Ulqini fton kosovarët për pushime

June 21, 2009   | Shtypi / Mediji

Plazhi i Madhe_ulqin_gezim hajdinagaReportazh nga Ulqini
Ulqini fton kosovarët për pushime
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, i ka ftuar kosovarët t’i kalojnë pushimet edhe këtë verë atje, pasi, sipas tij, kanë se çfarë të shijojnë.

Ulqin, 17 qershor – Ulqini apo ndryshe “Qyteti i të rinjve” për sezonin turistik ka zbritur çmimet prej 20 deri 25 për qind. Sipas zyrtarëve të komunës, zbritja e çmimeve të hoteleve dhe restoranteve është bërë për të tërhequr sa më shumë turistë edhe këtë vit, në mënyrë që kosovarët mos ta ndërrojnë këtë vend për shkak të çmimeve.
Ulqinakët besojnë se edhe këtë vit kosovarët nuk do t’i “tradhtojnë” plazhet e Ulqinit.
Përveç pamjes së veçantë dhe atraktive, plazhet e Ulqinit turistëve u ofrojnë kushte të mira për relaksim. Edhe pse mesi i qershorit, kishte qytetarë nga Kosova të cilët kishin filluar pushimet.
Sipas një vlerësimi të një agjencie që merret me promovimin e plazheve, plazhet e Ulqinit shquhen në rajon për pastërtinë dhe vlerat shëruese të ujit.
Kryetari i Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, i ka ftuar kosovarët t’i kalojnë pushimet edhe këtë verë atje, pasi, sipas tij, kanë se çfarë të shijojnë.
Ai ka theksuar se janë marrë të gjitha masat që siguria e turistëve të jetë në nivel gjatë 24 orëve.
Lidhjet shpirtërore dhe familjare në mes të kosovarëve dhe ulqinakëve e bëjnë Hajdinagën të besojë se edhe këtë vit do të ketë numër të madh të turistëve nga Kosova.

Plazhi i Vogël

Plazhi i Vogël, i cili shtrihet shumë afër qytetit, i jep atij një bukuri të rrallë, kurse lokalet përreth tij janë përplot me njerëz deri në orët e vona të natës. Përballë Plazhit të Vogël gjendet Kalaja e qytetit, nga e cila Ulqini shihet si në pëllëmbë të dorës.
Ulqini, i cili përbëhet nga 83.5 për qind me popullatë shqiptare, brenda një sezoni turistik arrin të mbledhë deri në tre milionë euro nga turistët që shkojnë nga Kosova.
Turistët, nëse zgjedhin të banojnë në apartamente private, një shtrat për një natë duhet ta paguajnë pesë euro, kurse një natë në hotelet dhe motelet e Ulqinit kushton 20 deri në 50 euro.
Qytetarët e Kosovës, të cilët veç i kanë nisur pushimet në Ulqin, ankohen për çmimet e larta.
Hasan Abazi nga Ferizaj ka thënë se, pavarësisht që është thënë se do të ulen çmimet, kjo nuk ka ndodhur.
“Çmimet nuk janë ulur, janë të shtrenjta, sidomos ushqimi është shumë i shtrenjtë”, ka theksuar ai.
Sara Gashi, një e re nga Prishtina, ka thënë se është e kënaqur me jetën e natës në Ulqin, edhe pse është fillimi i sezonit.
“Jam e kënaqur me atmosferën e natës. Nuk jam e kënaqur me çmimet, por për pushime shkojnë ata që kanë mundësi”, është shprehur ajo për gazetën.

Ftesa e Hajdinagës

Kryetari i Ulqinit, Gëzim Hajdinaga, ka ftuar kosovarët të shkojnë edhe në Shqipëri, por edhe mos ta harrojnë Ulqinin.
“Pesë ditë rezervoni për Shqipëri e 10 ditë për Ulqin”, ka thënë ai, duke shtuar se pas njohjes së Kosovës nga Mali i Zi, pritet të rritet numri i turistëve. “Hapja e autostradës Durrës-Kukës-Morinë mund ta ulë numrin e turistëve, por, pavarësisht kësaj, rruga për ulqinakët është rrugë e bashkimit të shqiptarëve.
Shqiptarët e Malit të Zi i gëzohen këtij projekti të madh kombëtar, sepse rrit edhe statusin e shqiptarëve në Mal të Zi”, ka theksuar kryetari i Ulqinit, Gëzim Hajdinaga.

Investimet

Investimet nga qeveria malazeze në Ulqin nuk janë të pranishme. Ato, sipas disa ulqinakëve, janë drejtuar kah Podgorica dhe Budva.
Profesor Ismet Karamanaga ka thënë se shqiptarët nuk janë të kënaqur me trajtimin që u bëhet nga qeveria malazeze.
Karamanaga, i cili është menaxher në hotelin “Dolcino”, ka thënë se këtë vit sektori privat ofron 120 mijë shtretër me çmime të llojllojshme.
“Kosovarët që janë mësuar të vijnë në Ulqin, do të vijnë prapë, sepse jeta zbavitëse në Ulqin është më e mirë se në Durrës”, ka thënë Karamanaga.
Ai ka treguar se Ulqini ka shumë objekte kulturore, si Kalanë, xhamitë e vjetra si dhe tregun, i cili ka 12 veshje kombëtare shqiptare.
Ndryshe, kryetari Hajdinaga e ka quajtur fat mosinvestimin e qeverisë malazeze në Ulqin. “Ulqini është kafshatë e kompanive të mëdha botërore. Ulqini është qendra kryesore e mundshme e investimeve në Mal të Zi, prandaj ftoj Kosovën, Shqipërinë, diasporën dhe të gjithë të tjerët që të vijnë dhe të investojnë”, ka thënë kryetari Hajdinaga.
Ai ka premtuar se vitin tjetër në Plazhin e Vogël do të investohet shumë.

Plazhi i Madh

Plazhi i Madh, i cili ka 14 kilometra plazh me rërë e ujë shumë të pastër, përbëhet nga shtatë plazhe private, shumë mirë të rregulluara.
Prel Shkreli, pronari i plazhit “Copacabana”, që është një prej plazheve më moderne në Ulqin, ka thënë se zbritja e çmimeve është një fakt shumë i mirë për turistët nga Kosova. Ai ka bërë të ditur se “Copacabana” ka ulur çmimin dhe ka rritur kualitetin e shërbimeve për shkak të konkurrencës nga Shqipëria.
“Tregu i Kosovës ka qenë numër një dhe do të vazhdojë të jetë i tillë për Ulqinin”, është shprehur ai.
Jelena Ivanoviq nga Podgorica, një malazeze e re, kishte ardhur në “Copacabana” për të pushuar. Sipas saj, ky plazh është shumë i mirë dhe më i liri në Mal të Zi.
Zef Deliqi, pronar i plazhit “Safari”, ka thënë se risitë për këtë sezon janë kopshti për fëmijë, bina për muzikë, si dhe zbritja e çmimeve për 20 për qind.
“Autostradës Durrës-Kukës-Morinë nuk i frikësohemi, e shohim si pozitive, sepse ajo nuk na dëmton, por na bashkon”, ka theksuar Deliqi.
Luz Nikolla nga Gjakova, pronar i plazhit “Toni Grill”, ka thënë se për këtë vit risi është zbritja e çmimeve për 20-25 për qind.
“Zbritja e çmimeve është bërë që të mos ndërrohet Ulqini me vendet e tjera bregdetare. Po ashtu këtë vit do të ketë më shumë ushqim kualitativ dhe më të lirë sesa vitin e kaluar”, ka theksuar Nikolla.
Ndërkaq, plazhi “MCM” tash ka marrë flamurin e kaltër për cilësinë e shërbimeve që ofron.
“Për t’u pajisur me këtë flamur nga Organizata Evropiane, duhet të plotësohen 29 kritere. Më prioritaret janë: pastërtia, siguria dhe projektet e ndryshme ekologjike”, ka bërë të ditur pronari Hajdar Murati.

Bizneset

Kryetari i Asociacionit të Bizneseve të Ulqinit, Ibrahim Milla, ka ftuar bizneset nga Kosova të bëjnë prezantimin e mallrave në tregun e këtij vendi, pasi, sipas tij, tregu i Ulqinit ka nevojë për prodhimet kosovare.
“Produktet nga Kosova nuk janë të prezantuara mirë, prandaj i ftojmë biznesmenët të sjellin prodhimet e tyre në Ulqin”, ka thënë Milla.
Deputeti i Partisë Demokratike Socialiste të Malit të Zi, Luigj Shkreli, ka premtuar siguri për turistët, në mënyrë që ata të kalojnë sa më mirë.
“Politika e Malit të Zi ka përkrahur dhe vazhdon t’i përkrahë bizneset për t’i përmirësuar kushtet dhe shërbimet”, ka thënë ai, dhe ka premtuar se turistët do të jenë të sigurt 24 orë.

Ulqini – qytet i rinisë

Jeta e natës në Ulqin është shumë e gjallë. Ndoshta kjo gjallëri e bën atë të quhet “Qytet i Rinisë”.
Kultura në Ulqin dhe aktivitetet e tjera konsiderohen shtyllat kryesore të ofertës turistike. Gjatë sezonit turistik mbahen shumë manifestime kulturore e mbarëkombëtare, siç është Panairi i Librit, që mbahet për tetin vit me radhë në fund të korrikut dhe do të çelet nga presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi dhe presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviq.
Manifestimi tjetër “Skena Verore e Ulqinit” është mozaik i mirë i ofertës turistike të Ulqinit, i cili do të rri i hapur deri më 31 korrik në Kalanë e lashtë të Ulqinit, ku pjesa më e madhe e programit jepet nga trupat artistike të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Po ashtu mbahet edhe Kalimera Poetike, që e vendos Ulqinin në qendër të manifestimeve kulturore.
Udhëtimin e gazetarëve nga Kosova e ka mundësuar Komuna e Ulqinit dhe biznesmenët shqiptarë në Ulqin.

Lulzim Ahmeti