Për të vërtetën mjafton vetëm një votë

June 1, 2009   | Reportazh / Reportaža

muhamet-nika_ulqinPo të kishim këtë situatë atëherë kërkush nuk do të kishte nevojë që ta zëmë në këto zgjedhje të kërkonte deputetin e Anës së Malit i cili për hesapin tonë u demonstrua në mënyrë tepër subjektive dhe me një zë memec duke mbetur në pakicë në të gjitha vendvotimet e Anës së Malit. Kjo ndodhte jo sepse kemi të bëjmë me një ide të çoroditur, por sepse ideja nuk ishte në hap me kohën.
Po provoj të tregoj atë që ndjeva gjatë dhe pas leximit të librit të Budisllav Kralit për parlamentarizmin në Mal të Zi. Duke u ndalur në autobiografitë e deputetëve tanë të legjislaturave të kaluara, ajo që më tërhoqi vëmendjen ishte biografia e njërit prej tyre, me të cilën ai kishte zgjedhur të bëhej i dalluar nga të tjerët. Pa dyshim që ai kishte përzgjedhur pjesët më të rëndësishme të jetës së tij.
Biografia e shprehur në këtë mënyrë të çon mendjen që pas thyerjeve të sistemeve shoqërore strukturat e sistemit mundohen të mbijetojnë duke u riparuar me kuadro nga fidanishtet e sistemit. Finadishte të sistemit komunist në atë kohë ka qenë Lidhja Socialiste. Në historinë e organizimit politik të shqiptarëve hetojmë që Lidhja Demokratike ishte shansi i fundit i mbijetesës komuniste, kurse ngjashmëritë e kësaj faze çuditërisht mund t`i gjejmë në Lidhjen e Prizrenit pas rënies së pushtuesit turk. Po më kujtohet një shkrim intrigues në mujoren “Albanika” për Lidhjen e Prizrenit ku autori udhëheqësit e Lidhjes i përshkruan si elementë shqiptarë pro turk, i cili me këtë organizatë dëshironte që të mbante akoma në jetë sistemin alla turka të organizimit të shtetit shqiptar. Për këtë autori përmend një shkresë të një agjenti të Mbretërisë britanike në Ferizaj i cili në raportin e vet njoftonte Mbretërinë që këto (Lidhja e Prizrenit) dëshirojnë të kenë shtetin e vet me bejlerët e vet, kaditë e vet, mexhlisin e vet dhe të sundojnë sipas sheriatit e kurrgjë më tepër. Nga kjo po shihet se për kohën nuk mund të krenohemi me Lidhjen shqiptare të Prizrenit ashtu siç jemi mësuar deri më sot. Por më duket se kështu duhet të qëndrojë puna edhe me Lidhjen shqiptare të viteve 90. Zatën, partia mëmë e LD në MZ, LDK-ja nuk solli diçka të re në skenën politike të Kosovës deri me daljen në skenë të Partisë Demokratike të z. Thaçi i cili stërnipërve të agjentit të mbretërisë së dikurshme, anglezit Hollbruk ia kujtoi se kjo parti mendon që lirinë e Kosovës duhet ta fitojë me kryengritje të armatosur dhe vërtetë kështu u bë. Pa dashur dikë ta nënvlerësojmë në kohë mendoj që prova për të dhënë lidhje të logjikshme ndërmjet dy periudhave të lidhjeve shqiptare po del se është një e përsëritur në mënyrë te vazhdueshme, pra ajo që jemi vetë. Dhe kështu pasi që kjo histori shqiptare deri në këto momente ku shqiptarët vendosën aty ku duhet në NATO, punët tona këndej kufirit po duket’ ia përngjasin forcës së gravitetit e cila mund të punojë për ose kundra nesh duke mos na lejuar për të shkuar aty ku duam, pra në hënë, kuptohet në mënyrë metaforike. Po shtojmë se për tu shkëputur nga toka sipas ligjit të gravitetit – (kupto për t`u shkëputur nga skena politike aktuale), kërkohet një përpjekje e fuqishme në mënyrë që liria jonë të zëjë vend në një dimension tërësisht të ri, por meqë kjo s`po ndodhë, do arsyetuar fenomenin mbi bazën e një diagnoze për të bërë gati recetën përkatëse. Kujtojmë që në kohën pas viteve 90, politika e komitetlinjve të vjetër na doli diçka më e fortë ose më intrigante se ajo e partisë nacionale, që mendohej se jo vetëm që do të hante bukë, por që edhe do të pinte ujë pas rënies së komunizmit në vitet 90.
Dhe nëse në fillim na u duk se me krijimin e saj do t`u shkonin për kryeshnosh komitetlinjve të vjetër, sot na duket që pikërisht mu ato kuadro komuniste kanë filluar të vihen në krye të udhëheqjes nacionale për të na shëndoshur kryet si komb nga idetë e djathta. Mbaj mend që diku në vitet 90 dështuam në përpjekjet për të prurë në krye të LD-së kuadrot e sprovuar shqiptarë që vinin nga familje të sprovuara patriotike dhe të cilët pastaj veten e gjetën në radhën e DPS-it.rasti i refuzimit të pranimit në lidhje të deputetit Luigj Shkreli flet për fenomenin-por edhe zoti Nikollë Gegaj ishte anetar i Forumit “Rinor” të LDMZ dikur dhe për pasoje duke menduar dhe imagjinuar gjimnastikën politike të këtyre kuadrove krijohet përshtypja se demokratëve të legjislaturave politike aktuale po iu japin mësim personazhet komunistë të cilët me sjelljet e veta janë të llojit që kombi ynë i pati havale edhe ne kohën e Nolit, e i cili pas restaurimit të regjimit të Zogut qe shprehur:
“Ti Alim që s’di këndim je vezir për në arsim, ti Selim që je kusar, je vezir për në thesar!”Kështu sot për vete mund t`u themi përshëndetje e selam atyre që u përpoqën “ta përmutin” komunizmin ngase po na duket që lojën e fituan brenda tyre, komitetlinjtë e vjetër. Kurse për ta (demokratët) mbase dikur do të këndohet ndonjë parodi therëse: “Pak pa dekë fryma u ka dalë, kur kanë dekë e kan thanë një fjalë…” që do të thotë se paskemi le tës vdekur dhe pa faktorin ndërkombëtar del që s’jemi për këto punë. Barra ideologjike, pastaj mungesa e fantazisë dhe perceptimi tepër provincial i politikës i shtyri shpeshherë liderët e politikës të shkojnë aq larg sa filluan t`i lypin vetes mejdan! Ata duke dëshmuar dhe mbiçmuar prejardhjen e origjinës, fshatare dhe qytetare, filluan që nganjëherë t’i nisin njëri tjetrit edhe depeshë lufte.. Ky mëkatnim ishte jashtëkohorë, sepse po bëhej në kohën kur segmentet e ndryshme te shtetit filluan ta trashnin zullumin ndaj shqiptarëve.
Përmasat edhe dimensionet e urrejtjes që qitën krye në një hapësirë kaq të vogël si kjo, gjatë viteve të 90-ta të kujton Ulqinin e shekullit XIV, kur popullsia e kalasë ishte e hasmëruar me popullsinë e vendosur rreth Sahat kullës që ishte një shtresë e zanatçinjve- ndërsa hasmëria ndërmjet dy popullatave i shtynte këta të kalasë që ta gjuanin popullsinë rreth Sahat kullës madje edhe me top! Duke gjurmuar në historinë e këtij sherri, kalibri i politikanëve lokalë me sa duket për nga mendësia e vet, nuk ndryshon për kohën nga ai i mesjetës. Për një çerek shekulli energjia popullore filloi të digjej dhe u dogj e tash po shihet se shqiptarët edhe me pluralizëm filluan të bienë në gjumë pa u zgjuar mirë. Gjatë vitit `96 e më herët LD në Ulqin u nda në dy krahë, në atë fshatar dhe qytetar. Në atë kohë ndoshta me tolerancë e mirëkuptim politik është dashur që problemi të heshtej dhe të mbahej nën kontroll derisa të konsumohej. Po të kishim këtë situatë atëherë kërkush nuk do të kishte nevojë që ta zëmë në këto zgjedhje të kërkonte deputetin e Anës së Malit i cili për hesapin tonë u demonstrua në mënyrë tepër subjektive dhe me një zë memec duke mbetur në pakicë në të gjitha vendvotimet e Anës së Malit. Kjo ndodhte jo sepse kemi të bëjmë me një ide të çoroditur, por sepse ideja nuk ishte në hap me kohën.
Për të rrumbullakuar mendimet e shprehura politike e që i shkon për shtat situatës cekim se jasht vendvotimeve të Anës së Malit dhe vendvotimeve ku ka anamalas në Ulqin, ky deputet nuk u votua nga qytetarët që nuk ishin me origjinë anamalase! Vlen pët t’u përmendur që në zgjedhjet e mëparshme kur z. Sinishtaj doli vetë në zgjedhje si Alternativë jashta Anës së Malit në Komunën e Ulqinit fitoi 300 vota, supozojmë që këta tashti votuan z. Holli si deputet i Anës së Malit. Lëngata e bacilit të ndasive shqiptare bën që kandidatët anamalas të mos votohen nga trevat e tjera shqiptare si Ulqini në kuptimin e ngushtë, rrethina e tij, Plavë e Guci e kështu me radhë, çka do t`ishte një temë me interes të thuhet përse ndodhë kështu kur dihet që zgjedhësit e Anës së Malit pa hamendje votojnë kandidatët e trevave të tjera shqiptare. Do t`ishte me interes që partitë të cilat kërkojnë votat edhe në Anë të Malit nëse dëshirojnë të mos zhyten në lokalizma të vënë për bartës të listave në të ardhmen ndonjë kandidat nga kjo trevë. Por është inkurajues fakti i kandidatit anamalas për deputet, Ali Rexha, i cili jashtë trevës së vet pati rreth 400 vota.

Muhamet Nika
(Autori është kryetarë i Kuvendit Komunal të Ulqinit)
Koha Javore