Video – Mali i Zi, të dielën zhvillon zgjedhjet e parakohshme
Mali i Zi shkon në zgjedhje të përgjithshme ditën e dielë. Nuk pritet ndonjë surprizë në këto votime të parakohshme, pasi sondazhet tregojnë se sërish do të fitojë shumicën e votave koaliocioni i kryeministrit Gjykanoviç
PODGORIC- Mali i Zi shkon në zgjedhje parlamentare ditën e dielë. Megjithatë nuk duket se do të ketë ndonjë surprizë në rezultatin e zgjedhjeve të parakohshme në shtetin më të vogël Ballkanik me 670 mijë banorë. Pritet që sërish shumicën e votave ta marrë koalicioni qeverisës i Malit të Zi, i drejtuar nga kryeministri Milo Gjykanoviç.
Sondazhet thonë se koalicioni i tij “Për një Mal të Zi Europian”, kryeson me 50 për qind të votave. Dhe në fakt Gjykanoviç ka dominuar të gjithë jetën politike të këtij kombi ballkanik për dy dekada. Ishte Gjykanoviç që realizoi ëndrrën e malazezëve për një shtet të pavarur nga Serbia dhe është ai figura e vetme tek i cili banorët e këtij shteti besojnë se do t’i udhëheqë drejt integrimit në Bashkimit Evropian. Në fakt, qeveria e Gjykanoviç ka premtuar se do të luftojë edhe krizën ekonomike aktuale që ka përfshirë të gjthë botën. Pas zgjedhjeve të 2006, partitë politike ranë dakord që të mbanin zgjedhjet të tjera në fund të 2009, por qeveria vendosi ta afrojë datën e zgjedhjeve për më 29 mars, duke thënë se rruga e anëtarësimit në Bashkimin Evropian kërkon një qeveri dhe parlament plotësisht funksional.
“Ja përse vendosëm për zgjedhje të përgjithshme. Vendosëm për 29 mars dhe besojmë se më 30 mars, vullneti i qytetarëve të Malit të Zi do bëhet i ditur”, tha GJykanoviç gjatë një mitingu në Budva, në qytetin më të madh turistik që i ka dhënë dhe një zhvillim ekonomisë së këtij vendi.
Partia kryesore opozitare Socialiste nuk ka arritur sukses të bashkojë opozitën, por në fushatë ka thënë se Gjukanoviç po bën premtime, gënjeshtra. Lideri i kësaj partie Serdjan Milic u ka bërë thirrje qytetarëve të mos gënjehen.
Ndërkohë në votime garojnë dhe 6 parti shqiptare, të përçara dhe secilia bën fushatë më vete. Shqiptarët janë të përqendruar në qytetin jugor të Ulqinit.
Që një parti të fitojë një vend në parlament duhet të marrë votat e të paktën 2500 zgjedhësve. Në Mal të Zi jetojnë 30 mijë shqiptarë dhe në rast se ata të gjithë do të votonin për një parti të vetme, shqiptarët do të kishin mundësi të përfaqësoheshin në këtë parlament. Por fakti që partitë shqiptare garojnë më vete, do t’i kushtojë shumë edhe qytetarëve shqiptarë. Prej kohësh shqiptarët ankohen se në zonat ku ata jetojnë investimet e qeverisë janë shumë të ulëta. Republika e Malit të Zi ka vështirësi ekonomike dhe së fundi qeveria ka kërkuar një ndihmë prej 200-300 milion euro nga Fondi Monetarë Ndërkombëtarë.
(a.r/news24/balkanweb)





