Definicioni i absurditetit, “ vepro njësoj por kërko rezultate te ndryshme

March 30, 2009   | Shoqëria / Društvo

levizja-e2809catdheu-na-bashkone2809dËshtë shqetësuese, por jo e papritur, që në këtë kohë parazgjedhore faqet elektronike te forumeve mbushen me zhurmë plote akuza, kundër-akuza, fyerje dhe kërcënime nga individët qe gjejnë strehim dhe kamuflazh nën pseudonime të ndryshme. Një numër i tyre përdorin këto forume për të larë hesape personale të cilat në shumë raste përfundojnë edhe ne sharje dhe kërcënime. Por nuk mungojnë as postime plot gënjeshtra me qëllim për të krijuar kaos dhe për të keqësuar akoma më shumë gjendjen e popullit shqiptar në Mal të Zi. Ne shënjestër te kësaj loje, ne veçanti, është vendosur Malesia. Qëndrojmë te bindur që në mes të këtyre personave anonimë, ekzistojnë protagonistë që punojnë nën direktivat e atyre që ju intereson asimilimi i Malësisë dhe i popullit shqiptar në Mal të Zi.
Kohët e fundit në shënjestër të këtyre sulmeve është vendosur edhe Lëvizja “Atdheu na Bashkon”, ndaj se cilës janë postuar dezinformacione dhe gënjeshtra të kulluara duke fajësuar Lëvizjen për kaosin që është krijuar, duke bërë edhe kërcënime ndaj personaliteteve të Lëvizjes. Këta “intelektualë” që postojnë këso lloj kërcënimesh duhet ta kuptojnë se në bazë të ligjeve ata mund te zbulohen. Por fatmirësisht, deri tani nuk kemi pasur nevojë të marrim ndonjë hap legal, sepse e kemi të qartë se kush janë këta zotërinj që po lozin këtë loje te ndyrë, që përmes sulmeve ndaj Lëvizjes të fshehin realitetin e dështimit total të veprimtarisë se tyre për popullin tonë.
Sulmet ndaj Lëvizjes, nga disa qarqe te caktuara, nuk është një fenomen i ri, këto kanë filluar mbi një vit më parë.
Po ta bëjmë një analizë të zgjeruar pse Lëvizja “Atdheu na Bashkon” sulmohet, anëtarët e së cilës nuk kanë asnjë përfitim personal por përkundrazi, me Lëvizjen shpërndajnë djersën e tyre, nuk është vështirë të arrihet ne një konkluzion logjik dhe faktual pse dikujt i pengon prezenca e LAB-it.
Aktivitetet e Lëvizjes përmes zyrës ne Tuz janë të orientuara në monitorimin dhe mbrojtjen e të Drejtave të njeriut dhe pakicave kombëtare. Kjo zyrë respektohet dhe përkrahet nga Shtetet e Bashkuara. Zyra është e autorizuar nga shteti i Malit të Zi.
Si shembull, gjate 60 ditëve të fundit, kjo zyrë ka arritur të ndihmojë lirimin nga burgu të dy shqiptarëve nga Shqipëria, ka intervenuar me sukses në incidentin e Hanit të Hotit ku autoritetet në doganë konfiskuan aparaturën e gazetarëve të Top Channel-it. Janë bërë vizita te të burgosurit dhe me këmbëngulje është insistuar në përmirësimin e disa kushteve për mirëqenien e tyre, etj. Ndërsa aktivitetet tona në SH.B.A. vazhdojnë me konsolidimin e Diasporës. Si shembull ishte përkujtimi i Përvjetorit të Parë të Pavarësisë se Kosovës dhe mirënjohja Universitetit të Prishtinës për kontributin e dhënë popullit shqiptar në Mal të Zi. Por nuk mungojnë as komunikimet e vazhdueshme me faktorin ndërkombëtar.
Këto janë vetëm disa nga aktivitetet gjatë 60 ditëve të fundit. Por, po të bëjmë një vëzhgim mbrapa, angazhimi i Lëvizjes nuk ka munguar në tentimin e bashkimit të forcave politike shqiptare, duke filluar nga viti 2006, ku u arrit një koalicion në Ulqin mes katër partive politike shqiptare. Për korrektësi duhet përmendur që UDSH-ja refuzoi të marrë pjesë në këtë takim të organizuar nga Lëvizja.
Ky koalicion fitoi mazhorancën në Ulqin, formoi një qeverisje të mirëfilltë lokale e cila filloi të funksionojë në nivel profesionist, duke kërkuar të drejtat legjitime të banorëve të kësaj komune. Por fatkeqësisht, nga interesat personale të disa individëve dhe nga disa fërkime ndërpartiake, opozita arriti të ndalojë hovin e asaj pune të mirëfilltë që kishte filluar.
Vallë, mos këto janë arsye që të sulmohet Lëvizja? Logjika dhe ndërgjegjja njerëzore thotë jo!
Pra, për ç’far arsyeje mund të fajësohet Lëvizja?
Mos është faji i Lëvizjes “Atdheu na Bashkon” që nga një parti politike shqiptare që në një kohë fitonte mbi 12,000 vota, sot elektorati shqiptar është i shpërndarë në 9 parti politike, gjashtë prej tyre shqiptare?
Mos është faji i Lëvizjes qe mbi 40% të popullatës shqiptare votojnë për partitë malazeze?
Mos është faji i Lëvizjes që po uzurpohen tokat shqiptare në bregdetin e Ulqinit, Valdanosi, Ada, Kriporja, pyjet e Plavës dhe Gucisë, fushat pjellore te Malësisë, qe tani shfrytëzohen dhe nga këto profite asnjë qindarkë nuk shkon ne interesin e qytetarëve?
Mos është faji i Lëvizjes që papunësia te shqiptarët është shumë më e lartë në krahasim me popujt e tjerë, që punësimi proporcional në sektorin qeveritar është nën 1%, që shkollimi në gjuhën shqipe po degradohet dita-ditës, që në tërë Malin e Zi nuk ekziston asnjë gjykatës dhe asnjë prokuror shqiptar?
Mos është faji i Lëvizjes që Malësia sot është nën lëmoshën e Mugoshës, ku asnjë kalem nuk mund të blihet pa aprovimin e tij.
Mos është faji i Lëvizjes që edhe fshatrat puro shqiptare, që kanë ekzistuar me shekuj, tani po bëhen tregti për ndryshimin demografik, pra asimilimin e shqiptarëve?
Mos është Lëvizja për t’u fajësuar që gjendja e popullit shqiptar në Mal të Zi po keqësohet dita-ditës? Që shqiptarët janë më keq sot se kanë qënë gjatë 15 viteve të fundit?
Me këto pyetje mund të vazhdojmë aq sa të mbushen disa faqe!
Jo, Lëvizja nuk mund të marrë asnjë përgjegjësi, por përgjegjësia e plotë e këtij kaosi ngelet plotësisht në supet e liderëve dhe partive politike të cilat, ose nuk janë interesuar ose nuk posedojnë kompetenca për të vepruar në interes të popullit tonë.
Pse, gjatë vitit të fundit, në veçanti në këto momente parazgjedhore, sulmohet Lëvizja nga disa qarqe të caktuara në Mal të Zi, por edhe nga disa apostuj të tyre në ShBA?
Jam i bindur që zanafilla e kësaj përgjigje qëndron në faktet se Lëvizja ka refuzuar të përkrahë ndonjë parti politike mbi baza “historike” ose në bazë të personaliteteve të këtyre partive që, për çudi, kanë arritur në konkluzion se pozitat e tyre duhet të jenë të përjetshme.
Duke e parë se bashkimi i spektrit politik shqiptar në Mal të Zi, nën lidershipin e tanishëm, është i parealizueshëm, Lëvizja do të përkrahë vetëm e vetëm sukseset e arritura për të përmirësuar gjendjen e popullit tonë, qoftë nga individët qoftë edhe nga partitë politike.
Disa zotërinjve dhe partive politike ky vendim nuk ju pëlqen sepse po të bëhet një analizë e thjeshtë, të themi gjatë tri viteve të fundit, ne nuk gjejmë asnjë sukses të përfaqësuesve tanë politikë në Parlamentin e Malit të Zi, me përjashtim të deputetit Vasel Sinishtaj i cili arriti të realizojë disa kërkesa dhe amendamente me një angazhim energjik në Komisionin e Venecisë. Zoti Sinishtaj arriti të realizojë edhe një marrëveshje politike që do të sillte referendumin për Komunën e Malësisë, por fatkeqësisht edhe ky angazhim u sabotua. Personalisht jam shume i impresionuar edhe me nivelin dhe kuadrot organizative dhe funksionale te Forcës se Re Demokratike.
Sulmet e drejtuara ndaj Lëvizjes kanë për qëllim izolimin e saj që të mos kyçemi në këto diskutime, sepse paraqitja e realitetit në shesh mund të lëkund disa karrige goxha të majme që i siguron qeveria.
Lidershipi dhe nacionalizmi i vërtetë bazohet në disa parime qe renditja e tyre, në bazë të prioriteteve, nuk ngatërrohet. Këto parime renditën si vijon:

  • 1. Kombi.
  • 2. Populli (elektorati)
  • 3. Vizioni i qartë që përputhet plotësisht me aspiratat e popullit.
  • 4. Pasioni dhe përkushtimi për sukses.
  • 5. Partia politike
  • 6. Dhe ne fund mund të jetë ndonjë karrige (pozitë)

Fatkeqësisht, tek shumë liderë, por këtu duhet fajësuar edhe elektoratin, evidentohen parimet e ngatërruara dhe renditen si vijon:

  • 1. Karriga (pozita)
  • 2. Karriga (pozita, e vendosur dy herë me qëllim)
  • 3. Kompleksi fisnor dhe krahinor.
  • 4. Kompleksi princor (unë dhe asnjë tjetër)
  • 5. Partia politike
  • 6. Dhe ndonjë karrige për ndonjë mik.

Më 4 nëntor, 2008, populli amerikan zgjodhi presidentin e ri. Nëse administrata e presidentit Obama nuk arrin të përmirësojë situatën brenda katër vitesh, populli amerikan do të zgjedhë një administratë të re, deri në atë kohë kur të gjendet një Ronald Reagan, John F. Kennedy ose një Roosavelt i ri.
Ky është një proces që ka funksionuar dhe akoma funksionon në tërë botën demokratike. Fatkeqësisht, tek shqiptarët në Mal të Zi ndoll e kundërta. Premtimet bëhen por nuk mbahen, derisa gjendja keqësohet dita-dites! Konsekuenca është rizgjedhja e personave të njëjtë, dhe pikërisht këtu është edhe zanafilla e sulmeve ndaj Lëvizjes, sepse ne qëndrojmë me bindje, e cila përkrahet edhe nga logjika, që nëse nuk ndryshon veprimi, por edhe individët që veprojnë, pasojat do të jenë të njëjta, që çojnë drejt asimilimit eminent të popullit tonë.

Autori është kryetar i Lëvizjes “Atdheu na Bashkon”
Gjon Lulgjuraj / Floridë
Koha Javore