Fuqitë e Mëdha kërkojnë sërish dorëzimin e Ulqinit

June 6, 2009   | Kulturë / Kultura

lidhja-e-prizrenitULQINI NË VITET E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZRENIT 1878-1881 (22)

Ministri turk Abedin Pashë Dinoja theksonte se dorëzimi i rajonit të ri paraqiste vështirësi më të mëdha sesa dorëzimi i trevës së Tuzit, mbasi shqiptarët nuk do ta lëshonin kurrsesi qytetin e Ulqinit. Konkretisht, Abedin pashë Dinoja propozonte që Mali i Zi të kënaqej me një rregullim të ri, duke i dhënë pjesën më të madhe të territorit që parashihej në Protokollin e 18 prillit 1880 dhe një pjesë të mirë të territorit që përmbante nota e 26 qershorit 1880, por në asnjë mënyrë qytetin e Ulqinit, sepse ky banohej vetëm nga shqiptarët.

Për t’iu bashkuar flotës së bashkuar ndërkombëtare pëlqim dha edhe Rusia. Kabineti rus priste me mirësi çdo propozim që i ndihmonte Malit të Zi për të vënë nën sundim territoret e premtuara në Kongresin e Berlinit. Zoti Giers theksonte se demonstrimi i flotës mund të premtonte suksese, ndërsa në Stamboll do të shkaktonte frikë.

Pëlqimin për t’iu bashkuar flotës së bashkuar ndërkombëtare e dha edhe Italia.

Më 12 korrik 1880 qeveria gjermane e pranoi propozimin për dërgimin e një flote para Ulqinit, por me kusht që të bëhet një demonstrim me karakter paqësor. Këtë propozim e aprovoi edhe Franca.

Ministri i Punëve të Jashtme i Malit të Zi, Stanko Radonjiq, i dërgoi një letër sekrete Durandit, të ngarkuarit me punë nga Italia në Cetinë, lidhur me pjesëmarrjen e flotës së bashkuar ndërkombëtare paralel me lëvizjen e forcave malazeze drejt Ulqinit. Sipas tij, si e tillë nuk do të ishte ndihmë e madhe, veçanërisht nëse malazezët do të detyroheshin të përdornin forcën e armëve. Ky aksion do të thoshte një sulm gjatë tërë vijës kufitare me Shqipërinë. Ai dëshironte ta dinte qëndrimin e Fuqive të Mëdha, se a do ta ndihmonin aksionin edhe me forma të tjera, sepse, po qe se jo, do të ishte një rrezikim i madh. Mali i Zi, për të treguar se përgjegjësinë e kufijve të rinj me Mal të Zi ua linte Fuqive të Mëdha, iu drejtua atyre me një notë verbale. Në notë ai theksonte se gjendja në Shqipëri është mjaft delikate. Thuhej gjithashtu se atje organizoheshin çeta shqiptarësh që dërgoheshin në Ulqin, se ishin grumbulluar rreth 2 500 veta të armatosur dhe se së shpejti do të kishte edhe 6000 vetë. Situata ishte më e rëndë se më parë. Mali i Zi kërkonte mbështetje te Fuqitë e Mëdha.

Më 15 korrik 1880, Porta e Lartë i dha përgjigje notës që Fuqitë e Mëdha ia kishin dërguar asaj më 26 qershor 1880, me të cilin e vinin në dijeni se kishin vendosur që Mali i Zi të merrte Ulqinin me rrethinat e tij në vend të Hotit dhe Grudës. Në të njëjtën kohë i sugjeronin që t’u jepte shqiptarëve të Vilajetit të Shkodrës disa “rregullime” administrative. Në përgjigjen e vet, Abedin pashë Dinoja njoftonte se nuk kishte nevojë që Hotin dhe Grudën ta zëvendësonte me Ulqinin dhe rrethinat e tij, sepse Porta e Lartë kishte vendosur që ta zbatonte Protokollin e 18 prillit 1880 dhe ishte gati t’i ripushtonte viset rreth e rrotull Tuzit, të cilat tani ndodheshin nën kontrollin e shqiptarëve dhe t’ua dorëzonte malazezëve. Ministri turk theksonte se dorëzimi i rajonit të ri paraqiste vështirësi më të mëdha sesa dorëzimi i trevës së Tuzit, mbasi shqiptarët nuk do ta lëshonin kurrsesi qytetin e Ulqinit. Konkretisht, Abedin pashë Dinoja propozonte që Mali i Zi të kënaqej me një rregullim të ri, duke i dhënë pjesën më të madhe të territorit që parashihej në Protokollin e 18 prillit 1880 dhe një pjesë të mirë të territorit që përmbante nota e 26 qershorit 1880, por në asnjë mënyrë qytetin e Ulqinit, sepse ky banohej vetëm nga shqiptarët.

Çështjen e autonomisë administrative të Vilajetit të Shkodrës, ministri Abedin Pashë Dinoja e hidhte krejtësisht poshtë. Ai shtonte se, popullsitë e Vilajetit të Shkodrës kanë qenë gjithnjë të kënaqura nga gjendja e tyre dhe kurrë nuk u ka shkuar mendja t’i kërkojnë Portës së Lartë privilegje të tjera përveç atyre që gëzojnë sot. Megjithatë, ai njoftonte se qeveria e Portës së Lartë ishte duke studiuar në bazë të dispozitave të nenit 23 të Traktatit të Berlinit një rregullore që do të zbatohej në të gjitha provincat e Turqisë Evropiane, nga e cila do të përfitonte edhe Shqipëria.

Përgjigjja e Portës së Lartë nuk u mor parasysh nga Fuqitë e Mëdha. Ato e refuzuan kategorikisht propozimin, mbasi e konsideronin si një manovër të Portës së Lartë për ta zvarritur më tej çështjen e përfitimeve territoriale të Malit të Zi. Sipas tyre, ishte një propozim tepër i paqartë, i pacaktuar dhe mund të ishte bazë e përshtatshme për një këshillim të ri. Përvoja i kishte mësuar Fuqitë e Mëdha se çdo projekt i ri në këtë fazë vetëm e ndërlikonte dhe e bënte situatën edhe më serioze.

Nën rrethana të këtilla, Fuqitë e Mëdha ia përsëritën Portës thirrjen që të zbatonte vendimin e 18 prillit dhe Malit të Zi t’ia lëshonte territorin e bregdetit të Ulqinit.

Mr. Riza Rexha
Koha Javore

YouTube Preview Image

1