Ulqini ndryshe për pushime verore

June 15, 2009   | Turizmi / Turizam

Panairi i turizmit_prishtinPushuesi nuk duhet ta ketë Ulqinin si destinacion se është i lirë, apo pse është i banuar me shqiptarë, por për shkak të ofertës që do të ketë. Ajo tash është më e shtrenjtë, pa marrë parasysh premtimet për uljen e çmimeve. Në treg dhe në restorante mungojnë prodhimet kosovare

Ulqin – Pronarët e hoteleve dhe autoritete lokale të Ulqinit i janë gëzuar ndërtimit të autostradës që lidh Kosovën me Shqipërinë. Edhe pse janë të vetëdijshëm se kjo rrugë do të zvogëlojë numrin e pushuesve nga Kosova, thonë se vendi po pastrohet nga turistët që e marrin bukën me vete. Kjo është edhe strategjia e re e turizmit të kësaj komune.
Pushtetarët e Ulqinit vlerësojnë se vizitori nuk duhet ta ketë destinacion këtë qytet vetëm se është lirë, apo se ështç i banuar me shqiptarë, por duhet ta ketë parasysh çka t’i ofron atij.
“Gjepi i kosovarëve është forcuar. Ata tash mund të zgjedhin shumë vende të tjera për t’i kaluar pushimet, por nuk e harrojnë Ulqinin”, thotë Gëzim Hajdinaga, kryetar i Komunës së Ulqinit.
Konkurrenca që do t’i bëjë Shqipëria me autostradën e re, ai thotë se është e mirëseardhur, por lut kosovarët që nga pesëmbëdhjetë ditë që i rezervojnë për pushime, pesë ditë t’i kalojnë në Shqipëri, e dhjetë në Ulqin. Ai premton se në të gjitha objektet hoteliere dhe në dyqanet e ushqimit çmimet do të jenë 20 për qind më të lira. Por, nuk vërehet se çmimet që ofrojnë hotelierët të jenë në përputhje me premtimin kryetarit. Ato janë të njëjta me një vit më parë.
Një natë banimi në hotelin “Mediteran” kushton 45 euro, derisa në të tjerat, sillet nga 40 deri në 75 euro. Edhe për një natë duhet paguar 7 deri në 15 euro për person.
Hotelet dhe shtëpitë private çdo vit akomodojnë rreth 100 mijë turistë, shumica e të cilëve nuk regjistrohen në qendrat e evidentimit të turistëve. Por, pas privatizimit të hoteleve shoqërore, Ulqinit i kanë mbetur më pak objekte hoteliere. “Galebi” më nuk ekziston. Thuhet se mbi themelet e tij do të ngrihet një hotel tjetër, modern.
Pronari i hotelit “Llolla”, Muslim Llolla, pranon se çmimet nuk kanë ndryshuar ende, por ato do të ulen në muajin korrik, kur pritet numri më i madh i pushuesve.
Këtë vit, në shërbim të pushuesve do të jenë shtatë plazhe me flamurin e kaltër, që simbolizon standardet e larta të shërbimeve. Gjithashtu janë bërë përmirësime në infrastrukturën rrugore, sidomos në qendër të qytetit. Komuna është mobilizuar që të ofrojë parking për veturat e të gjithë turistëve dhe ka caktuar 15 qershorin si datën kur duhet të përfundojnë të gjitha punët përgatitore.
Mirëpo, pushuesit do ta kenë të vështirë që në dyqanet e restorantet e Ulqinit të gjejnë prodhime të Kosovës. Nuk do t’u ofrohet birra “Peja”, por nuk mungon asnjë lloj i kësaj pije që prodhohet në Serbi e Mal të Zi.
Ibrahim Milla, kryetar i Aleancës së Bizneseve të Ulqinit, thotë se këtu produktet kosovare nuk janë promovuar sa duhet dhe kanë gjetur tregje të tjera.
Mirëpo, pronarët e restoraneve thonë se Qeveria e Malit të Zi ka vënë barriera të pashkruar për produktet e të gjitha vendeve të huja, në mënyrë që t’i mbrojë prodhuesit vendës nga konkurrenca.
Në anën tjetër, veçmas çmimeve relativisht të larta, riviera e Ulqinit ka edhe disa surpriza jo fort të këndshme për turistët kosovarë, të cilët në Ulqin janë mësuar të pushojnë “lirë dhe mirë”. Është shkurtuar “jeta e natës”. Muzika në zonat e banuara të Ulqinit do të lejohet vetëm për tri orë , nga ora 21:00 deri në 00:00.

Zekirja Shabani
Gazeta Express