Mali i Zi – Shqipëri,paketa të përbashkëta turistike

June 4, 2009   | Ekonomia / Ekonomija

dhoma-e-tregtis-e-industris_tiranDy vendet fqinje, me vijë bregdetare mahnitëse, kanë rënë dakord paraprakisht të promovojnë sektorin e turizmit, si mundësi e veçantë për të zhvilluar ekonomitë. Shqipëria dhe Mali i Zi, një pjesë të rritjes ekonomike ia faturojnë turizmit, sidomos atij bregdetar dhe për këtë qëllim po shikohet mundësia e krijimit të një pakete të përbashkët promovimi. Ideja është hedhur nga pala malazeze dhe pritet të finalizohet me ardhjen në Tiranë të ministrit të Turizmit të vendit fqinj, në ditët e para të qershorit. Palët mendojnë për krijimin e një vije bregdetare të përbashkët, nga Kotorri deri në Sarandë, duke qenë se edhe pika doganore mes dy vendeve është e unifikuar. Ky është njëri detaj i bashkëpunimit mes dy vendeve, falë iniciativës së dhomave përkatëse të Tregtisë, të cilat zhvilluan dje një takim në Tiranë në kuadër të Forumit Ekonomik. Raporti ekonomik mes Shqipërisë dhe Malit të Zi paraqitet modest, me pak marrëveshje ndërmjet dy qeverive, përveç ndërtimit të stacionit elektrik 400 kv Tiranë-Podgoricë.
Marrëveshja
Rreth 50 biznese të Malit të Zi dhe po kaq biznese shqiptare ishin prezent në Forumin Ekonomik për të shkëmbyer eksperiencat e tyre, si dhe për të parë mundësinë e bashkëpunimit në fusha konkrete. “Unë ngre zërin për të apeluar se Shqipëria dhe Mali i Zi duhet të thellojnë bashkëpunimin për hir të afërsisë gjeografike, të historisë që ndajnë dhe aspiratave për destinacionin e shumëdëshiruar, BE”, tha Gjokë Uldedaj. Kompani që merren me turizmin, ndërtimin apo prodhimet e ndryshme bujqësore e blegtorale ishin pjesë e këtij forumi, duke u ndalur në hapa konkretë të bashkëpunimit me homologët e të dyja vendeve sipas sektorëve përkatës. Në këtë forum biznesi merrnin pjesë kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë, Gjokë Uldedaj, homologu i tij i Malit të Zi, Velimir Mijuskoviç, ministri i Kulturës dhe Turizmit etj. Palët u fokusuan më tepër te bashkëpunimi, te turizmi, duke qenë se një pjesë e mirë e të ardhurave krijohen nga ky sektor. Dy vendet janë duke u përballur nga presione të vazhdueshme të krizës financiare, e në këtë pikë po shikojnë mundësinë e mbështetjes nga njëra-tjetra. I pranishëm në forum ishte edhe zv/ministri i Ekonomisë të Malit të Zi, i cili pranoi faktin se vendi i tij ndodhet në presion të vazhdueshëm nga kriza dhe se shikonte me mjaft leverdi bashkëpunimin me Shqipërinë. Kurse Mijuskoviç, kreu i Dhomës së Malit të Zi, tha se sektori i turizmit përbën mundësinë reale për rimëkëmbjen dhe zhvillimin ekonomik. Më i drejtpërdrejtë u duk ministri jonë i Turizmit, Adrian Turku, i cili tha se dy vendet nuk duhet ta shohin njëra-tjetrën si rivale në turizëm, por nevojitet më shumë miqësi, në mënyrë që reformat e përbashkëta të gjejnë realizim. Projekti i një vije të përbashkët turistike mes dy vendeve është hedhur nga vetë biznesmenët dhe se së shpejti do të konkretizohet në ditët në vijim.
Sektorët
Për vetë situatën që po kalon ekonomia e Evropës dhe ajo ndërkombëtare, misioni i biznesit, ku dy vendet janë thirrur për të planifikuar bashkëpunimin në të ardhmen, sipas Uldedajt merr një rëndësi të veçantë. “Përfitoj nga ky forum biznesi t‘u kujtoj kolegëve tanë malazezë se tani më shumë se kurrë është mundësia më e mirë për të bërë biznes në vendin tonë. Besoj se gjatë rrugës për të ardhur keni parë të gjitha ndryshimet e prekshme të bëra në infrastrukturën rrugore”, tha kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Tiranë. Shkëmbimet tregtare me Malin e Zi në vitin 2008 arritën shifrat e 32 milionë eurove. Krahasimisht me 2007-ën, këto shifra janë rritur me 59 për qind. Eksportet drejt Malit të Zi në vitin 2008 kanë arritur në shifrën e 17.9 milionë euro. Produktet kryesore, të cilat janë eksportuar nga Shqipëria drejt Malit të Zi, kanë qenë: produktet minerale, metale të ndryshëm, materiale ndërtimi dhe produktet bujqësore. Importet nga Mali i Zi në vitin 2008 kanë arritur në shifrën 12 milionë euro.

Gazeta Shqip