Pse janë të përçarë shqiptarët e Malit të Zi

April 13, 2009   | Reportazh / Reportaža

ferhat-dinosha3Zgjedhjet Parlamentare të 29 marsit në Mal të Zi po afrojnë. Në prononcimet e mëposhtme, dy kryetarët e partive kryesore të shqiptarëve që ushtrojnë aktivitetin e tyre atje, deputeti Ferhat Dinosha, Kryetar i Unioni Demokratik të Shqiptarëve (UDSH) dhe Nikollë Camaj, Kryetar i Lidhjes Demokratike të Shqiptarëve (LDSH), shprehen për specifikat e ligjit elektoral malazez, përçarjen që ekziston në aspektin politik tek shqiptarët në Mal të Zi si dhe për mënyrën më efikase, sipas tyre, për marrjen e një numri optimal deputetësh të partive shqiptare. Me qëllim pasjen më të lehtë të realizimit të të drejtave të tyre nëpërmjet kushtëzimit të votës në një parlament me gjithsej 80 deputetë ku ligji elektoral u jep apriori 5 mandate. Gjë e cila do tu mundësonte përcaktimin e mazhorancës dhe opozitës në varësi të partisë apo të koalicionit politik malazez që do t’i ofronte më shumë të drejta 7 për qind të shqiptarëve në Mal të Zi.
Shqiptarëve u duhet një ofertë

Flet Ferhat DINOSHA, deputet dhe Kryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve (UDSH):

Zoti Dinosha, fillimisht një shpjegim të ligjit aktual të Malit të Zi përsa i përket nivelit të përfaqësimit të shqiptarëve në Parlament?
Duhet ditur se ligji zgjedhor në Mal të Zi ka nj specifikë për shqiptarët. Qysh nga viti 1997 kur partia në pushtet u nda më dysh, preferuam variantin i cili thotë ashtu si edhe sot se shqiptarët duhet të kenë 5 mandate në Parlamentin e Malit të Zi. Për këto nuk duhet sens dhe këto prodhohen në vendvotimet e veçanta ku shqiptarët janë shumicë ose një përqindje e caktuar në popullsinë lokale. Pra 5 shqiptarë janë të sigurt në Parlamentin e Malit të Zi.

Gjatë bisedës ju u shprehët se për shqiptarët do të ishte më e favorshme aplikimi i dy listave për zgjedhje. A mund të na e shpjegoni teknikisht idenë tuaj?
-Në kushtet aktuale ndodh ky fenomen; Për këto 5 mandate konkurrojnë të gjitha subjektet politike, pra edhe ata shtetërore. Në situatën që kemi në Mal të Zi, ndodh që partia në pushtet ose kualicionet në pushtet të marrin përqindje të caktuara dhe jo të vogla të votave shqiptare. Pra ka shqiptarë që nuk i votojnë partitë e veta. Në këtë situatë mua më duket se është më mirë që të ketë dy lista shqiptare për dy arsye; Së pari sepse po na mori deputetë koalicioni në pushtet atëherë edhe detyrimisht na sulmon më lehtë. Ka rrezik që nga 5 mandate të na marrë 3, pra shumicën. Sepse deri sot, 2 na i ka marrë vazhdimisht. Po e mori edhe të tretin koalicioni në pushtet merr shumicën e mandateve të shqiptarëve dhe kështu ne nuk do të ishim seriozë në Parlamentin e Malit të Zi. Kushdo që do të kalonte si listë. Aktualisht në Parlamentin e Malit të Zi janë 3 deputetë të partive shqiptare por dehe 2 të tjerë të partisë në pushtet. Kjo është situate te ne. Së dyti, mua nuk më duket mirë që të kthehemi në monizma të brendshëm. Shqiptarëve u duhen oferta, më shumë se një ofertë. Do të thotë se ne duhet të thyejmë përfundimisht monizmin brendashqiptar. Për këtë arsye unë luftoj për dy lista të cilat, absolutisht në kombinatorikën e 5 mandateve, I kanë të sigurta të paktën 3 mandatet dhe luftojnë për mandatin e 4-t. Kjo varet nga sinqeriteti i subjekteve politike karshi votuesve dhe nga vetë fushata që do të zhvillojnë.

Si është e mundur që shqiptarët janë në Mal të ZI janë kaq shumë të përçarë? Mbase UDSH-ja dëshmoi sidomos në fushatën për Referendumin e Pavarësisë së Malit të Zi se është një forcë që diti të luante në favor jo vetëm të këtij qëllim por edhe të të drejtave të shqiptarëve me këtë rast. Cili është komenti juaj?
-Me këto copëzime më duket se i kemi ngjarë terreneve të tjera shqiptare, tokave të tjera shqiptare. Mund të dal partiakisht subjektiv por një parti ia ka dalë që me atë 7 për qindësh të luajë një rol shumë më të madh në proceset demokratike në vend, sidomos në Referendumin e Pavarësisë në Mal të Zi. Unioni Demokratik i Shqiptarëve ka qenë partia e vetme shqiptare për të marrë pjesë në mënyrë transparente në fushatën për referendumin duke menduar se Pavarësia e Malit të Zi është në interes edhe të shqiptarëve dhe se ajo ishte paradhomë e Pavarësisë së Kosovës. Me njohjen e Kosovës nga ana e Malit të Zi kjo u dëshmua. UDSH do të vazhdojë edhe në të ardhmen të kontribuojë në të mirë të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi dhe të stabilitetit në rajon.

Si malazezët i shfrytëzojnë
shqiptarët

Nikollë CamajNikollë CAMAJ, anëtar i Kryesisë së Lidhjes Demokratike dhe Kryetar i Kuvendit të Komunës Urbane të Tuzit:

Si i shihni këto zgjedhje në funksion të përmirësimit të të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi?
Siç dihet, zgjedhjet e 29 marsit janë parlamentare. E mira do të shihte që shqiptarët të shkonin së bashku meqenëse në Mal të Zi veprojnë 6 parti shqiptare. Nëse ata do të dalin veç trupi votues shqiptar copëzohet dhe kjo rrezikon që nga 5 vendet e mundshme që u takojnë vend votuesve ku votojnë shqiptarët, partitë shqiptare të mos marrin as 3 vende. Ndërkohë, nëse shqiptarët do të ishin së bashku do të merrnin së paku 4 vende. Një klub prej 4 deputetësh shqiptarë në Parlamentin e Malit të Zi do të ishte një forcë e rëndësishme politike e cila ndoshta nesër edhe do të kushtëzonte në lidhje me statusin e shqiptarëve që duhet thënë se ende nuk është i zgjidhur.

Komuna e Tuzit ku ju jeni drejtues i Kuvendit Komunal kërkon prej kohësh që t’i jepet statusi i komunës, ashtu si Ulqini. ‘mund të na thoni më tepër rreth kësaj kërkese të hershme të popullatës shqiptare këtu?
Ne kemi kërkesa të shumta dhe një prej të cilave është edhe statusi ende i pazgjidhur i Komunës së Tuzit. Sikurse edhe opinion këtu e di, ne kemi një gjysëm komune e cila është nën varësinë e Podgoricës dhe popullsisë lokale në Malësi. Në Tuz nuk është mundësuar që shqiptarët të administrojnë vetveten sikurse fjala vjen në Ulqin apo në gjithsej 21 komunat e Malit të Zi. Shpesh manipulohet me atë se çfarë kërkon Malësia. Ne kërkojmë thjesht statusin komunal ashtu siç janë edhe 21 komuna të tjera në Mal të Zi. Manipulohet edhe me faktin se gjoja Malësia nuk ka resurse. Të gjithë parametrat reagojnë se Tuzi si komunë do të ishte i radhitur në më shumë se gjysmën e komunave aktuale në Mal të Zi që e ka të zgjidhur çështjen e financimit. Pra do të ishte një komunë më e pasur se më shumë se gjysma e komunave që janë aktualisht në Mal të Zi. Shpresojmë që shqiptarët të mësojnë nga e kaluara, të dalin së bashku në zgjedhje dhe të krijojnë një forcë prestigjioze politike e cila do të luante një rol të rëndësishëm politik në Mal të Zi.

Shtatë për qind e popullsisë në Mal të Zi përbëhet nga shqiptarët. Po të ishit të bashkuar, 5 deputetë ndër 80 që ka gjithsej Parlamenti i Malit të Zi do të përbënin një forcë determinuese edhe për përcaktimin e mazhorancës. Cili është komenti juaj që në vetëm 7 për qind të popullsisë shqiptarët janë të shpërndarë , në mos gaboj në 6 parti politike?
-E thatë drejtë, pra po të ndodhte kështu, kjo forcë politike e imagjinuar prej 5 deputetësh do të diktonte mazhorancën dhe opozitën në Mal të Zi, pra do t’i kushtëzonin kërkesat e tyre duke bërë aleancë me një krah që do t’i siguronte një realizim sa më optimal të tyre. Çështja është se shqiptarët , jo vetëm në Mal të Zi, janë dhe mbeten shqiptarë. Është shumë vështirë që të bashkëpunojnë, sidomos ata që janë të ndarë politikisht. Këtë e shkakton edhe liderizmi, karrierizmi por edhe nevoja për mbijetesë sepse 6 parti do të thotë 6 kryetarë, po kaq rroga, administrate që u vjen prapa e kështu me radhë. Nëse hyjmë dhe i analizojmë programet e këtyre partive në lidhje me atë se për çfarë angazhohen nuk do të duheshin më tepër se dy parti; një qendër e djathtë dhe një qendër që është pak më e majtë. Të tjerat janë sajesa dhe shtojca. Pra rreth Unionit Demokratik dhe Lidhjes Demokratike në Mal të Zi është dashur që trupi votues shqiptar të bashkohej dhe së paku të kishim dy drejtime e jo gjashtë si sot.
A mendoni se partia në pushtet e Gjukanovic do të ishte më e predispozuar në lidhje me kërkesat tuaja për vetë faktin se fitorja e pavarësisë së Malit të Zi i duhet ditur për nder shqiptarëve? Me një llogari të thjeshtë ndërkombëtarët vunë një kusht për kapjen jo të 51 por 55 për qind të votuesve pro kësaj pavarësie ndërkohë që shqiptarët që votuan masivisht pro përbëjnë 7 për qind të popullsisë?
-Çështja është se politika malazeze ushqehet me parullën e vjetër “Përça e sundo” dhe asaj i shkon në favor të interesit që shqiptarët të shpërndahen në sa më shumë parti. Unë çmoj se shqiptarët duhet të jenë aq të mençur sa të veprojnë pak ndryshe dhe të jenë së bashku. Shpresoj që të jetë kështu në këto zgjedhje.

Arben  Lagreta
Revista Mapo