Kryeministri Berisha dhe ai i Malit të Zi Gjukanoviç inaugurojnë pikën e përbashkët kufitare Murriqan-Sukobinë

June 19, 2009   | Rajoni / Region

Sali Berish_Millo Gjukanovic_inauguruan  kalimin kufitar Murriqan-SukobinKryeministri Sali Berisha dhe Kryeministri i Malit të Zi Milo Gjukanoviç inauguruan sot në mesditë pikën e përbashkët të kalimit kufitar Murriqan-Sukobinë, e ndërtuar me një fond prej 1.1 milion euro të Komisionit Europian (KE). Kjo është pika e parë kufitare e kësaj natyre në Ballkanin Perëndimor, pjesë e rrjetit prej 12 pikave kufitare që do ndërtohen në Shqipëri dhe vendeve të saj fqinje, falë financimit të KE-së prej 5.4 milion euro.
Të pranishëm në ceremoninë e inaugurimit ishin edhe ambasadori i KE-së në Tiranë Helmuth Lohan dhe homologu i tij në Malin e zi, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ministra të qeverisë shqiptare dhe asaj malazeze dhe autoritete vendore të Shkodrës dhe Ulqinit.
Kryeministri Berisha shprehu mirënjohjen për Komisionin Europian dhe vendet anëtare të BE-së për realizimin e këtij projekti, që është një nga dhjetëra projektet që zbatohen në Shqipëri dhe Mal të Zi me ndihmën bujare të taksapaguesve europianë.
“Ky është një investim prej 1.1 milion euro, por si simbol dhe vlerë është shumë herë më e madhe. Ky është një projekt europian jo vetëm në arkitekturën e tij, por edhe në filozofinë e tij, mbi të cilën është ndërtuar Europa, që është, pa diskutim, më njerëzorja e të gjitha kohërave, filozofi e bazuar mbi paqen, të cilën qytetarët e këtij kontinenti e meritojnë,” u shpreh Kryeministri.

Në këtë kontekst, Kryeministri e konsideroi realizimin e këtij projekti edhe si simbol të bashkëpunimit të shkëlqyer midis dy vendeve, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

“Ky projekt është simbol i bashkëpunimi të shkëlqyer midis dy vendeve mike, Shqipërisë dhe Malit të Zi, dhe një lehtësi e madhe për funksionimin e një prej institucioneve më të rëndësishme të çdo shteti, të doganave. Unë po vij nga Shkodra, ku sapo inauguruam fillimin e punimeve të autostradës Shkodër-Podgoricë, kontribut shumë i rëndësishëm i një vendi mik fqinj, Italisë. Kjo rrugë u ndërtua 80 vjet më parë nga austro-hungarezët. Tani sërish po e rindërtojmë me ndihmën bujare të Koperacionit italian dhe fonde të qeverisë shqiptare. Pak më tutje vendit, ku inauguruam rrugën, një tjetër projekt jashtëzakonisht i rëndësishëm midis dy vendeve tona po shtrihet me shpejtësi, linja e interkonjeksionit të tensionit të lartë 410 kilovolt, që lidh Tiranën me Podgoricën. Këtu, së shpejti, do të nisim ndërtimin e një autostrade të re që lidh Velipojën me Ulqinin. Kurrë në histori nuk kemi punuar kaq mirë dhe kaq shumë bashkërisht, për lidhjet midis dy vendeve tona. Ne jemi vende të vogla dhe me shpejtësi, duhet të rrafshojmë kufijtë, për të zgjeruar hapësirat tona për turistët dhe tregun, në interesin më të mirë të qytetarëve tanë,” u shpreh Kryeministri.

Duke shprehur kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston midis Shqipërisë dhe Malit të Zi, Kryeministri Berisha tha se dy qeveritë po nxisin zgjerimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke krijuar edhe infrastrukturën e nevojshme për këtë qëllim.

18/06/2009
Sherbimi informatif