Rrofshin deputetët tonë
Premtimet e dhëna prej tyre ëshë më mirë të jepen njëherë e të çohen në vend sesa të premtohen njëmijë herë e të mos bëhet asgjë.
Unë në të gjitha shkrimet e mia para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Mal të Zi jam përpjekur dhe kam bërë apel për bashkim të subjekteve politike shqiptare. Këtë e kam bërë dje, do ta bëjë sot e më shumë kam për ta bërë nesër e pasnesër për ata që duan të kuptojnë situatën e krijuar. Dukurinë e pranishme, që “shihet nga aeroplani” kanë për ta lufuar të gjithë ata pjesëtarë të shqiparëve në Mal të Zi që e pranojnë shtrirjen e duarve si diçka burrërore, pa dorëza, si diçka që në këto momente është më e nevojshme se kurrë. Këtë e kërkoj prej meje, çka nuk u kam kërkuar dhe nuk kam për t’u kërkuar falje atyre që janë bërë protagonistë të përçarjeve e që u munduan të shfrytëzojnë standardin e ulët të votuesve duke i kënaqur ata për momentin, qoftë me një mëditje, qoftë me cimento apo me një metër asfalt. Natyrisht se politikëbërësit shqiptarë nuk kanë për tu ngopur kurrë me veprimet e veta antiqytetare, anticivilizuese, ndaj nuk e kuptoj përse përzihen me punët e tyre të ndyta ndaj atyre që ishin në siklet për të vepruar me kokën e tyre sic i ka hije cdo qytetari. Çdo veprim politik është e drejtë e secilit dhe kjo i takon intimes njerëzore, ndaj është mëkat që kujtdoqoftë t’ia cenosh të drejtën për bindjet që ka e do të ketë. Nuk kanë pse të bëhen kujdestarë të ditës politikanët tanë, secili nga votuesit ka zgjedhur më të besueshmit, ata që u pëlqejnë më shumë. Këtu kemi të bëjmë me çështje ndjenjash personale ku bindjet tuaja nuk mund t’i përcaktojnë bindjet e mia, prandaj jam i bindur se cdokush do ta dijë se cili është roli i tyre politik e intelektual. Ju lumtë atyre që e kuptuan po edhe e shijuan votën e popullit, atyre pjesëtarëve dhe misionarëve të politikës mjerane, ju lumtë këtyre burrave që kanë marrë si mision përçarjen, shkapërderdhjen e trungut votues, edhe pse secili prej tyre u deklarua për bashkim pa dhënë formulën se si do të dukej ajo.
Megjithatë, një gjë është e sigurtë, njerëzit thonë: ”shyqyr që ra kjo dekë e u pamë”, pra shyqyr që e pamë se çka duan politikanët tanë. Ne si duket këtë nuk deshëm ta kuptojmë, apo nuk ditëm ta vlerësojmë se çfarë po na ndodhë dhe këtë le të mos e kuptojmë kurrë, por një gjë e di se populli ka filluar të ndërgjegjësohet pavarësisht premtimeve të dhëna e ndihmave materiale. Kjo nesër do të japë rezultatet e veta pozitive, ndryshe është më mirë të mos jemi gjallë fare. Pavarësisht atyre që vepruan pas shpinde e për të djegur disa vota, veprime këto makabre, njerëzit do të përballojnë situatat e rënda të bindur se janë përkushtuar në punën e tyre për të dënuar “heroizmat” e atyre që nuk patën kurajo e mendje të shëndoshë për të kuptuar rrethanat e reja të krijuara pas gjithë “respektit” që u bëri masa. Për këta politikanë inatçinj nuk ka rregulla, nuk ka parime, ndaj skenat e tilla në të ardhmën nuk duam t’i shikojmë, e ulin dhe e poshtërojnë figurën e deputetit, cilido qoftë ai. Nuk dua të hyj në kurthin e argumentit nëse është plotësuar Parlamenti i Malit të Zi me katër deputetë shqiptarë, problemi që trishton është se sa kohë do të zgjasë ferri shqiptar, deri kur duhet pritur një ndërhyrje kirurgjike për të dëshmuar se cfarë mund të ndërtojmë e jo të vazhdojmë prishjen. Thonë se “s’ bëhet bukuri me zor” por as deputet nuk mund të bëhesh me zor, që te dyja këto ndërgjegja e përgjithshme i emëron. Këto qëndrime nuk mund të mos tërheqin vëmendjen e opinionit shqiptar këtu në Mal të Zi mbi gjendjen e mjeruar politike në përgjithësi, për çka vakumi i krijuar vite me radhë sipas gjithë treguesve nuk është ajo që pretendon formacioni politik, por është krejtësisht tjetërfare, gjë që deri tani janë mbajtur me ide shterpe. Ky qëndrim i pafalshëm i tyre shpjegon nga njëra anë karakterin amoral dhe qëndrimet e tyre pseudointelektuale e në anën tjetër një mungesë serioze të vizioneve të qarta politike. Atyre nuk u pëlqen të maten me mendimin e pavarur, nuk u pëlqejnë njerëzit që i rrethojnë, ndaj përhapja e ideve përçarëse paraqet pasiguri për të ardhmën e tyre politike. Prirja për t’u bërë deputet është një shfaqje mjegullimi, por shenjë e njeriut normal kurrsesi nuk mund të jetë! Disa nga këta bëjnë zhurmë kur ndodhen para ngjarjeve të pazakonta, megjithatë pajtohen shpejt me gjendjen kur shohin se murit me kokë nuk mund t’i bihet. Ai që ka mend në kokë, ai që do të jetë veprimtar i ndryshimeve do të çmohet nga të tjerët dhe do të ketë përkrahjen e masës.Cdo mundësi për të bërë diçka ndryshe ekziston dhe nuk ka gjë më të mirë se të prehësh në krahët e inercisë së vetëdijshme. Rrofshin deputetët tonë, më mirë se kaq nuk ka ku shkon më!
Shaban Peraj
Koha Javore





