Diaspora Shqiptare: Nuk ka qëllim ti dirigjojë votuesit

March 30, 2009   | Shoqëria / Društvo

levizja-e2809catdheu-na-bashkone2809dNuk ka qëllim ti dirigjojë votuesit
Duke parë disa shkrime dhe debatime të një anëtari te bordit drejtues te lëvizjes “Atdheu na Bashkon”, në faqen e internetit “malesia .org,” të këtyre ditëve dhe spekulimet qe ai bën, duke favorizur një parti politike shqiptare, gjegjësisht një listë zgjedhore shqiptare dhe duke sulmuar partitë e tjera, ne të poshtëshënuarit, për hir të së vërtetës, e pamë të arsyeshme që t’ju shpjegojmë lexuesve të nderuar të kësaj faqeje në internet si dhe mbarë opinionit të gjerë publik, se cilat ishin qëllimet e vërteta të formimit të kësaj lëvizjeje, të cilën e formuam para dy vitesh këtu në mërgim. Ne si iniciatorë themelues të saj deklarojmë sa vijon:
Lëvizja “Atdheu na Bashkon”, është formuar për bashkimin dhe bashkëveprimin e shoqatave, asociacioneve, veprimtarëve dhe aktivistëve me vlera kombëtare të shqiptarëve që vinë nga Mali i Zi, që jetojnë dhe punojnë këtu në SHBA, me një qëllim të vetëm – të jemi një zë i përbashkët për hallet dhe problemet e shumta që kanë vëllezërit dhe motrat tona në vendelindje.Duke vepruar kështu, kemi menduar që sadopak do të ndikojmë që edhe partitë politike shqiptare atje, të gjejnë një gjuhë të përbashkët dhe të paktën të afrohen mes veti, që duke i harmonizuar dhe njësuar disa nga qëndrimet divergjente të tyre, të punojnë bashkërisht në zgjidhjen e probleme madhore kombëtare. Një ndër qëllimet kryesore të Lëvizjes ishte edhe ideja që Diaspora dhe partitë politike shqiptare në atdhe, të dalin së bashku me një platformë politike të përbashkët për shqiptarët në Malin e Zi (një gjë që mjerisht nuk u realizua deri sot). Ne jetojmë këtu në Amerikë dhe asnjëherë nuk e kemi pasur dhe nuk kemi për qëllim t`i dirigjojmë votuesit shqiptarë atje, se çfarë të bëjnë, e për kë të votojnë. Por, as të ndërhyjmë prej këtu me dirigjime e udhëzime në formimin e kualicioneve të ndryshme dhe t’ju sugjerojmë apo të apelojmë të përkrahim këtë apo atë kandidat, të kësaj apo asaj partie. Për ne nga diaspora duhet të jetë primare që të apelojmë te votuesit, familjet dhe të afërmit tonë që jetojnë atje, që ata të votojnë për partitë shqiptare, dhe përfaqësuesit e tyre. Atyre dhe vetëm atyre duhet t’ju jipet vota, dhe ne duhet t’ju urojmë suksese në këto zgjedhje të 29 marsit, me dëshirë që të fitojnë sa më shumë deputetë shqiptarë nga partitë shqiptare. Ne kurrsesi nuk duhet që prej këndej – së largu të mundohemi të drejtojmë elektoratin shqiptar atje, se për kë ata të votojnë, sepse çështja e votës është një e drejtë e tyre për të vendosur për cilin kandidat apo parti, që për ta do të jenë më të mirë. Ne nga diaspora, nuk duhet të ndërhyjmë direkt në jetën dhe përzgjedhjen politike të votuesve atje, dhe tekefundit nuk kemi as të drejtë ta bejmë një gjë të tillë. Askush nuk na e ka ndaluar që edhe ne të regjistrohemi atje në një parti politike dhe të dërgojmë kandidatin tonë nga diaspora që të shkojë atje, të jetojë atje, e nëse mbledh mjaft nënshkrime të rregjistrojë një subjekt politik shqiptar, me program të caktuar, për t’u inkuadruar dhe dhënë kontributin e vet në jetën politike të vendit, por nuk e kemi bërë një gjë të tillë. Prandaj atëherë na mbetet të heshtim dhe të pajtohemi me votën e popullit dhe t’i urojmë ata që dalin fitues. Ne kemi pasur dëshirën dhe shpresuam që partitë politike shqiptare do të dalin në këto zgjedhje të bashkuara rreth një koalicioni me një listë të përbashkët, por mjerisht kjo gjë nuk u arrit. Atëherë na mbetet që atyre t’ju urojmë suksese në këto zgjedhje parlamentare, me shpresë se do të fitojnë sa më shumë përfaqësues të popullit , dhe kështu të parapërgatiten për zgjedhjet lokale që do të kenë shumë më tepër rëndësi për shqiptarët që jetojnë në trojet e veta stërgjyshore nën Malin e Zi. Ne si themelues te Lëvizjes “Atdheu na Bashkon”, nuk kemi pasur dhe as nuk kemi për qellim të ndërhyjmë as në punët e brendshme organizative të shoqatave këtu në diasporë, e aq më pak të partive politike shqiptare në Malin e Zi dhe se çdo ndërhyrje prej këndej në këtë drejtim e shohim të panevojshme jofrytdhënëse, madje dhe joqëllimmirë..

Muharem Hardolli, Luigj Gjokaj, Riza Milla, Halil Nikaj, Muzafer Ujkashi, Muzafer Mehmeti, Adem Cukaj, Adem Sinanaj, Sale Gjenashaj dhe Ruzhdi Gjokaj.

Koha Javore