Qeveria e Malit të Zi hapi të shtunën tenderët për Plazhin e madh dhe Adën

April 8, 2009   | Turizmi / Turizam

plazha-e-madhe-ulqinPriten investitorë të fuqishëm
Podgoricë – Qeveria e Malit të Zi ka hapur të shtunën tenderët për dhënien me qira shumëvjeçare të Plazhit të Madh dhe Adës.
Qeveria i ka ftuar investitorët ndërkombëtarë me aftësi financiare dhe përvojë në projektim, ndërtim, menaxhim dhe marketingun e komplekseve turistike ekskluzive që të dorëzojnë ofertat për zhvillimin e këtyre komplekseve dhe marrjen me qira afatgjate të Plazhit të Madh.
Në bazë të kushteve të tenderëve, të drejtë pjesëmarrjeje në të kanë të gjitha firmat apo konzorciumet që e blejnë dokumentacionin e tenderit i cili kushton 50 mijë euro dhe nënshkruajnë deklaratën e besueshmërisë.
Një ndër kushtet e tenderit është që ofertuesi të paktën tri prej tetë viteve të fundit të ketë menaxhuar objektet hotelierike, turistike, rekreative, kulturore, arsimore dhe afariste me sipërfaqe prej 200 mijë metrash katrorë dhe me një vlerë prej të paktën 300 milionë euro.
“Pjesëmarrësi në tender apo udhëheqësi i konzorciumit duhet të ketë xhiro vjetore prej të paktën 400 milionë euro gjatë tri viteve të fundit”, thuhet në kushtet e tenderit.
Të interesuarit duhet ta dorëzojnë dokumentacionin deri më 28 maj, kurse ofertat përfundimtare deri më 1 shtator.
“Krahas ofertës, ofertuesi duhet të dorëzojë edhe garancionin bankar për të në shumë prej një milion euro, kurse për Adën prej 500 mijë euro”, kanë saktësuar nga Qeveria.
Në thirrjen publike thuhet se qëllimi i tenderit është zhvillimi i Plazhit të Madh dhe i Adës si komplekse eksluzive ku përfshihen objekte hotelierike, objekte për pushim dhe sport, vila dhe apartamente për banim, si dhe objekte të tjera në harmoni me mjedisin natyror të paprekur.
Plazhi i Madh ndodhet në skajin më jugor të Malit të Zi ndërmjet Ulqinit dhe rezervatit natyror Ada. Në kuadër të Plazhit të Madh është plazhi ranor i gjatë 13 kilometra, me gjerësi 60-100 metra, gjë që ofron rast unik për ndërtimin e kompleksit turistik të përmasave të mëdha.
Sipërfaqja e përgjithshme për zhvillim është 1.35 mijë hektarë, kurse Qeveria ofron me qira 903 hektarë në pronësi shtetërore për një periudhë prej 90 vjetësh.
Ujdhesa Ada gjendet në grykën e lumit Buna, posedon plazhin e gjatë 2.7 kilometra dhe të gjerë 30 metra.
Në kuadër të këtij kompleksi është parashikuar ndërtimi i 2 500 shtretërve, si dhe të paktën një hoteli i cili do të funksionojë sipas standardeve ndërkombëtare me katër apo pesë yje, kurse me të do të menaxhojë një operator i njohur turistik.
Interesim për të investuar e më pas menaxhuar me komplekset turistike Plazhi i Madh dhe Ada kanë shfaqur shumë kompani të njohura ndërkombëtare në thirrjen publike të bërë vitin e kaluar nga Qeveria e Malit të Zi.
Kohapress