Çështja e Kohës Javore dhe e drejta jonë në informim

April 27, 2009   | Shoqëria / Društvo

robert-camajKoha ishte muri mbi të cilin lamë gjurmë, muri i vetëdijes sonë, muri ku qanim hallet publikisht, forumi ku u bashkuam, ku u njoftuam, ku nganjëherë edhe u penduam që shkruam për shkak të konseguencave që patëm.
Shkrirja e “Kohës Javore” e paralajmëruar, e ishalla shkon ne veshë të shurdhër, shuan një zë apo të vetmin zë të shkruar të shqiplexuesve në vendin e “shqiponjave të praruara”.
Ata që janë mësuar me këtë të përjavshme, do ndihen të hendikepuar, sepse na ka shërbyer si grumbulluese e kujtesës sonë kolektive që nuk lejon të harrohet.
Është folur, e nuk kujtohet më, është parë por kemi parë të tjera gjëra prandaj edhe i kemi fshirë nga memoria por “Koha Javore” ka bashkuar dhe arhivuar të thënat e të bëmat në formën e cila nuk lejon të vetëmohohesh apo edhe të autodemantohesh.
Ne që ruajm me fanatizëm të gjithë numrat e saj dimë dhe vlerësojmë rëndësinë që pati kjo revistë për gjithë atë periudhë sa ishte dhe vazhdon të jetë në mesin tonë.
Përsëri ne, por tash jo më si lexues por si pjesë e saj në një formë apo në një tjetër, lajmi për shuarje na ka frikësuar meqenëse “Koha Javore” që na trimësojë të shkruajmë dhe mendimet tona t’i themi haptas po humbet.
Koha ishte muri mbi të cilin lamë gjurmë, muri i vetëdijes sonë, muri ku qanim hallet publikisht, forumi ku u bashkuam, ku u njoftuam, ku nganjëherë edhe u penduam që shkruam për shkak të konseguencave që patëm.
Pambarimisht me Kohën edhe u ndiem më të sigurt, dhe për shtrirjen që pati shërben edhe si licenca e shumë mendimeve tona që i hedhëm të parët e më vonë u huazuan nga tjerët.
Koha shumëkë e ka mësuar, e ka pasuruar, e ka demaskuar, përmes saj kemi shprehur vetëdijen tonë qytetare dhe kemi reaguar kur kemi menduar se jemi cenuar.
Ky mur mbi të cilin shkruam, rrezikon të shembet dhe atë që ajo krijoi, pra opinionistët e saj u kanoset që të heshtin së bashku me Kohën.
Shpresoj se ajo mendjekeqe e cila për një çast qe hutuar e nuk diti çfarë lajmi të lig po xierr nga goja, do reflektoje dhe do ndalet e të shohë dëmin të cilin do e shkaktonte sikur do të rrënonte këtë ledh në informinim shqip, në formën e saj të shkruar.
Sido që të jetë, “Koha Javore” duhet të vazhdojë, e drejta jonë në informim duhet të xirret edhe nga fakti se kemi nevojë që edhe të krijojmë mendimin e qartë dhe analitik për udhën në të cilën shkon dhe duhet shkuar shoqëria jonë shqiptare në Mal të Zi.
Nëse “Koha Javore” nuk arsyeton veten financiarisht apo nëse nuk ka leverdi finansuesi për të, ai duhet të gjejë menyra të tjera për vetëqëndreshmërinë e saj e assesi të propozojë amputimin e saj si revistë.
Nëse vlen mendimi i një individi, për mua shuarja e “Kohës Javore” është e barabartë me shuarjen e të drejtës time që të kam një mjet informimi në formën e shkruar në gjuhën time.
Nëse kjo e drejtë kushtetuese për të drejtat e mia kolektive dhe individuale nuk respektohet atëherë unë qenkam jetim në tokën e shqiponjave të praruara, dhe dikush më indikon se vendi im është në tokën e shqiponjave të zeza.
Unë isha duke pjekur mendimin në koken time se në Mal të Zi janë formuar kushte për themelimin e revistave të specializuara nga lëmitë e ndryshme në gjuhën shqipe, kur nga qendra vjen lajmi se ekziston mundësia të shuhet edhe kjo e vetmja e cila ka karakter të gjithanshëm.
Gjithsesi unë e marr si një provokim, organet e ndryshme shtetërore ngandonjëherë bëjnë edhe atë punë, pra provokojnë dhe kjo është legjitime, dhe nuk besoj se nga ky zë do dalë gjë.
“Koha Javore” ka ndezur pishtarin e cila është kod i nderit në trevat tona, dhe si i tillë do mbrohet me tërë forcën intelektuale që kemi.
Sikur të ndodhë e kundërta, me “Kohën” shuhet edhe fjala më e fortë, ajo që i pengon çdokujt që është mik i harresës, ithtarët e shuarjes se saj janë trashëgimtarët e drejtpërdrejtë të kohërave të errëta nga e cila nuk ndahen dot.
“Koha Javore” duhet të jetë projekti mbi të cilin duhet punuar të gjithë ne shqiptarët në Mal të Zi apo edhe ne që kemi një interes të veçantë që ajo të mbijetojë, dhe i ftoj të gjithë ata që kanë shkruar dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë përmes “Kohës Javore” që të bëhet një takim ku do shqyrtohen mundësit se si ajo të ketë një grup informal në krah të sajë.

Robert Camaj
Koha Javore