Nika: Kur patriotizmi kamuflon sadizëm

March 30, 2009   | Reportazh / Reportaža

muhamet-nika_ulcinjJezusi: Margaritarët nuk u jepen thive
Gjuha metaforike e politikanit dhe liderit nganjëherë tregojnë botën shpirtërore të tyre në raport me zgjedhësit. Ndërsa koncepti politikan dhe lider është një dallim tepër i madh, sepse politikani mendon se si të fitojë zgjedhjet, ndërsa lideri se si të fitojnë gjeneratat. Kështu që “lideri” kur dështon me ata që duhet të lerë pas, nuk mund t`i fajsojë të tjerët për dështimin e gjeneratave të reja. Lideri i cili thotë që gjeneratat e reja janë të paarsimuar dhe të papërvojë, kur vetë ka marrë përgjegjësinë e liderizmit të tyre nuuk mund të shfajësohet. Treguesi më i mirë, si shenjë, që tregon se politikani nuk mund të ngritet në nivelin e liderit është momenti kur rivalët e brezit të ri i quan me emra poshtërues e fyes siç është rasti i fjalorit të përdorur nga kandidati për deputet z. Bardhi kur përfaqësuesiet e brezit të ri i quajti “fiqfiriqa”.
Për ata që nuk e kanë të qartë kuptimin e fjalës fiqfiriq po themi se në fjalorin e gjuhës shqipe e gjejmë të shkruar fiq-fiq, kurse në të vërtetë fjala është për një lloj karkaleci nate, që tinëzisht futet në dhomë dhe lëshon një zë tepër bezdisës dhe madje trishtues. Fiqfiriqi është tepër i përçudshëm për ta parë, përngjet në një rinaceron të përmasave të vogla e që po se përzunë detyrimisht të bën ta lëshosh dhomën e gjumit. Për hajgare, një vendas i imi për ta ofruar fjalën fiqfiriq në mënyrë shpotitëse tha “që në Anë të Malit i themi jo fiq-fiq siç e gjejmë në fjalorin e gjuhës shqipe, por fuq-fuq ose fuqfuruq. Kjo vlenë këtu për ne në Anë të Malit, kurse për ato që janë nga diaspora nuk e di se si mund të quhen, fiq-fiqa a fiqfiriqa, por për këtë sqarim më të mirë mund t`u japë z. Bardhi. Duke mos pasur për qëllim të bëjmë banalizimin e çështjes me një humor të zi, mendoj se për momentin është më mirë t`i kthehemi problemit të patriotizmit që reflekton sadizëm.
Fromi cekë: njeriu e ka përdorur dhe e përdor dashurinë, detyrën, ndërgjegjën, patriotizmin si kamuflim për t`i shkatërruar të tjerët. Disa synime shkatërruese rrjedhin nga një situatë e posaçme – si reaksioni njeriut ndaj sulmeve që i drejtohen jetës dhe integritetit të tij ose reaksion ndaj ideve, me të cilat identifikohet njeriu. Kush e ka të njohur atë çfarë po ndodhë në akuzat e z. Hollaj, në këtë fushatë, ish-kryetarit të PPD-së ndaj kolegëve të vet të Partisë pasi që ai u identifikua me idenë për deputetin e Anës së Malit, mund ta keni më të qartë konstatimin e tij si një reaksion kur thotë: tre këshilltarët e PPD-së në Kuvendin e Komunës së Ulqinit nuk kanë qëllime të mira kombëtare… nuk e kam parë asnjëherë të nevojshme të reagoj sepse e kam kuptuar që e kanë të nevojshme të jenë në medie të shkruara malazeze dhe në asnjë moment nuk e kam kuptuar që i drejtohen elektoratit shqiptar apo edhe më qartë votuesve të PPD-së, pasi gjuha amtare e tyre është gjuha shqipe… vetëm thirrja e ndërgjegjes që të mos nënçmojnë dhe të manipulojnë me votues është në vijën e partisë?
Në këtë situatë z. Hollaj gabon 2 herë. Herën e parë gabon kur këshilltarët i akuzon për çështjen e mospërdorimit të gjuhës shqipe, ngase të paktën atij nuk i takon ta bëjë, sepse me përdorimin e saj në jetën e përditshme në familje si gjuhë amtare është në deficit në krahasim me tre këshilltarët. Kurse gabimi i dytë është koncepti i vijës së partisë. Të cilën vijë me siguri sipas edukatës familjare dhe mjediset e kupton në konceptin bolshevik, ku partia organizohej vetëm në vijën vertikale, kurse koncepti modern i partive është që të gjithë janë të barabartë në vijën horizontale, kurse kryetari vet ecë në vijën vertikale brenda katrortit partiak, duke i përngjarë më tepër rolit të një koordinatori.
Për të hyrë përsëri në temë themi që sipas Frojdit një lloj qëndrimit sadist është dëshira për të vendosur një pushtet absolut dhe të pakufizuar. Nëse u kthehemi degenerimeve sadiste të së shkuarës së organizimit tonë politik shqiptar në Mal të Zi, përmendim që elemente sadiste vijnë në shprehje më qart në relacionet e dikurshme të konfliktit UDSH-LD në fazën më të hershme të sherrit partiak. Për të kuptuar se asgjë as sot nuk ndryshoi në akuzat e fushatave të këtyre dy partive, LD-UDSH – dikur Dega e Ulqinit e LD-së, po përmendim konfliktin sadist që edhe sot reflekton. Sipas pikëpamjes Frojdiane për problemin atë do ta kishim arsyetuar kështu: Sadizmi është dëshira për t`i shkaktuar vuajtje tjetrit apo për të vështruar se si vuan. Qëndrimi sadist është që të tjerët të lëndohen në mënyrë aktive, të përulen dhe të turbullohen apo të nënshtrohen përmes situatave të cilat i turbullojnë apo poshtërojnë (shih gjuhën e fushatës)! Nga idetë e hedhura për problemin e sadizmit veçojmë atë të Hopsit, kur supozoi se ekzistenca e dëshirës së përhershme dhe të paqetë për pushtet sa më e madhe është dëshira e flakët e cila fiket vetëm me vdekje dhe paraqet një prirje të përgjithshme të njerëzimit. Për këtë problem ndoshta më që qarti flet kumtesa e ish Degës së LD në MZ (UDSH) të përmendur dhe e cila ishte si një kundërpërgjigje e ulqinakëve me numër 146/93 të datës 21.05.1993, ku thuhet: “…parashikimi i çështjes së depolitizimit (pushtet-parti) u bë shkak dhe mollë sherri për krijimin e marrëdhënieve të pavolitshme në mes të kryetarit të LD në MZ dhe anëtarëve të një pjesë të saj me kryesinë e Degës së Ulqinit. Me të njëjtit manipulohet gjithnjë duke përçarë anëtarët në mënyrë perfide, për të mbrojtur dy postet e veta, duke zbatuar në praktikë thënien e Bankos”, “…Partia mund të bëhet kos, e unë do të vij si kryetar i Komunës së Ulqinit…”. Ky konflikt në atë kohë plasi ndërmjet kryetarit aktual të LD-së Mehmet Bardhi dhe Shaban Dollaku, ish-kryetar i Këshillit ekzekutiv në Komunën e Ulqinit. kurse të tjerët u taborizuan pas këtyre dy personave, çka rezultoi më vonë me ndarje partiake brenda vetë Degës së Ulqinit. Shkencat psiko-analitike vërejnë se synimet sadiste të individit në fillim janë krejtësisht të fshehura dhe tepër të vështira për t`u hetuar. Sadisti ka nevojë për një person të cilin do ta zotërojë. Ai mund të jetë tepër i rrezikshëm për shoqërinë, kurse më agresiv është lloji i sadistit që reflekton në dy forma.
Mu më kanë lënduartë tjerët dhe dëshira ime për të lënduar nuk është asgjë tjetër veçse hakmarrje. Po në këtë kumtesë të nënshkruar nga z. Fuad Nimani, kryetar i Degës së Ulqinit, dhe ministër në Qeverinë e Malit të Zi si duket për këtë problem ai në atë kohë në mënyrë të pavetëdijshme shprehet duke arsyetuar pikëpamjen Fjordiane dhe thotë: “…Këtë vendim `të përjashtimit të Degës` e përjetojmë si një grusht të rëndë ndaj një qyteti, me tendenca hakmarrjeje personale për ato çka z. kryetar pësoi nga partia komuniste…”
Përveç se hakmarrje, sadisti di të thotë se për ty kam bërë aq shumë sa tani kam të drejtë të marrë atë që dua, “si dhe” unë të zotëroj, sepse e di çka është më mirë për ty, kurse është në interesin tënd të më ndjekësh pa kundërshtuar. Një veprim i tillë vazhdon të përsëritet si duket në formë të vazhdueshme në veprimet e disa vetave që përmendëm më lart.
Duke ndjekur këtë përçarje të dikurshme brenda Lidhjes nga një kumtesë e UDSH -së e datës 9.05.1994, të numrit rendor 40/94 e cila nuk u publikua në “Zëri” për arsye që mund të merrni me mend kur i ndjeri Bajram Rexha ish kryetar i UDSH -së shprehet: “…Në intervistë dikush u përpoq të më paraqesë ndryshe, si një që dikush ka nevojë të më tërheqë për dore, si një që s`kuptoi asgjë, si një që manipulohet me mua. Ky është një zbulim epokal do thosha, mbase edhe diçka më tepër. Por edhe përkundrejt kësaj akuze, këtij mendimi koturu e pa baza, pranoj të jem i manipuluar për hir të një anonimi të LD-së, mburrja e tij e paskrupullt, kur thotë se na i paska bërë ulqinakët të mësojnë e flasin shqip…”
Ai (sadisti), vazhdon Frojdi ndoshta, nuk do të bëjë asnjë hap të qartë sadist dhe instinktet e veta për t`u treguar si njeri që nuk është sadist do të arrijë t`i fshehë, megjithatë çdo analizë e kujdesshme e sjelljeve, fantazive, ëndrrave të tij, do të tregojë se impulset sadiste veprojnë në shtresat më të thella të personalitetit të tij.
Fromi konkludon që sipas Hitlerit masat dëshirojnë që më i forti të fitojë, ndërsa i dobëti të zhduket ose të dorëzohet pa kushte. Ashtu si gruaja që më me dëshirë e nënshtrohet burrit të fuqishëm sesa ta zotërojë një i dobët, ashtu edhe masat më shumë e duan sunduesin sesa lutësin e përulur … e në shpirt janë shumë më të kënaqur me doktrinën që nuk i duron rivalet sesa medhënien e lirisë. Ata shpeshherë janë në dilemë se çfarë të bëjnë me të, bile edhe anojnë që liria e tyre të jetë e lënë pasdore.
po të shikojmë në përsiatje atë çfarë dnodh në skenën e organizimit politik shqiptar, duket që si popull kemi prirje të kemi problem me tepriën e lirisë dhe të lejojmë që aksidentalisht të vijnë në krye të organizimit të politik persona të cilët as që e kanë pasur në plan të bëhen prirës të një partie.

Muhamet Nika
Koha Javore

4