Shkodër, protestë kundër centralit bërthamor

April 27, 2009   | Rajoni / Region

protesta-kunder-centralit“Jo centraleve bërthamore kudo në Shqipëri”, ka qenë apeli që ka bërë sot shoqëria civile në Shkodër në një protestë paqësore. Me parulla kundër ndërtimit të centraleve bërthamore në Shkodër dhe Shqipëri, qytetarët e grumbulluar në sheshin e Parrucës kanë ecur drejt nëpër shëtitoren e qytetit, para prefekturës, bashkisë dhe nëpër rrugën pedonale. Protestuesve të organizuar i janë bashkuar dhe qytetarë të ndryshëm të cilët janë ndodhur rastësisht në këtë rrugë. Sipas organizatorëve që janë individë që përfaqësojnë organizata rinore dhe nga biznesi, është zgjedhur 26 prilli për të protestuar rreth problemit të mundësisë së ndërtimit të centraleve bërthamore në Shkodër dhe në Shqipëri, pasi kjo date është e fiksuar në memorien e çdo vendi, pasi më 26 prill ndodhi tragjedia në centralin bërthamor të Çernobilit. Sipas tyre, kjo protestë nuk ka asnjë motiv politik dhe kërkesa e shoqërisë civile në emër të qytetarëve shkodranë është që qeveria aktuale apo dhe kushdo tjetër që mund të vijë në pushtet, të hartojë e miratojë një ligj ku të ndalohen në mënyrë të prerë ndërtimet e centraleve atomike në Shqipëri. Protestuesit kanë lëvizur duke hedhur dhe parulla kundër centraleve bërthamore. Në protestë ka pasur të pranishëm dhe drejtues të PS-së, në Shkodër, si protestues të zakonshëm në mes të tjerëve.

Anila Dushi,

SHEKULLI

YouTube Preview Image