Mbi rëndësinë e kohës,të jemi optimistë

June 22, 2009   | Shoqëria / Društvo

optimizam_UlqiniMotoja “Nëse ti nuk e pret kohën, ajo do të presë ty” tani është bërë më aktuale sesa kurdoherë më parë. Të gjithë tashmë e vërejnë se koha ka marrë një përshpejtim të hatashëm, por shprehitë e fituara, klishetë e vjetra të të menduarit, mbyllja në gëzhojën e vet dhe izolimi nga bota janë më të fuqishëm sesa nevoja që kjo më në fund të kuptohet dhe të fillojë ndryshimi i kësaj gjendjeje të padurueshme.
Dijetarët e vjetër thonin se duhet të jemi optimistë. Dhe natyrisht, kanë pasur të drejtë. Optimistët janë më të lezetshëm, rrezatojnë një energji pozitive, janë më komunikativë dhe më tolerantë. Në qytetet ku ka të paktën pesë përqind të tillë, ju keni ndjesi më të këndshme, gjithandej rrezaton një dritë e mrekullueshme dhe kurrë nuk ka kohë për mërziti.
Prandaj më duket e çuditshme se si njerëzit në qytetin magjepsës të Ulqinit i bjerrin jetët e veta të çmuara, se si nuk janë të vetëdijshëm për rëndësinë e kohës, se si në procesin e të menduarit nuk kanë komponentin dinamik, si i kanë humbur lidhjet me traditën.
Them është e çuditshme për shkak se këtu ende nuk kuptohet se prapambetja sot nuk paguhet vetëm me para, por në radhë të parë me kohën. Sot nëse nuk përparoni, do të përjetoni prapambetje. Thjesht, vendnumërim nuk ka dhe as që mund të ketë!
Motoja “Nëse ti nuk e pret kohën, ajo do të presë ty” tani është bërë më aktuale sesa kurdoherë më parë. Të gjithë tashmë e vërejnë se koha ka marrë një përshpejtim të hatashëm, por shprehitë e fituara, klishetë e vjetra të të menduarit, mbyllja në gëzhojën e vet dhe izolimi nga bota janë më të fuqishëm sesa nevoja që kjo më në fund të kuptohet dhe të fillojë ndryshimi i kësaj gjendjeje të padurueshme.
Mirëpo, për këtë duhet pasur vizion, vullnet dhe vendosmëri, gatishmëri që të punohet shumë, të dëgjohet këshilla më e mirë, veti këto të cilat elita aktuale politike, intelektuale apo cilado elitë tjetër në këtë qytet nuk i ka as nuk dëshiron t’i ketë.
Mirëpo, funksione kryesore të qytetit janë pikërisht që të sigurojë vazhdimësinë, stabilitetin dhe zhvillimin. Kujtesa e gjallë e qytetit e cila dikur i lidhte gjeneratat dhe shekujt është duke u zhdukur para syve tonë: qytetarët jetojnë në vazhdën e çregulluar të momenteve që anulohen reciprokisht. Nuk mbahet mend që ndonjëherë të jetë jetuar në një bashkësi kaq të shkretuar dhe të demoralizuar, ndonëse është e vërtetë se në historinë e gjatë të Ulqinit kronikat e kohëve të lumtura kanë qenë të shkurtra.
Mbizotëruan kohë të vështira dhe kjo kushtëzoi vigjilencën jetësore dhe gatishmërinë ndaj të paparashikueshmes dhe të papriturës në të gjitha sferat e jetës, madje edhe frika nga çfarëdo ndryshimi.
Mirëpo, sikurse në çdo bashkësi shoqërore, ka pasur momente të letargjisë dhe të atmosferës festive, kur shkelen ndalesat dhe traditat e mira, zvogëlohet distanca midis individëve dhe grupeve, përkohësisht lihen mënjanë konfliktet e çfarëdo lloji, kalohet në shkapërderdhje dhe shthurje të panevojshme. Historia gjithashtu tregon se periudhat sadopak të shkurtra të stabilitetit kanë sjellur progres të madh në të gjitha fushat. Virtytet e tyre: syçeltësia, vyeshmëria dhe maturia në përmbushjen e nevojave materiale, siç ka vërejtur në fillim të shekullit të kaluar shkencëtari i famshëm rus Pavle Apolonoviq Rovinski do të vinin në shpehje të plotë.
Te gjithë ata që i mbajnë mend gjyshet dhe gjyshërit e vet mund të konfirmojnë se ata kanë pasur fytyra të bukura dhe të buzëqeshura, se gjithëherë na janë drejtuar me plot dashuri dhe kujdes, se rrallëherë hidhëroheshin. Do të jem i sinqertë, si para Zotit: ndonëse shumë nga këto i kam si në familje ashtu edhe në shoqëri, më mungon kjo çeltëri, kjo buzëqeshje, këto këshilla.
Sido që të jetë, parakusht i zhvillimit dhe i mëkëmbjes morale të këtij qyteti të lënë pas dore është që përfundimisht të bëhemi të vetëdijshëm për rolin e kohës, hapësirës dhe resurseve! Që më në fund të kuptojmë se ekziston koha për të jetuar dhe koha që dëshmon se kemi jetuar. Të vendosim paqe me vetveten dhe me natyrën!
Gjasat janë të vogla, por të jemi optimistë!

Mustafa Canka
Koha Javore