Intervistë me piktoren Vahida Hasanaga – Nimanbegu

April 11, 2009   | Intervista / Intervju

vahida-hasanaga-e28093-nimanbeguÇmimet, dëshmi e krijimtarisë kualitative
Shoqata e Artistëve Figurativë të Malit të Zi i ka ndarë piktores ulqinake Vahida Hasanaga – Nimanbegu javën e kaluar Çmimin e parë në konkursin vjetor për pikturë të organizuar nga kjo shoqatë. Për këtë arsye zhvilluam me të këtë intervistë.
Koha javore: Znj. Nimanbegu, Shoqata e Artistëve Figurativë të Malit të Zi iu ka ndarë javën e kaluar Çmimin e parë për pikturë në konkursin vjetor të kësaj shoqate. Çfarë vlere ka ky çmim për Ju?
V. Hasanaga – Nimanbegu: Çmimi i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit te Zi përbën për mua një sukses të madh dhe është një çmim me rëndësi të veçantë. Në disa intervista të mëparshme kam thënë që për artistët, çmimet janë të rëndësishëm sepse jepen prej kolegëve dhe njerëzve të cilët merren me art dhe kritikën e artit, pra prej njerëzve profesionistë. Vitin e kaluar unë kam fituar çmim në Sallonin e Zemunit, por ky çmim është për mua më i rëndësishëm.
Koha javore: A e keni pritur një çmim të tillë?
V. Hasanaga – Nimanbegu: Nga vetë fakti që në shkurt të këtij viti u bëra anëtare e Shoqatës së Artistëve Figurativë të Malit të Zi nuk prisja kurrfarë çmimi. Isha me të vërtetë shumë e habitur kur më njoftuan se unë isha fituesja e Çmimit të Shoqatës për këtë vit.
Koha javore: Sa ndikojnë çmimet në veprimtarinë e një artisti?
V. Hasanaga – Nimanbegu: Për biografinë e një artisti lirisht mund të them që çmimet janë shumë të rëndësishme. Po ashtu mendoj se çmimet, për secilin artist, shërbejnë si stimul pozitiv për të vazhduar veprimtarinë artistike dhe njëkohësisht dëshmojnë dhe konfirmojnë që artisti vepron në mënyrë kualitative.
Koha javore: Me çfarë punimi keni konkurruar në konkursin e Shoqatës së Artistëve Figurativë?
V. Hasanaga – Nimanbegu: Punimin me të cilin kam konkurruar e kam realizuar në vitin 2007 në teknikën e vajit.
Në krijimtarinë time dominojnë punimet me ngjyrë të kaltër dhe ato të terrakotës, dheut dhe gurit. Ky punim është i realizuar me ngjyra të nxehta të tokës, gurit, një oker me shumë nuanca.
Në punimet e mia po ashtu është karakteristike struktura dhe ajo dominon në pëlhurë si një materie e gjallë. Unë merrem me problematikën e strukturës, teksturës, harmonisë, ritmit, komponimit me frymëzim të ambientit ku jetoj, detit, qiellit, diellit, gurit, rërës, ambientit mediteran, etj.
Koha javore: Çfarë Ju pret apo cilat janë planet Tuaja për të ardhmen?
V. Hasanaga – Nimanbegu: Në maj planifikoj të hapi ekspozitën personale në Izrael, kurse në qershor në Shtutgart. Po ashtu shpresoj në realizimin e simpoziumit të artistëve nga Mediterani në fillim të qershorit, një projekt i rëndësishëm jo vetëm për Ulqinin, por për tërë Malin e Zi.
Vitin e ardhshëm jam e ftuar që të ekspozoj në Muzeun e Arteve Moderne në Napoli të Italisë, gjë që e konsideroj një sukses të madh për mua. Kam edhe plane të tjera, mirëpo duhet të punohet shumë për realizimin e tyre.
Bisedoi: I. Kallaba
Koha Javore

YouTube Preview Image

2