Ndikimi i përshtatjes strukturore mbi bujqësinë

April 18, 2009   | Shtypi / Mediji

shtimi_i_investimeve_ne_bujqesi_perballon_krizen_e_ushqimeveStabilizimi ekonomik dhe bujqësia
Objektiv i këtij paragrafi është studimi i ndikimit të përshtatjes strukturore mbi bujqësinë. Momenti i parë i përshtatjes strukturore është stabilizimi ekonomik dhe prek anën makroekonomike kryesisht nëpërmjet administrimit të kërkesës. Sipas trajtimit kejnesian del se rezultati në bilancin e pagesave përcaktohet drejtpërdrejt nga kërkesa e brendshme. Në qoftë se kërkesa e brendshme është më e madhe se të ardhurat kombëtare globale (AKG), atëherë bilanci i pagesave rezulton me saldo negative (duhet blerë jashtë) dhe anasjelltas, balancimi i bilancit të pagesave është rezultat i drejtpërdrejt i ngrirjes së kërkesës së brendshme. Me fjalë të tjera, qeverive që pranojnë programet e përshtatjes strukturore u kërkohet zvogëlimi enorm i kërkesës së brendshme. Kur flitet për zvogëlimin enorm të kërkesës së brendshme, kemi parasysh zvogëlimin e konsumit dhe investimeve publike. Ky operacion prek më shumë bujqësinë për faktin se mbështetja buxhetore për bujqësinë, për vetë veçoritë e bujqësisë, është nga më voluminozet. Është kjo arsyeja që zvogëlimi proporcional i konsumeve për të gjitha degët ndjehet më shumë në bujqësi. Kështu, pakësimi i ndjeshëm i shpenzimeve publike të tipit “konsum përfundimtar” do të ndjehet në funksionimin e institucioneve të kërkimeve shkencore e në bujqësi, në vulgarizimin bujqësore etj; pakësimi i shpënzimeve publike të tipit “investime” do të krijojë problem në degën e bujqësisë për faktin se pesha e investimeve në këtë degë është shumë e lartë (30-50%).
Kur studiohet impakti i “ngrirjes” së kërkesës për bujqësinë, do të ishte mirë të merrej në konsideratë edhe fenomeni i transferimit ndërdikasterial të vlerave (kryesisht bujqësi-industri). Ky transferim mund të jetë buxhetor ose nëpërmjet mekanizimit të çmimit. Transferimi bëhet nga industria në bujqësi kur çmimet bujqësore rriten më shpejt se ato industriale (rrallëherë!) dhe anasjelltas (zakonisht), transferimi bëhet nga bujqësia në industri, ku ndodh inflacion në kushtet e çmimeve bujqësore konstante etj.

Përshtatja struturore dhe bujqësia

Momenti i dytë i programit të përshtatjes strukturore është shpresa për normalizimin e strukturës prodhuese nëpërmjet vendosjes së një sistemi të mirëfilltë çmimesh, në kontekstin e një hapjeje maksimale.

Përshtatja strukturore dhe çmimet

Vendosja e një sistemi të mirëfilltë të çmimeve do të çojë në:
– Rritjen e çmimit të parasë (normës së interesit)
Ky fenomen, i shoqëruar edhe me pakësimin e shpenzimeve buxhetore për bujqësinë, krijon shumë probleme në financimin e aktivitetit prodhues të bujqësisë. Në këto kushte rekomandohet, si e keqe më e vogël, dendësimi i rrjetit të institucioneve të kreditimi pët ta bërë atë më në dispozicion dhe për të kompensuar kështu shkurtimin në shpenzimet buxhetore. Ndërkaq, është në pikëpyetje se a korrespondon kjo me politikën e “ngrirjes” së kërkesës së brendshme të FMN-së?
– Ndryshimin e çmimeve të produkteve bujqësore
Për produktet ushqimore, liberalizimi i çmimeve do të çojë në rritjen e tyre, në qoftë se nga ana e shtetit është përdorur një politikë ushqimore për favorizimin e konsumatorit. Kjo rritje çmimi do të shoqërohet me lehtësim të buxhetit, në qoftë se mbajtja e çmimit në një nivel më të ulët se çmimi i tregut është realizuar nëpërmjet subvencionimit, dhe me ngritjen e çmimit në nivelin e prodhimit, në qoftë se çmimi i ulët në nivelin e konsumatorit është realizuar nëpërmjet mbajtjes së një niveli të ulët çmimi të prodhuesit. Për produktet e rentës, liberalizimi i çmimit do të bëjë që ai të barazohet me çmimin botëror. Në këtë mënyrë, pariteti i çmimit të eksportit do të rritet, nëqoftë se çmimi i administruar ka qënë më i ulët se çmimi real dhe do të ulet në rastin e kundërt. Efektet në buxhet do të jenë negative në rastin e parë dhe pozitive në të dytin.
– Ndryshimin e kursit të këmbimit me efektet që e shoqërojnë
Zhvlerësimi i monedhës si instrument i politikës ekonomike ka si efekt ngritjen e çmimeve të produkteve të eksportuara e të importuara, shprehur në monedhën e vendit. Në qoftë se bujqësia është e pajisur me një aktivitet bujqësor të konsiderueshëm, të orientuar drejt eksportit, atëherë zhvlerësimi i monedhës do të shoqërohet me një ngritje të konsiderueshme të çmimeve të produkteve bujqësore, me ngritjen e paritetit të çmimit të eksportit.

Efektet e ndryshimit të çmimeve
Çmimet e produkteve bujqësore dhe oferta bujqësore

Në literaturën agro-ekonomike flitet për njëfarë jo-elasticiteti relativ të ofertës bujqësore ndaj çmimeve të prodhimeve bujqësorë. Si arsye për këtë mungesë elasticiteti konsiderohet: prania e faktorëve kufizues, ndikimi i riskut dhe pasigurisë, njëfarë fiksiteti relativ i disa sistemeve të prodhimit, marrja e masave të pjesshme të politikës ekonomike, mungesa e koordinimit të faktorëve të çmimit dhe jo-çmimit, etj.
Sipas një shkolle strukturaliste, të konkretizuar në një politikë strukturaliste, nxitja nëpërmjet çmimit nuk jep rezultatet e pritura në kushtet e mungesës së strukturave prodhuese e infrastrukturave. Sipas saj, ngritja e strukturave të infrastrukturave prodhuese fizike e institucionale duhet t`i paraprijë politikës së çmimeve.

Çmimet e produkteve bujqësore dhe bilanci i pagesave

Ngritja e çmimeve të produkteve bujqësore si rezultat i operacioneve të përshtatjes strukturore, në radhë të parë si rezultat i zhvlerësimit të monedhës, normalisht duhet të shoqërohet me rritjen e eksportit dhe paksimin e importit të produkteve bujqësore që të dy faktorët që pasqyrohen në balancimin e bilancit të pagesave.
Të dhënat e një periudhe shumëvjeçare provojnë se eksportet bujqësore janë rritur me ritme më të shpejta se eksportet totale; importet bujqësore janë ngadalësuar.

Çmimet e produkteve bujqësore dhe të ardhurat bujqësore

Ngritja e çmimeve në nivelin e konsumatorit apo të eksportit nuk do të thotë automatikisht ngritje çmimesh në nivelin e prodhuesit. Kur studiojmë çmimin në nivelin e prodhuesit nga çmimi me pakicë duhet të zbresim taksat e ndryshme, marzhet tregtare si dhe pjesën e çmimit që “gëlltitet” nga inflacioni. Në qoftë se pranohet hipoteza e rritjes së çmimit në nivelin e prodhimit si dhe rritja e ofertës bujqësore të nxitur nga çmimi (megjithëse oferta bujqësore është relativisht joelastike ndaj çmimit ajo reagon pothuaj gjithnjë ndaj tij), përshtatja strukturore duhet të shoqërohet me ngritjen e të ardhurave bujqësore.

Çmimet e produkteve bujqësore dhe shpërndarja e burimeve prodhuese në bujqësi

Zhvlerësimi i monedhës së vëndit ka për qellim të impulsojë një rishpërndarje të burimeve prodhuese në bujqësi, nëpërmjet modifikimit të çmimeve relative të produkteve bujqësore të ekspozuara e të paekspozuara ndaj konkurrencës ndërkombëtare. Kjo do të thotë (në një fermë që prodhon për treg) se burimet prodhuese do të kenë tendencën të rrëshqasin nga aktivitetevet e prodhimit të produkteve të eksportit të prodhimit të produkteve të zëvëndësimit të importit. Kjo shpërndarje nuk është produkt i një ligji por një shtrembërim i ri, i quajtur “korrigjim i shtrembërimit negativ”. Justifikimi i një operacioni të tillë është se një rishpërndarje fillestare e mbivlere është e domosdoshme për të hapur ekonominë.

Përshtatja strukturore dhe financat publike

Ndikimi i përshtatjes strukturore në financat publike matet: së pari, duke krahasuar shpenzimet buxhetore për subvencionimin e çmimeve të caktuara bujqësore në një nivel më të ulët se çmimet reale, së dyti, duke krahasuar të ardhurat doganore nga eksportet (ulje) dhe importet (rritje) duke patur parasysh mundësinë e rritjes së fluksit të eksporteve dhe rënies së importeve.

Mr Enis Gjokaj
Koha Javore