Mali i Zi: Delegacioni i Kosovës braktis takimin e CEFTA-s

April 12, 2009   | Rajoni / Region

ceftaDelegacioni i Kosovës ka braktisur takimin e CEFTA-s që po mbahet në Podgoricë të Malit të Zi. Zyra për Informim e Ministrisë së Bujqësisë së Kosovës njofton se shkak janë bërë autoritetet malazeze të cilat nuk kanë pranuar që të heqin mbishkrimin e UNMIK-ut dhe në vend të tij të vendoset emri i Kosovës. Në takimin e CEFTA-s, merrte pjesë një delegacion me përfaqësues nga Ministrisë së Bujqësisë, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë dhe të Doganave të Kosovës. Takimi kishte për qëllim rishikimin e politikave tregtare bujqësore duke përfshirë edhe masat mbrojtëse, subvencionet në eksport si dhe këmbimi i informacioneve për tregtinë e produkteve bujqësore.
Kosova gjatë këtij viti ka patur probleme me CEFTA pasi Serbia dhe Bosnja kanë bllokuar eksportet e saj për shkak të vulës së Republikës së Kosovës, ndërsa  pranojnë vetëm mallrat me vulën e UNMIK-ut. Ministri malazez Branimir Gvozdenoviç në cilësinë e sekretarit të CEFTA-s kishte deklaruar dhe më parë se Kosova në këtë organizatë nuk mund të prezantohet pa UNMIK-un dhe nuk ka arsye që të debatohet për bllokadën e mallrave kosovare nga Serbia e Bosnja.
Marrëveshja CEFTA është nënshkruar dhe pranuar nga të gjitha vendet e Europës Juglindore dhe parashikon shkëmbimin e mallrave pa norma doganore. Ajo ka zëvendësuar marrëveshjet biletarale të tregtisë së lirë që kanë ekzistuar mes këtyre vendeve.

ALSAT

YouTube Preview Image