Leonora Jakupi: ‘Ky është fundi’, një temë e dashurisë

May 14, 2009   | Lajmet / Vijesti

leonora-jakupiKënga dhe videoklipi “Ky është fundi” trajton temën e dashurisë, por jo të Leonora Jakupit, e cila thotë se i pëlqeu teksti, por shton se ai nuk ka të bëjë me jetën e saj private.
Jemi mësuar që këngëtaren Leonora Jakupi ta shohim gjithnjë me paraqitje të reja, me këngë dhe videoklipe të ndryshme. Ajo sapo ka lansuar në treg singëllin më të ri të quajtur “Ky është fundi”. Këngës Leonora ia ka realizuar edhe videoklipin, i cili po vazhdon të shfaqet në ekranet tona televizive. Për më shumë rreth këtij projekti, për lexuesit e gazetës “Kosova Sot”, flet Leonora Jakupi.

“Kosova Sot”: Sapo keni nxjerrë në treg këngën dhe videoklipin më të ri, si e komentoni?
Leonora Jakupi: Jam munduar të punoj në mënyrë që adhuruesve të mi të kem çka t’u sjellë. Besoj se ia ka vlejtur.

“Kosova Sot”: Sa jeni e kënaqur me punën në këngë dhe videoklip? A është bërë realizimi ashtu siç e keni paramenduar?
Leonora Jakupi: Jam shumë e kënaqur me realizimin. Dëshmi për këtë është edhe fakti se që në start videoklipi dhe kënga po pëlqehen në publik. Në realitet, deri më tani për këto pak ditë që ka dalë në treg kënga dhe spoti kam marrë shumë kritika të mira. Andaj, nga kjo kam vërejtur se ky projekt imi po pëlqehet në opinion.

“Kosova Sot”:
Sa kohë është punuar në këngë dhe videoklip?
Leonora Jakupi: T’ju them të drejtën, kam punuar shumë në të dyja, si në këngë ashtu edhe në spot.

Më është dashur rreth katër muaj kohë për t’i përgatitur. Natyrisht se kjo ka qenë dëshirë imja të punoj në një periudhë pak më të gjatë, në mënyrë që projekti të punohet sa më mirë dhe të arrijë rezultate të duhura. Pra, me këtë kohë të gjatë pune kënga dhe klipi kanë dalë mirë.

“Kosova Sot”: Kënga ka një tematikë dashurie, ishte kërkesë juaja një tekst i tillë apo?
Leonora Jakupi: Kënga trajton temën e dashurisë. Këtë tekst ma ofroi Avniu dhe më pëlqeu. Kjo ka qenë edhe dëshirë imja. Po ju them se kjo nuk ka të bëjë me jetën time private. Thjesht, më pëlqeu ky tekst i këngës nga Avniu.
Komponimin dhe orkestrimin e këngës e ka realizuar Ocko.

“Kosova Sot”: Ku është  realizuar videoklipi i këngës?
Leonora Jakupi: Videoklipi i këngës është përgatitur në Shkup, përkatësisht në produksionin “Fabrika”.

“Kosova Sot”:
Kush ju ndihmoi për dukjen tuaj në spot?
Leonora Jakupi: Për veshjen time në klip është përkujdesur disenjatori i njohur Valdrin Sahiti, grimin ma ka bërë “Studio Sellma”, ndërsa për flokë është kujdesur Armendi nga “Hair Wouge”. I falënderoj të gjithë që më ndihmuan në paraqitjen time në këtë spot.

“Kosova Sot”:
Keni pasur sponsor në këtë videoklip?
Leonora Jakupi: Jo, sponsor nuk kam pasur, vetë me mjetet e mia e kam financuar tërë këtë projekt muzikor.

“Kosova Sot”: Cila është surpriza e radhës që do t’ua sillni adhuruesve?
Leonora Jakupi: Shumë shpejt do të nis përgatitjet edhe për një këngë dhe videoklip të ri, të cilin do ta lansoj gjatë këtij sezoni veror.
Nuk preferoj të flas më shumë rreth këtij projekti, le të jetë një befasi për adhuruesit e mi.

Kastriote BAJRAMI
Kosova Sot

YouTube Preview Image
48