshme të Malit të Zi, gjithçka është ndërprerë për ndërtimin e një fshati turistik, pasi investitorët rusë janë përballur me krizën financiare dhe ekonomike. Edhe në vende të tjera, kantieret janë braktisur dhe apartamentet gati për t’u dorëzuar presin më kot pronarët e tyre. Agjencitë imobiliare po bëjnë përpjekje të shesin rreth 4.000 apartamente në tregun e Budvas dhe rreth 10.000 të tjera në Podgoricë. Që nga viti 2007, çmimet e apartamenteve në bregdetin e Adriatikut kanë rënë 50 për qind dhe 20 për qind në Podgoricë. “Kam shitur vetëm një pronë të vetme në nëntë muaj, ndërkohë që ‘boom’-i më i madh imobiliar ka qenë kur kam shitur tetë pasuri në ditë”, – thotë Dushan Stankoviç, agjent imobiliar. Dushan Stankoviç është detyruar të shesë agjencinë e tij “Some place else” në Kotorr, qytet i çmuar nga blerësit e huaj dhe i vlerësuar nga UNESCO-ja. Agjencia e tij punonte kryesisht me klientët e ardhur nga Britania e Madhe dhe Irlanda, të cilit i kanë blerë rreth 250 pasuri të patundshme në vitet 2006-’07. Edhe rusët, të cilët blinin apartamente pa pyetur për çmimin, tashmë janë pakësuar. Ajo që u quajt “invazioni rus” në Malin Zi kontribuoi ndjeshëm në rritjen e kërkesës dhe uljen me shpejtësi të çmimit. Çmimi i apartamenteve dhe i tokave arrinte nga 3.500 deri në 10.000 euro për metër katror. Por këto muajt e fundit, çmimi i një metri katror në Budva ka zbritur në 1100 euro dhe klientët që janë të gatshëm të paguajnë në dorë, kërkojnë një zbritje të çmimit me 300 euro për metër katror. Kriza imobiliare ka ndërprerë aktivitetin e ndërtimeve dhe industrisë që luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit i cili, që nga shpallja e pavarësisë, është përballur me probleme financiare. Çmimet mund të ulen akoma për shkak të ofertës nga mungesa e investimeve dhe ndërprerja e kredive bankare për blerjen e pasurive të patundshme. Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikoi një rritje me 2 për qind gjatë këtij viti për Malin e Zi.

Gazeta Shqiptare

1