Piktori Mehmet Aloja hapi ekspozitën individuale në galerinë e qendrës së kulturës në Ulqin

April 18, 2009   | Kulturë / Kultura

shoqata-e-artisteve-figurative-nga-ulqini-2Piktor origjinal dhe paqësor
“Te Mehmet Aloja shoh një piktor shumë origjinal, një piktor shumë paqësor. Pikturat e tij kanë një ritëm dhe kolorit të ndjeshëm, plot lagështi siç është edhe vetë peizazhi i Ulqinit dhe rrethinat e tij”, theksoi piktori shkodran Agim Kadillari.
Në kuadër të aktiviteteve të organizuara për nder të Ditës së Ulqinit, të dielën në galerinë e Qendrës së Kulturës u hap ekspozita e piktorit Mehmet Aloja.
Për veprat e ekspozuara në këtë ekspozitë dhe krijimtarinë e piktorit Mehmet Aloja foli piktori shkodran Agim Kadillari.
Ai tha se Aloja është një piktor këmbëngulës dhe me një vullnet të jashtëzakonshëm.
“Tek Aloja shoh një piktor shumë origjinal, një piktor shumë paqësor. Pikturat e tij kanë një ritëm dhe kolorit të ndjeshëm, plot lagështi siç është edhe vetë peizazhi i Ulqinit dhe rrethinat e tij”, theksoi Kadillari.
Më tej Kadillari tha se në mesin e veprave të ekspozuara ka peizazhe të atilla që janë të kalibrit europian.
“Një pjesë e tyre mund të zëjë vend në çdo galeri të Evropës”, tha ai.
Autori i ekspozitës, piktori Mehmet Aloja tha se arti pamor do angazhim të madh dhe mjete të konsiderueshme materiale, si dhe që të organizosh një ekspozitë kërkon mjaft punë.
Ai theksoi se “atë çfarë sheh, ai edhe e paraqet në punimet e tij”.
Ekspozitën e hapi kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga.
Piktori Mehmet Aloja u lind më 1943 në Ulqin. Shkollën Normale dhe Akademinë pedagogjike – dega e pikturës, e ka mbaruar në Nikshiq, në vitin 1969, kurse Fakultetin Juridik e kreu në Prishtinë në vitin 1984. Punon si mësimdhënës në Shkollën e Mesme në Ulqin.
Aloja është anëtar i Shoqatës Mbarëshqiptare të Artistëve Figurativë me seli në Tiranë që nga viti 1992 dhe është kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Ulqinit.
Deri tani ka organizuar ekspozita individuale në Teatrin Krahinor të Prishtinës dhe Bibliotekën e Qytetit në Ulqin, si dhe ka ekspozuar në shumë ekspozita kolektive.

I.Kallaba
Koha Javore