Demokristianët fusin Qetsorin në listën e deputetëve për Vlorën

qetsori-ne-loje-big-brother-albania-2Partia Demokristiane e Nard Ndokës, ka njoftuar dje në një deklaratë për shtyp, se një nga emrat e listës me 12 deputetë që kjo parti do kandidojë në zonën e Vlorës, është edhe Qetsori, personazhi i njohur i shtëpisë së “Big Brother Albania 2”.
Njoftimi zyrtar i demokristianëve, shpërndarë në e-mail-et e gazetarëve, flet për një takim partiak dje në Vlorë dhe shton: “Të 12 kandidatët e prezantuar për këtë qark, premtuan se do të jenë zëri i qytetarëve vlonjatë në qeverisjen e ardhshme. Listën e kryeson kryetari i PDK-së, dega Vlorë. Një kandidat tjetër, i cili mori një mbështetje të fuqishme nga të pranishmit, edhe pse nuk ishte prezent, ishte Qetsor Ferruti, një nga personazhet shumë të njohur tashmë të show-t televiziv, ‘Big Brother 2’…”
Demokristianëve u ka shkuar mendja mirë, por ne kishim një pyetje: Qetsori duhet të ndihet i vlerësuar, apo i shfrytëzuar? Ka një “sekret” me mënyrën e re të votimit, që ndoshta zgjedhësit ende nuk e kanë kuptuar mirë.
Partitë marrin vota sipas siglës dhe deputetët bëhen sipas listës. Mund të qëllojë që PDK-ja merr vota nga prania e Qetsorit në listë, por nuk merr kurrë aq sa Qetsorit t’i vijë radha për t’u bërë deputet. D.m.th., një tjetër andej nga kreu, përfiton nga votat që korr prej Qetsorit. Siç thotë dhe ajo fjala e urtë e bukur vlonjate: “Fatin dhe taksiratin, një fill përi i ndan…”