Portret i Sutki Malohoxhës

April 11, 2009   | Kulturë / Kultura

sutki-malohodzic_sutki-malohoxhaRrymë e letërsisë që mbetet gjithmonë aktuale
Si të fillosh të shkruash për një personalitet me të cilin shoqërohesh vite me radhë? Si ta përshkruash personalitetin e tij e të mos gabosh, të mos jesh subjektiv? Sutkiu, është një njeri i “butë” siç thotë populli ynë, një njeri i cili nuk di ta ngrisë zërin kurrë… nuk di me “virrë” apo me reagua, ashtu siç reagojmë të gjithë ne, në situata të ndryshme… Gjithmonë mllefin e ka mbajtur në vehte… Ne, shokët me të cilët Sutkiu është shoqëruar, dhe ende shoqërohet, e dimë këtë veti, sepse e njohim mirë, dhe padyshim gjihtmonë ka qenë më i “butë” se ne. Natyrisht, i ka pasur edhe ai të “vetat” dhe ende as sot pas shumë vitesh nuk ka ndryshuar asgjë. Ne disa nga shokët të cilët padyshim ende edhe sot kemi respekt të posaçëm ndaj njëri tjetrit, shpesh rrimë së bashku, përveç shokëve të cilët na kanë harruar, por atë ua lëmë atyre dhe ndërgjegjes së tyre… Ndoshta edhe jeta dhe rrethanat e ndryshme na kanë larguar…
Por, t’i kthehemi personazhit për të cilin dëshiroj sot t’i shkruaj disa rreshta, sepse jam i mendimit se e meriton të gjendet në plejadën e atyre të cilët kanë dhënë kontribut të madh në edukimin e shumë brezave në qytetin tonë dhe më gjerë. Si mësimdhënës i ri, Sutkiu ka filluar të punojë në gjimnazin e Ulqinit, dhe mbi 24 vite ka lënë gjurmë të pashlyera. Ka qenë “pak” i ashpër por gjithmonë i drejtë. Si mësimdhënës i gjuhës ruse, të cilën e ka studiuar në Shkup, ëshët munduar t’u ofrojë fëmijëve një gjuhë dhe një kulturë të jashtëzakonshme të një populli të madh, me një letërsi të pasur me famë botërore. Pavarësisht se gjuha ruse nuk ka qenë shumë aktuale dhe nuk ka qenë në trend në ato kohëra, Sutkiu gjithmonë është munduar të japë maksimumin e tij dhe padyshim punën e ka kryer deri në perfeksionizëm. Sot qeshim ngandonjëherë, duke i parë marrëdhëniet politiko-shoqërore, duke parë se “po na vinë Rusët”, të cilët sot kanë shumë nevojë për Sutkiun, posaçërisht në përkthime apo në procese gjyqësore. Tash ne kujtohemi se si po i zëvendëson Sutkiu ato orët “deficitare” të asaj kohe. Dikur pra mungesën e orëve nga gjuha ruse, Sutkiu e ka plotësuar në bibliotekën e shkollës, apo si sekretar, mbi tre vite. Duke mos qenë jurist, unë mendoj, por jo vetëm unë, se shkolla kurrë nuk ka pasur sekretar dhe administrator më të mirë se Sutkiun, sepse punën e sekretarit dhe administratën shkollore Sutkiu e ka bërë dhe e ka punuar deri në perfeksionizëm. Gjithmonë ka qenë pedant dhe i saktë… Edhe tash si zëvendësdrejtor në Shkollën Fillore “Boshko Strugar”… më tepër e kalon kohën në korridore, se në zyrën e tij, apo në sallën e arsimtarëve, duke ndjekur me kujdes të posaçëm procesin mësimor… I tillë është Sutkiu dhe ai nuk mund të ndërrojë. Këto veti duhen të përmenden kur flitet për të, dhe padyshim ai ka lënë gjurmë të pashlyeshme në arsimin dhe edukimin e shumë gjeneratave.
Gjithashtu dëshiroj që me respekt të madh t’i shkruaj edhe disa rreshta për veprimtarinë letrare në fusha të ndryshme, me të cilat është marrë dhe ende edhe sot merret Sutkiu. Kjo veprimtari viteve të fundit është në fokusin e interesimit tim, por edhe të publikut të gjerë dhe për të dhe për këtë arsye dëshiroj t’i kushtoj një vëmendje të posaçme. Dua t’i kthehem përsëri një rryme letrare apo një humori i cili më tepër ka qenë gojor seç është shkruar, bejtes dhe bejtexhinjve. Kjo rrymë e letërsisë ka qenë gjithmonë aktuale në Ulqin dhe në Shkodër. Për bejte dhe bejtexhinjë unë kam pasur edhe një tekst në “Kohën Javore”. Sot dua pak ta përmend, pasi që Sutkiut dhe Silver Kodrës ua kam kushtuar tekstin e lartpërmendur. Dua të përmend përsëri Sutkiun i cili ende vazhdon duke shënuar dhe duke shkruar bejte. Është më se e nevojshme të përmenden dy librat e tij kushtuar bejtes, si rrymë apo drejtim në letërsinë tonë. Në njërin, Sutkiu shkruan për bejtexhinjtë e famshëm të Ulqinit, kurse në librin tjetër shkruan dhe boton bejtet të cilat i ka shkruar vetë, duke u frymëzuar nga rrethi ynë, nga qyteti, pazari dhe Kalaja. “Nalt e poshtë pazarit” është reflektimi i jetës sonë me plot humor i cili për çdo ditë mund të dëgjohet tek ne. Titull i qëlluar, padyshim. Me respekt të posaçëm dëshiroj të përmend dhe t’ia rikujtoj publikut të gjerë promovimin e këtyre dy librave, plot me një humor të jashtëzakonshëm në Kalanë tonë. Në këto promovime kanë marrë pjesë si mysafirë edhe bejtexhinjtë nga Shkodra dhe Ulqini, por edhe shumë nga mjeshtër të pendës dhe të gjuhës shqipe, duke e shfaqur me pjesëmarrjen e vet respektin e merituar ndaj Sutkiut. Është më se e nevojshme këto promovime, sepse në të gjithë opinionin kanë lënë përshtypje të paharruara. Sutkiu përveç botimeve të lartëpërmendura ka edhe shumë bejte të cilat presin të botohen, por edhe shumë nga ato që i ruan në notesin e vet dhe neve shokëve na i lexon ngandonjëherë. Ai thotë se ato kanë për ta parë dritën, ndoshta më vonë kur siç thot ai, të shkojë përgjithmonë në Pinjesh. Jam i mendimit tim modest se ato bejte, në të cilat edhe disa nga ne kemi marrë pjesë me idetë tona, duke e frymëzuar Sutkiun, se ato janë bejtet më të mira të veprimtarisë në rrymën e bejtes të Sutkiut. Ato flasin dhe prekin ngjarjet dhe personazhet bashkëkohore të qytetit tonë Ulqinit. Sutkiu mendon se ato ndoshta edhe do të kishin prekur ata të cilët aty do ta gjenin veten dhe mu për këtë arsye nuk i boton. Unë edhe ata të cilët i kanë lexuar këto bejte, nuk mendojmë ashtu. Përkundrazi, bejtja është një humor i shondoshë dhe nuk lejon të prekë askënd, sepse humori është pjesë e jetës, aq më tepër tani kur kemi nevojë më tepër për të, në këto kohëra të vështira të krizës globale, pavarësisht se bejtja e ka “thumbin” e vet.
Më në fund duhet të thuhet se vetinë e këtij humori Sutkiu e ka trashëguar nga gjyshja e tij Hanko Lufja, e cila edhe pas një kohe kaq të gjatë ende edhe sot përmendet si një zonjë e cila për çdokënd “e ka pas xhevapin në xhep” dhe e cila thonë se ka qenë moderatorja e parë në qytetin tonë.
Në fokusin e interesimin e Sutkiut është edhe studimi i letërsisë së famshme ruse, ku ai merret me përkthime nga gjuha ruse në atë shqipe apo malazeze. Dëshiroj t’i përmend disa përkthime dhe studime të Pushikinit, Lermontovit dhe Dostojevskit. Sutkiu ka marrë dhe ende merr pjesë në shumë seminare dhe simpoziume dhe flitet për gjuhën ruse dhe letërsinë e saj. Edhe unë kam patur rastin të marrë pjesë në një simpozium në Tiranë ku Sutkiu ka mbajtur kumtesën mbi Jeseninin dhe pështypjet e paharruara i kam botuar në një tekst në librin tim “Kalaja, legjendë dhe art”. Çka të thuash më tepër për këtë njeri, i cili mbi tri dekada mundohet të japë kontributin e vet në edukimin e të rinjëve dhe në studime të tjera të cilat me siguri do ta gjejnë vendin e merituar në historinë tonë. Pavaërsisht se jeta ka sakrifica, probleme mbijetese, probleme me “të huaj”, si do të jetë sezoni turistik në këtë vit të krizës globale. Për Sutkiun edhe aq më tepër, jo vetëm a do të ketë “të huaj”, por edhe a do të ketë kontrata dhe përkthime. Unë i dëshiroj Sutkiut të vazhdojë me veprimtarinë e tij sepse ne të gjithë kemi nevojë për fjalën e shkruar dhe populli ynë gjithmonë di dhe do ta vlerësojë punën e palodhshme të tij.
Ismet Karamanaga
Koha Javore