Topalli: Nuk do të ndërtohet central bërthamor në Shkodër

April 21, 2009   | Rajoni / Region

jozefina-topalli_shkoder“Ato që thuhen për centralin bërthamor në Shkodër janë spekulime dhe shpifje, dhe në to nuk ka asnjë të vërtetë”. Kjo ishte deklarata e dhënë nga Kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, gjatë një takimi me banorë të fshatit Ashtë të komunës Bushat në Shkodër. Teksa ka folur lidhur me investimet e qeverisë, Topalli u pyet edhe për një marrëveshje të përfolur mes Shqipërisë dhe Kroacisë për ndërtimin e një centrali bërthamor në qytetin e Shkodrës, i cili do të furnizonte me energji Kroacinë, duke u nisur nga fakti se në mediat kroate, pak kohë më parë u dhanë detaje edhe mbi vlerat përkatëse, si dhe emri i firmës ndërtuese. Por Kryetarja e Kuvendit, njëkohësisht edhe deputete në Shkodër, u shpreh prerë se gjithçka që thuhej për centralin bërthamor në Shkodër ishin vetëm spekulime dhe shpifje, pasi në to nuk kishte asnjë të vërtetë, duke mos dhënë asnjë koment tjetër në këtë drejtim. Vetëm dy ditë më parë ishte Ministria kroate e Ekonomisë ajo që përgënjeshtroi zërat lidhur me mundësinë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje shqiptaro-kroate në fund të muajit. Nga ana e qeverisë u deklarua se prej saj nuk ishte bërë asnjë plan për arritjen e një marrëveshjeje të tillë me Shqipërinë në këtë kohë. Ministria kroate u shpreh se nënshkrimi i një marrëveshjeje të tillë ishte i pamundur, edhe për faktin se projekte të këtij lloji kërkonin vite negociatash dhe planifikimesh paraprake. Gjithashtu, qeveria kroate mohoi shifrën e publikuara në mediat e saj, se centrali do të kushtonte katër miliardë euro. Por, pavarësisht mohimit që i bën Kryeparlamentarja një zhvillimi të tillë të mundshëm, duket se Kroacia dhe Shqipëria po e konsiderojnë seriozisht një alternativë të tillë, jo vetëm se të dy vendet janë shprehur pro faktit të centraleve bërthamore, por edhe se vetë Ministria kroate e Ekonomisë ka konfirmuar dy ditë më parë se për këtë çështje është diskutuar gjatë vizitës zyrtare që zhvilloi në fund të marsit në Tiranë, zëvendëskryeministri kroat, Damir Polancec. Lajmi për ndërtimin e një centrali bërthamor në Shkodër solli edhe reagimin e qytetarëve të këtij qyteti. Pak ditë më parë, nëpër qytet u shpërndanë trakte të ndryshme me shprehjet: “Ndal Bombës Atomike”! “Ndal centralit nuklear në Shkodër”! “Ndal vdekjes”! “Ndal shkatërrimit të qytetit tonë”! “Ndal radioaktivitetit”! “Ndal vdekjes së parakohshme dhe lindjes së fëmijëve me deformime”! Bashkohu që të ndalosh kancerin në qytetin tonë. Këto fjalë u shkruan në dy lloj posterash të vendosura në disa vende në qendër të qytetit të Shkodrës. Posterët u vendosën në një rreze jo më shumë se 200 metra nga vendi ku dikur ishin të vendosur “5 heronjtë e Vigut”. Në to paraqiteshin edhe foto të njerëzve që vuanin pasojat e incidenteve të centraleve bërthamore. Ndërtimi i një centrali bërthamor u mohua edhe nga autoritetet lokale. Por, ndërkohë, për ndërtimin e tij reagoi edhe qeveria e Malit të Zi, e cila e hodhi poshtë një alternativë të tillë, duke e konsideruar shumë të rrezikshëm, nisur nga fakti që Shkodra është një qytet shumë afër territorit të saj.

SHEKULLI

YouTube Preview Image