Centrali bërthamor: Kroacia mohon zërat për nënshkrimin e marrëveshjes

April 21, 2009   | Shtypi / Mediji

centrali-berthamor-ne-shkoderMediat kroate kanë publikuar një njoftim të Ministrisë kroate të Ekonomisë, ku thuhet se “Qeveria kroate nuk ka lëshuar asnjë informatë lidhur me planifikimin e marrëveshjes për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër”.
Zagreb, 20 prill – Ndonëse gjatë këtyre ditëve është folur shpesh për ndërtimin e një centrali bërthamor në territorin shqiptar, Zagrebi ka mohuar pohimet për nënshkrimin e projektit.
Sipas mediave kroate, centrali do të ndërtohej në Shkodër afër kufirit me Malin e Zi, megjithëse, sipas një njoftimi të Ministrisë kroate të Ekonomisë, Qeveria e Zagrebit nuk ka lëshuar asnjëherë informatën rreth këtij projekti, që përmban nënshkrimin e marrëveshjes për ndërtimin e centralit bërthamor.
Njoftimi i ministrisë kroate mohon edhe shifrën e publikuar, sipas së cilës centrali do të kushtojë 4 miliardë euro, duke e konsideruar atë një spekulim medial që nuk mund të mbështetet me asnjë njoftim zyrtar. Njëkohësisht, theksohet se nënshkrimi i marrëveshjes është i pamundur edhe ngase projekte të këtij lloji kërkojnë vite të tëra negociata dhe planifikime paraprake.
Megjithatë, në planin afatgjatë duket se Tirana dhe Zagrebi po shqytrojnë mundësinë e realizimit të një projekti të tillë, gjë që pranohet edhe nga vetë Ministria kroate e Ekonomisë.

BalkanWeb