Traktatet e Bashkimit Evropian dhe e drejta komunitare

April 27, 2009   | Shtypi / Mediji

evropa-per-te-gjithe-_horizonti-i-ri_ulqin

Bashkimi europian është një sistem juridik origjinal i cili mbështetet në traktate të ratifikuara nga vendet anëtare. Këto traktate përbëjnë themelin e së drejtës komunitare dhe qëndrojnë mbi legjislacionet kombëtare. Të gjitha dispozitat ligjore që miratohen nga institucionet komunitare, duhet të jenë në përputhje me këto traktate të cilët përshkohen nga disa parime themelore (si, liria, demokracia, respektimi i të drejtave të njeriut dhe i lirive themelore si dhe shteti i së drejtës) dhe përcaktojnë kompetencat që vendet anëtare i delegojnë Bashkimit Europian.

Traktati i Parisit
Gjashtë shtete evropiane – Gjermania Perëndimore, Franca, Italia, Belgjika, Holanda dhe Luksemburgu nënshkruan më 18 prill 1951 Traktatin e Parisit me të cilin është themeluar Bashkësia Evropiane e Qymyrit dhe Çelikut (ECSC). Pra, ministri francez i Punëve të Jashtme, Robert Shuman dhe ekonomisti i njohur francez Zhan Mone, që në vitin 1950 sjellin të ashtuquajturin Planin e Shumanit për themelimin e ECSC-së, gjegjësisht të vendosjes së tërë prodhimtarisë të qymyrit dhe çelikut të Francës dhe Gjermanisë nën udhëheqjen e përbashkët, kurse organizata ka qenë e hapur edhe për shtetet e tjera evropiane. Motivi për këtë bashkëpunim francezo-gjerman nuk ishte vetëm ekonomik, por edhe politik. Qymyri dhe çeliku kanë qenë degët vendimtare të industrisë së luftës, kështu që një organizatë e tillë në mënyrë efikase ka mundur t`i parandalojë konfliktet e ardhshme.

Traktati i Romës
Hapi tjetër drejt formimit të BE-së është bërë më 25 mars 1957. Gjashtë shtete në Romë nënshkruajnë të ashtuquajturin Traktati i Romës për formimin e Bashkësisë Ekonomike Evropiane (BEE). Në të njëjtën kohë është përfunduar kontrata për themelimin e Bashkësisë për Energjinë Bërthamore-EURO­ATOM.
Me këtë Kontratë shtetet anëtare kanë filluar t`i zhdukin barrierat dhe të formojnë të ashtuquajturin treg të përbashkët.

Traktati i Mastrihtit
Me Traktatin e Mastrihtit (nënshkruar në vitin 1992 dhe ratifikuar në vitin 1993) është bërë revidimi më radikal deri atëherë i BEE–së. Me këtë traktat janë vendosur qëllimet ekonomike dhe monetare të bashkësisë, valuta e përbashkët, politika e përbashkët e jashtme dhe e sigurisë, politika e përbashkët e mbrojtjes, futja e nënshtetësisë së Bashkësisë, bashkëpunimi i ngushtë në sferën e Gjyqësisë dhe Punëve të Brendshme.

Traktati i Amsterdamit
Traktatin e Amsterdamit e kanë nënshkruar ministrat e punëve të jashtme të shteteve anëtare në tetor të vitit 1997, kurse ka hyrë në fuqi në vitin 1999. Juridikisht, Traktati i Amsterdamit përmban disa shtojca në Kontratën mbi Bashkimin Evropian dhe si e tillë nuk zëvendëson traktatet e tjera, por në mënyrë të barabartë hyn në aktet juridike të Bashkësisë. Kjo është e fundit në radhën e traktateve mbi Bashkimin Evropian.

Traktati i Shengenit

Me Traktatin e nënshkruar në qershor të vitit 1985 në Shengen (Schengen), RF e Gjermanisë, Belgjika, Franca, Luksemburgu dhe Holanda janë marrë vesh për heqjen graduale të pikave të brendshme, të përbashkëta të kontrollit kufitar dhe futjen e lirisë së lëvizjes për të gjithë personat fizikë – shtetasit e shteteve nënshkruese të Traktatit, shteteve të tjera anëtare të BE-së ose të shteteve të tjera. Traktati i Shengenit dhe konventa, së bashku me deklaratën dhe vendimet e marrura nga ana e Këshillit ekzekutiv të Shengenit, e përbëjnë të ashtuquajturin ” acquis ” të Shengenit i cili ka hyrë në tekstin e Traktatit (1997), meqenëse ka të bëjë me një pjesë të tregut të brendshëm – qarkullimin e lirë të njerëzve.

Traktati i Nicës

Ky traktat është harmonizuar në fund të vitit 2000 dhe me të janë paraparë reforma të rëndësishme institucionale të BE-së, para së gjithash mekanizmat që do të mundësojnë zgjerimin, rindarjen e votave në Këshillin Evropian, heqjen e të drejtës së vetos lidhur me disa çështje (politika e imigrimit nga viti 2004, fondet strukturale nga viti 2007) dhe mekanizmi i bashkëpunimit të sforcuar.

Kushtetuta e Evropësevropa-per-te-gjithe-_horizonti-i-ri_ulqin1

Kushtetuta e Bashkimit Evropian është një kontratë e re evropiane, të cilën Këshilli Evropian e ka miratuar në Bruksel më 17-18 qershor 2004. Kushtetuta paraqet hapin përfundimtar në procesin e gjatë të integrimeve. Kushtetuta për Evropë paraqet një tekst të veçantë, i cili përmban katër tërësi:

  • • Normat themelore me të cilat definohet Bashkësia, qëllimet e saj, kompetencat, procedurat me rastin e marrjes së vëndimeve dhe institucionet e Bashkimit Evropian;
  • • Karta për të drejtat themelore të cilën Këshilli Evropian e ka miratuar në Nicë;
  • • Politika dhe aktivitetet e Bashkësisë, si dhe normat e marrura nga traktati, të cilat janë ende në fuqi
  • • Normat përfundimtare dhe procedurat e parapara për miratim dhe revidim të Kushtetutës.

Kushtetuta e Evropës është refuzuar në referendumet në Francë dhe në Holandë, në vitin 2005, për çka është nënshkruar Marrëveshja e Lisbonës, e cila në masën më të madhe paraqet versionin “e spastruar“ të Kushtetutës së BE-së.

Traktati i Lisbonës (Traktati reformist)

Traktati i Lisbonës është nënshkruar më 13 dhjetor 2007, në bazë të marrëveshjes mbi traktatin reformist të BE-së. Me qëllim që të hyjë në fuqi deri në zgjedhjet për Parlamentin Evropian, gjegjësisht deri në qershor të vitit 2009, është e nevojshme që ta ratifikojnë të gjitha shtetet.

Përgatitur për botim nga Horizonti i Ri

1