Ulqini në tender!

April 14, 2009   | Ekonomia / Ekonomija

tenderi-i-ulqinit-si-i-dubajitAjo që ndoshta është më e keqja, në qoftë se një gjë e tillë vërtetë realizohet, është që Ulqinakët dhe klientët e tyre praktikisht nuk do të kenë ku të lahen!? Sepse, nga 100 mijë turistë të cilët pushojnë këtu gjatë stinës, gjysma e tyre qëndrojnë në Plazhin e Madh.
A na duhet neve gjithë kjo, a do të ndryshojë struktura etnike e qytetit, sa do të vlejë atëherë shtëpia në Shtoj, a do të flejnë në to vetëm mijëra punëtorë që do të punojnë në të ashtuquajturin “Dubai europian”, kujt do t’ia rentojnë dhomat e veta qiradhënësit privatë, kush do ta ndërtojë infrastrukturën e re në këtë komunë, këto janë vetëm disa nga pyetjet që parashtrohen aktualisht. Dhe të cilat mbesin pa përgjigje.
Pas shpalljes së tenderit për valorizimin e Valdanosit, i cili dështoi, e pastaj u vazhdua së pari më 6 prill e pastaj edhe më 15 prill, Qeveria malazeze, një ditë para zgjedhjeve, vendosi që në tender të nxirren edhe Plazhi i Madh dhe Ada. Praktikisht, i tërë Ulqini.
Në Qeveri tashmë kanë llogaritur çdo gjë: vetëm brenda tri viteve të para pas lidhjes së kontratës së qiradhënies, investitorit do t’i duhet që në Plazhin e Madh të realizojë programin e investimeve prej të paktën një miliard euro. “Investimet e mëvonshme duhet të kapin shumën prej të paktën tre miliardë euro”, pohon ministri për Zhvillim Ekonomik Branimir Gvozdenoviq.
Por, edhe ai pranon që nga qiradhënia vjetore prej më se 17 milionë metra katrorë në Plazhin e Madh dhe në Adë priten mezi dy milionë euro!? Kur dihet se për qiradhënien vjetore të Valdanosit dhe Mendrës duhet të veçohen një gjysmë milioni euro, atëherë mund të vihet lehtë në përfundim se qiradhënia e njëzet kilometrave të bregdetit të Ulqinit për një vit do të kapë shumën vetëm 2.5 milionë euro!? Kjo sepse, çmimi i qiradhënies së një metri katror është vetëm 15 centë!? Duhet të theksoj se qiramarrësi i tri hoteleve në Sv. Stefan dhe në Milloçer, kompania “Aman rizorts” e Singaporit paguan dy milionë e njëqindmijë euro në vit.
Data e shpalljes së tenderit dëshmon se edhe në këtë rast ishte fjala për “biberon” paraelektoral, por edhe për skenarin me pasoja të paparashikueshme për Komunën e Ulqinit. Mbase, Qeveria vlerësoi në mënyrë të drejtë që qytetarëve të Malit të Zi, në kohën kur kriza ekonomike dhe financiare gërryen themelet e Malit të Zi, gjëja më e rëndësishme është t’u ofrosh shifra dhe projekte të mëdha, që do të sigurojnë rritjen ekonomike dhe zhvillimin e “mrekullisë ekonomike malazeze” të gjunjëzuar.
Dhe pati sukses, sepse në Plazhin e Madh, siç njoftuan krerët tanë, do të investohen “edhe deri 15 miliardë euro”. Më mirë s’ka ku shkon, neve vetëm për një vit na mungon një miliardë.
Tentuan që edhe ulqinakëve t’ua “shesin“ përrallën se qyteti i tyre do të bëhet Dubai, Rimini, Nica, Kana, Monako, Monte Karlo. Gjithçka tjetër vetëm jo Ulqin. Siç po shihet, me fare pak sukses.
Faktin që në Qeveri kanë nxituar mjaft që të gjejnë të ashtuquajturin partner strategjik e dëshmon e dhëna që me tender është parashikuar që Plazhi i Madh dhe Ada të rentohen me qiradhënie me afat prej 90 vitesh, që është afat maksimal i parashikuar me Ligjin mbi koncesionet. Ky akt juridik gjithashtu parashikon që për koncesionin deri në 30 vite, vendimin e merr Qeveria, kurse mbi këtë afat – Kuvendi i Malit të Zi.
Por, Kuvendin e Malit të Zi, por as Kuvendin e Komunës së Ulqinit, askush nuk i ka pyetur për asgjë dhe as që ka marrë çfarëdo vendimi në lidhje me këtë. Por, do të duhej që: menaxhimi i ambientit hapësinor të ishte në kompetencën e parlamentit lokal.
Në qoftë se këto lokalitete nuk do të ndodheshin nën ingerencën e tij, do të bëhej e pakuptimtë çfarëdo politike dhe mundësia e zhvillimit të qëndrueshëm të kësaj komune.
Përndryshe, nga të gjithë këta tenderë të shumtë në territorin e saj, Komuna do të ketë fare pak levërdi. Një konkluzion i tillë imponohet vetëvetiu, kur dihet se investuesi nuk është i detyruar të paguajë tagrat derisa të zgjasë periudha e investimit. Siç mundohen të na bindin, i tërë projekti i ndërtimit të të paktën 25 mijë shtretërve në Plazhin e Madh do të realizohet brenda 20 viteve.
Ajo që ndoshta është më e keqja, në qoftë se një gjë e tillë vërtetë realizohet, është që Ulqinakët dhe klientët e tyre praktikisht nuk do të kenë ku të lahen!? Sepse, nga 100 mijë turistë të cilët pushojnë këtu gjatë stinës, gjysma e tyre qëndrojnë në Plazhin e Madh.
A na duhet neve gjithë kjo, a do të ndryshojë struktura etnike e qytetit, sa do të vlejë atëherë shtëpia në Shtoj, a do të flejnë në to vetëm mijëra punëtorë që do të punojnë në të ashtuquajturin “Dubai europian”, kujt do t’ia rentojnë dhomat e veta qiradhënësit privatë, kush do ta ndërtojë infrastrukturën e re në këtë komunë, këto janë vetëm disa nga pyetjet që parashtrohen aktualisht. Dhe të cilat mbesin pa përgjigje.
Sido që të jetë, radhën e ka Kuvendi i Komunës së Ulqinit. Ai nuk ka të drejtë shfajësimi! Nga veprimi apo mosveprimi i tij do të varet ardhmëria dhe qëndrueshmëria e këtyre qytetarëve dhe e këtij populli në këtë vend, që për ne është më i bukuri në botë.

Mustafa Canka
Koha Javore

1