Video-Konferenca e përbashkët e shtypit e Presidentëve të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës

June 24, 2009   | Rajoni / Region

Presidentët Topi, Ivanov, Sejdiu dhe Vujanoviç në përfundim të konferencës për shtyp.Vlorë: 24 qershor 2009
Në ditën e dytë të takimit informal në qytetin e Vlorës të organizuar nga Presidenti i Republikës, Prof Dr. Bamir Topi, Kryetarët e Shteteve të katër vendeve fqinjë në rajonin ballkanik, të Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Kosovës zhvilluan bisedime në krye të delegacioneve respektive që i shoqëronin përgjatë kësaj veprimtarie. Në përfundim të tyre dhe të mbarë takimit, katër Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët shtypi.

Presidenti Topi: Përshëndetje!

Përfaqësues të nderuar të medias!
Zonja e Zotërinj,

Kam kënaqësinë të shpreh vlerësimin tim për këtë takim! Së pari, të falenderoj Presidentin Sejdiu, Presidentin Ivanov, Presidentin Vujanoviç që iu përgjigjën ftesës për këtë takim që zhvillohet në qytetin e bukur të Vlorës! Sikurse jam shprehur edhe më parë, Vlora ka një simbolikë të veçantë, është një qytet historik, që në historinë e Shqipërisë arrin kulmin në datën 28 nëntor të 1912-ës me fitimin e pavarësisë së Shqipërisë.

Vlora ka edhe një histori shumë komplekse. Përveç historisë së vjetër, Vlora ka tradita të çmuara, është një qytet mjaft i bukur në një zonë ku mendohet që zhvillimi i turizmit të ketë ritme të papara. Pra, në frymën e kësaj simbolike, ne së bashku trajtuam tema shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me situatën aktuale në vendet tona, me situatën e re mjaft pozitive që kalon rajoni i Ballkanit Perëndimor, me aspiratën e përbashkët euroatlantike të vendeve tona, me nevojën e thellimit të dialogut politik midis nesh, me evidentimin e një situate të re gjeopolitike në rajon dhe kuptohet pas dialogut mjaft të mirë politik, del nevoja e intensifikimit të marrëdhënieve ekonomike midis vendeve tona.

Kuptohet, në kuadër të frymës së integrimit euro-atlantik, ne dëshirojmë që në plan të parë të kemi lëvizjen e lirë të qytetarëve në vendet tona, të biznesit dhe të gjitha aktivitetet e tjera. Unë personalisht kam demonstruar arritjet e Shqipërisë dhe përpjekjet që po bëhen për të zgjeruar këtë lloj bashkëpunimi: një diplomaci e re në rajon, një përmirësim i ndjeshëm i infrastrukturës, një sinkronizim i interesave të vendeve tona për të punuar për një sistem energjetik të përbashkët në rajon, një rritje e turizmit reciprok, ku padyshim Shqipëria ofron një bregdet të mrekullueshëm, dhe ajo që është thënë dhe herë të tjera, Shqipëria u jep akses të gjitha vendeve të rajonit në portet e saj të rëndësishme.

Kemi diskutuar rreth nevojës së thellimit të punës dhe bashkëpunimit për sigurinë në rajon, për luftën kundër kriminalitetit, patjetër dhe për krijimin e një klime atraktive për të gjithë investitorët, që vijnë nga jashtë rajonit tonë. Ne shprehëm së bashku dëshirën që të gjithë vendet e rajonit që kanë të njëjtën aspiratë të integrimit euro-atlantik, t’u bashkohen këtyre interesave dhe shpreha mendimin që vendet e Bashkimit Evropian do të na vlerësojnë më shumë, nëse vendet tona do të bashkëpunojnë dhe do të rrisin standardet ekonomike dhe të mirëqënies. Vlerësova që nga “Karta e A 3-shit’’, ne kemi kaluar në “Kartën e A 5-ës’’, nëpëmjet së cilës atë që arriti Kroacia dhe Shqipëria ta arrijnë dhe vendet e tjera të rajonit drejt anëtarësimit në NATO. Edhe patjetër shkëmbimin e eksperiencës, të cilën vendet rajoninit, dikush më përpara ose më mbrapa, kanë nevojë ta këmbejnë në funksion të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kemi dalë me një ide të përbashkët që nga terminologjia e përgjithshme, ne gradualisht po realizojmë gjëra konkrete. Unë mendoj që nuk është një gjë e rastit që brenda dy muajve ne takohemi disa herë me njëri-tjetrin, çka do të thotë që ka një diferencë të jashtëzakonshme me situatën që ishte dikur. Ky është një predispozicion i lartë që vendet tona të realizojnë ato çka kanë thënë nëpëmjet Presidentëve dhe nëpërmjet qeverive respektive të vendeve tona, të cilat realisht po punojnë intensivisht në të njëjtën linjë.

Unë shpreh dëshirën që ky takim patjetër do të pasohet nga takime të tjera, ku secili nga miqtë në radhën e vet do të bëhet mikpritës! Unë edhe një herë i falenderoj Presidentët, të cilët jo vetëm që ishin të pranishëm, por dhanë opsione mjaft të rëndësishme për bashkëpunimin perspektiv të vendeve tona.
Falemnderit!

Presidenti Sejdiu:

Falemnderit i nderuar Presidenti Topi!
I nderuar Presidenti Vujanoviç!
I nderuar Presidenti Ivanov!
Të nderuar përfaqësues të medias!

Unë dëshiroj të shpreh konsideratën më të lartë që jemi këtu së bashku në këtë takim kaq të rëndësishëm në Vlorë, ku patëm mundësi të jashtëzakonshme të komunikimeve më të mira të mundshme. E kemi theksuar bashkë dhe e kemi potencuar se për këtë është një bazë e rëndësishme e ecjeve tona të deritashme. Janë pika të rëndësishme të zhvillimeve historike që bashkojnë popujt tanë dhe vendet tona. Janë kapërcime të fateve gati identike me situata herë-herë shumë të vështira. Janë relacione praktike të ndërtuara të mira. Qytetarët panë lëvizjen dhe shtetet tona janë shtete që kanë njohur njëra-tjetrën. Janë vizion i përbashkët për ecje të proceseve të moralshme në proceset integruese euro-atlantike, dhe them, plus që janë dhe i kemi miq të përbashkët. Kjo është, do të thoja, sublimim i ndjenjës së përditshme që kemi. Për ne është borxh i veçantë që të japim, të realizojmë pritshmëritë e qytetarëve tanë dhe ato janë pikërisht në pjesën praktike, në shpejtimin praktik për një jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve në bashkëpunimet ekonomike veçanërisht, në bashkëpunimet kulturore të fushave të shumta dhe të dijes, në atë që do ta quaja të konkurencës sportive pse jo, dhe të shkëmbimit të përvojave më të mira të mundshme në arritjet e deritanishme.

Ne e vlerësojmë lart anëtarësimin e Republikës së Shqipërisë në NATO dhe shprehjen e kandidaturës për të qenë në Bashkimin Evropian. Vlerësojmë lart arritjet e Malit të Zi e Maqedonisë, po kështu, në pjesën e kritereve të rëndësishme për proceset integruese dhe po ashtu vlerësuam bashkë këtë gatishmëri që të lëvizim më shpejt në këto procese. Është e vërtetë se ka, po e quajmë, paralajmërime për përgjegjësitë e integrimeve në Bashkimin Evropian. Po e them, se është e vërtetë se ka ndërhyrje shumë pozitive pikërisht të vendeve tona që të jemi një ditë shumë shpejt atje. Unë them se është shumë pozitive që shumë nga vendet e rajonit janë aty dhe deshëm s’deshëm, rajoni nuk mund të mbetet i paplotësuar dhe me hartën e plotë të procesit të integrimit.

Kosova është një vend i ri, i njohur nga gjashtëdhjetë vende të botës. Unë shpreha konsideratën për njohjen që kanë bërë edhe vendet fqinje dhe sigurisht që kjo është një kaptinë e re e zhvillimit të raporteve edhe më shtetërore dhe duhet të jetë në kualitetin e vet, dhe për këtë arsye them se këto veprime që janë bërë të mira të deritashme janë jo ajo që ka mund me qenë ndonjëherë në një sekuencë të përshtatshme për zhvillimet historike.

Jemi në kohë të re, jemi në kohë të kontributit të përbashkët për paqe dhe stabilitet. Jemi në kohë të vullnetit të mirë dhe të punës së mbarë që bëhet.

Presidenti Ivanov:

Takimi ishte një mundësi shumë e mirë për të shkëmbyer vizionin tonë, mendimet tona, për bashkëpunimin në rajon. Dhe së bashku me qëndrimet e Presidentit Topi, Presidentit Sejdiu dhe Presidentit Vujanoviç konstatuam që qëllimet tona të përbashkëta është anëtarësimi në BE dhe në NATO. Edhe njëherë i shpreh urimin Presidentit Topi për anëtarësimin e vendit në NATO, ndërsa Maqedonia shpreh gatishmërinë për të ndihmuar Shqipërinë, Kosovën dhe Malin e Zi në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe në procesin që deri tani Maqedonia ka kaluar. Kjo tregon se pas një kohe të gjatë në të gjithë rajonin po vendosen parime të njëjta dhe vlera të njëjta. Kjo tregon se rajoni tani po bëhet më kompatibël dhe dërgon një mesazh pozitiv edhe jashtë tij.

Ne thamë se ajo që ishte e paimagjinueshme për prindërit tanë, ne tani po e realizojmë për brezat e ardhshëm, për të jetuar një jetë më të mirë, në një botë më të mirë. Jemi dëshmitarë që në një periudhë të shkurtër po arrijmë të përballemi për të kaluar paragjykimet që na vijnë nga e kaluara. Dhe dëshmi për këtë është imigrimi veror gjatë periudhave turistike dhe lëvizjet që i bëjnë më intensive qytetarët tanë, në vendet tona të ndërsjellta. Dhe ne si burra shteti e kemi për detyrë që ky komunikim, që e gjithë kjo lëvizje që tashmë ekziston, ndikon që ajo të rritet, të intensifikohet edhe më shumë. Përgjegjësia jonë është që të përmirësojmë infrastrukturën e rajonit dhe të krijojmë mundësi më të mira për komunikim dhe lëvizje. Krijimi i një aksesi më të mirë në tregjet e rajonit është shkëmbimi i mallrave, shkëmbimi i shërbimeve dhe mundësia për të kënaqur kërkesat e brezave të ardhshëm. Pra, në kuadër të kompetencave që kemi si Presidentë, ne duhet të nxisim këtë bashkëpunim, ne duhet të nxisim këtë komunikim, i cili do të sjellë një respekt të ndërsjelltë më të madh. Dhe komunikimi ynë është një sinjal deri tek njerëzit se kemi tejkaluar paragjykimet dhe pengesat që kanë qenë në të kaluarën, në komunikimin tonë. Dhe tash është momenti i vërtetë për të parë këtë pjesë të rajonit, si pjesë të Ballkanit, si pjesë të Mesdheut dhe këtë pjesë të Evropës. Ne ja kemi borxh para të gjithash brezave të ardhshëm dhe për këtë arsye gjatë debatit tonë, ardhmëria është preokupimi ynë kryesor.

Presidenti Vujanoviç:

Të nderuar, zotërinj presidentë!

Këtu na ka tubuar iniciativa e Presidentit të Shqipërisë, zotit Topi, që të takohen presidentët e Shqipërisë dhe të vendeve fqinje të Ballkanit Perëndimor, që të afirmohet vendosmëria e bashkëpunimit dypalësh, por jemi fokusuar në të njëjtën kohë në qëllimet tona evropiane dhe euro-atlantike.

Duke vlerësuar takimin tonë dhe të gjitha opsionet që kemi shprehur gjatë takimit, dëshiroj në të njëjtën kohë të falënderoj mikun tim, Presidentin e Shqipërisë, zotin Topi për takimin që është bërë sot!

Kemi konstatuar se kemi qëllime të përbashkëta evropiane se të gjithë ne jemi drejtuar në synimin për realizimin e këtyre qëllimeve. Në të njëjtën kohë kemi shprehur vendosmërinë që të shkëmbejmë përvojat tona, në atë mënyrë më shpejt të shprehim gatishmërinë që të plotësojmë standardet për këto qëllime.

Ne, Malin e Zi, na gëzon fakti që Shqipëria e Kroacia tani janë vende, anëtare të NATO-s dhe kështu Mali i Zi mbetet i vetmi shtet jashtë kësaj organizate ushtarako-politike dhe ne do të bëjmë të gjitha përpjekjet që NATO të japë një mundësi që edhe Mali i Zi të gjejë vendin e vet në kët organizatë. Gjithashtu, kemi thënë se nuk ka Evropë në tërësi pa shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe ne kemi thënë se përveç dëshirës, edhe Evropa do të kompletohet me ne, kur të bëhet edhe integrimi i vendeve tona.

Kemi pasur bisedime konstruktive me zotin Topi, me zotin Ivanov dhe kemi konstatuar që ato janë cilësore dhe me një vendim të qartë në të gjitha fushat, që nuk kemi çështje të hapura dhe që ekziston një synim të nxisim këto që intensiteti dhe cilësia e komunikimit në nivelin më të lartë të bisedimeve, në atë midis Presidentëve, është mesazhi më i mirë edhe për organet shtetërore dhe për qytetarët dhe vazhdojnë afirmimin e marrëdhënieve të mira dhe shfrytëzojnë shansin për avancimin, veçanërisht në sferën e ekonomisë.

Me Presidentin e Kosovës, zotin Sejdiu biseduam rreth marrëdhënieve tona. Pas njohjes së Kosovës prej Malit të Zi, kemi konstatuar që ishin takimet e Kryeministrave tanë, Ministrave të Jashtëm e në shumë takime ndërkombëtare; kemi pasur komunikime të mira, marrëveshjet e drejtorive tona të policive. Ka qenë një vizitë e mirë e delegacionit shtetëror të Malit të zi në Kosovë, me në krye Ministrin e të Drejtave të Pakicave, të cilët janë pranuar në mënyrën më të lartë dhe i ka pritur Presidenti i Kosovës. Gjithashtu, kemi konstatuar që këto janë dy çështje të hapura midis Malit të Zi dhe Kosovës. Unë kam shprehur shpresën se do të zgjidhen shumë shpejt.

E para, është çështja e trajtimit të pakicës malazeze në Kosovë, e cila nuk ka një trajtim normativ të pakicës dhe që nuk është në vendimin kuvendor të Kosovës, që siguron përfaqësimin autentik për pakicat e Kosovës. Sipas këtij vendimi, bashkësia serbe, së paku ka dhjetë deputetë, kombësia turke dy, romët, ashkalitë dhe egjiptianët nga një, ndërsa pakica malazeze nuk e ka përfaqësuesin e vet; pra, nuk ka trajtimin e pakicës kombëtare, por ne mendojmë se edhe kjo çështje do të zgjidhet.

Çështja e dytë, është ajo e pranimit të të shpërngulurve nga Kosova, duke menduar se atyre do t’u sigurohet një kthim i qëndrueshëm në Kosovë. Nga marsi i vitit 2004, kur kam pasur takimin e parë me të shpërngulurit nga Kosova, më shumë se pesë vjet kam komunikim me ta, dhe ata prekin synimin e qartë që të kthehen në Kosovë. Këtë e kanë shprehur qartë në takimin e pardjeshëm që kam pasur me ta, kur Enti i Refugjatëve më ka dhënë një listë ku janë shënuar më shumë se 300 familje të shpërngulura, me 1223 persona dhe që janë të gatshëm për kthim. Kanë prekur pritjen e zotit Sejdiu që atyre t’u kushtohet një vëmendje e veçantë, duke treguar një përvojë të mirë tonën me Malin e Zi. Kur me kthimin e personave nga Bukovica, që kufizohet me Bosnjë-Hercegovinën, qeveria ka bërë një plan të kthimit, ka detyruar një nga ministrat që të udhëheqë programin e rikthimit, ka siguruar buxhetin prej 4-5 milionë eurosh dhe deri tani ka investuar në infrastrukturën rrugore dhe në rrjetin energjetik dhe të krijojë kushtet për rikthim. Në komunikimet që kam bërë me ta dhe me qeveritë, do të bëjmë ç’është e mundur që këta njerëz të ndihen mirë dhe që rikthimi të jetë sa më i sukseshëm. Çështjet e hapura do të mbyllen dhe të tregojmë një raport konstruktiv dhe një mesazh të mirë ndaj komunitetit.

Edhe një herë shpreh kënaqësinë me nismën e mirë të zotit Topi pëër takimin dhe zhvillimin e bisedimeve këtu!

Presidenti Sejdiu:

Kam vetëm një koment të vogël: Unë vërtet çmoj të gjitha bisedat që kemi bërë dhe gatishmërinë që të zhvillohen këto procese të mira gjatë vendeve tona; natyrisht, edhe për këto dy çështje kemi biseduar me Presidentin Vujanoviç.

Për sa i përket procesit të kthimit në shtetasve të Kosovës që janë jashtë; Kosova ka pasur një fat të keq që shumë qytetarë kanë pësuar tragjedi brenda dhe për arsye të rrethanave të vështira kanë ikur prej Kosovës. Shumë të tjerë janë vrarë e masakruar. E thashë edhe sot në takimin e përbashkët plenar që nuk ia dëshirojmë këtë fat askujt. Kemi qëndrimin parimor për kthimin e të gjithë qytetarëve në Kosovë. Ka vështirësi objektive. Qeveria e Kosovës ka ndarë fonde të veçanta për këtë. Ministria e Kthimit merret drejtpërdrejt me këtë dhe udhëhiqet nga përfaqësuesi i komunitetit serb. Nuk kemi pasur dilemë. Dilemë mund të kenë vetëm njerëzit që kanë bërë veprime të këqija në Kosovë. Unë pajtohem me Presidentin Vujanoviç që ata do të dalin para drejtësisë.

Çështja e dytë, ajo rreth komunitetin malazez. Ne kemi një prani të tyre dhe natyri, sht, do të japim të gjitha garancitë e mundshme në trajtimin e tyre, si çdo qytetar i Kosovës. Unë kam bërë një hap të rëndësishëm se e kam inkuadruar jashtë vizionit të Projektit Ahtisaari në Këshillin Konsultativ të Komuniteteve përfaqësuesin e malazezëve. Ky është një trup shumë e rëndësishme, që adreson shqetësimet e qytetarëve. Ne kemi një komunikim të shkëlqyer me ta. Besoj se në proceset e vazhdueshme do të kemi hapa të tjerë.

Nuk dua të bëhem barrë, por kemi biseduar me Presidentin Vujanoviç, që çështja është trajtuar jashtë pranisë si komunitet. Në një farë mënyre ka qenë një abuzim i shumicës serbe, po themi të komunitetit serb që i ka trajtuar si serbë; prandaj nuk duam t’ua lëmë fajin kërkujt. Procesi i ka paraprirë kohë. Kohën dhe vullnetin e kemi.

Televizioni i Malit të Zi: Për Presidentin Sejdiu, për statusin e njëjtë, kur do të shkëmbehen ambasadat mes Kosovës dhe Malit të Zi?

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu: Ne i kemi bërë hapat e parë, e thashë njëherë dhe nuk ka nevojë që ta përsëris. Është shumë e rëndësishme që qytetarët malazezë janë qytetarë të barabartë të Kosovës si të gjithë qytetarët e tjerë dhe ne i konsiderojmë begati sikurse e shpreha një herë për Kosovën. Sigurisht që do të kemi edhe procese që do të zhvillohen, por natyrisht duhet të kemi parasysh dhe kondicionin aktual, legjislacionin dhe kushtet e tjera, por kjo s’na ndalon që vërtet të ecim, të bëjmë një trajtim dhe të bëjmë më të mirën e mundshme.

Rreth çështjes së dytë unë edhe një herë përshëndes vendimin që Mali i Zi ka marrë për njohjen e Republikës së Kosovës. Kam ardhur në një moment shumë të rëndësishëm, në një moment kur Serbia ka bërë përpjekje të vërë në Gjykatën Ndërkombëtare të gjithë miqtë e Kosovës dhe Kosovën vetë. Por them që nga ana jonë ne e kemi shprehur gadishmërinë, çmojmë angazhimet e Malit të Zi, të Presidentit Vujanoviç në këtë proces ku do të marrin vendimin kur ta vlerësojnë që të jetë momenti. Krahas kësaj unë mund të them që për ne është shumë e rëndësishme që marrëdhëniet praktike janë ndërtuar të mira dhe ne ua kemi borxh edhe për ecje të tjera.

Televizioni Publik Shqiptar: Një pyetje e cila i drejtohet Presidentit Ivanov dhe Presidentit Vujanoviç. Ky i sotmi është një takim që organizohet nga Presidenti Topi dhe sigurisht që u shërben marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, që ekzistojnë në rajon. A mund të garantoni ju që në takimet që do të mbahen në shtetet tuaja, qoftë në Maqedoni, apo në Mal të Zi, Kosova do të jetë e ftuar, qoftë edhe me praninë e Serbisë?

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov: Ne i shprehim një mirënjohje të madhe Presidentit Topi për organizimin e një takimi të tillë me fqinjët e tij dhe ky është një gjest pozitiv dhe një gjest që pritet nga të gjithë ne në të ardhmen. Maqedonia është e gatshme gjithashtu që të organizojë një takim të tillë ku do të ftojë zotin Topi, zotin Sejdiu, zotin Vujanoviç dhe zotin Tadiç gjithashtu.

Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç: Gjithashtu dëshiroj të tregoj respekt ndaj vlerësimit të Presidentit Sejdiu që Mali i Zi vendimin për njohjen e ka marrë në kohën kur kjo kishte një peshë të veçantë. Janë për t’u vlerësuar marrëdhëniet tona të brendshme, kur kemi dhe nevojën që të sigurojmë komunikimin e mirë të qytetarëve dhe bashkëpunimin ekonomik me Kosovën. Gjithashtu, respektoj mendimin që ka shprehur Presidenti Sejdiu, gadishmërinë për shkëmbimin e ambasadorëve dhe mirëkuptimin e tij si qytetari i parë i Kosovës dhe duhet të përdorim në mënyrën më të mirë arsyen për një vlerësim cilësor kur duhet të bëhet shkëmbimi i ambasadorëve.

Jam i bindur që të gjithë ne që jemi këtu, që jemi në rajon, ndajmë mendimin se nuk ka zhvillim të rajonit pa zhvillim të Serbisë dhe nevoja e zhvillimit në rrugën e saj integruese të përkrahet në mënyrë maksimale nga të gjitha vendet e rajonit. Unë kam pasur dhe kam komunikime cilësore me Presidentin Tadiç. Mali i Zi absolutisht afirmon dhe po zhvillon marrëdhënie shumë cilësore dhe me zotin Tadiç që të jemi dy shtete dhe komunitete më të mira, për të mirën e qytetarëve tanë.

Televizioni i Maqedonisë: Një pyetje për Presidentin Ivanov dhe për Presidentin Sejdiu. Maqedonia pranoi Kosovën vitin e kaluar, por marrëdhëniet diplomatike nuk janë vendosur. Ku është problemi dhe kur do të vendoset këto?

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov: Vendosja e marrëdhënieve diplomatike është një proces dhe ky është një proces përgjatë së cilit duhet të realizohen dhe të plotësohen obligimet e ndërsjella. Nga institucionet e Maqedonisë jam informuar se Maqedonia i ka plotësuar të gjitha detyrimet dhe se ne jemi të gatshëm për të vendosur marrëdhëniet diplomatike.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu: Po, ne biseduam edhe dje me Presidentin Ivanov për këtë çështje dhe ne jemi po kështu të gatshëm që në momentin e parë dhe sa më shpejt këto marrëdhënie të vendosen. Është me rëndësi se ekziston një klimë e mirë, gadishmëri dhe janë veprime të mundshme. Të presim dhe të punojmë.

Televizioni i Prishtinës: A janë këto dy çështje që përmendët, pengesa kryesore për të vendosur marrëdhëniet diplomatike me Kosovën? Dhe për Presidentin Ivanov. E keni përmendur çështjen e kufirit dhe a është për ju e mbyllur çështja e kufirit, apo është dhe ajo pengesë për të vendosur marrëdhëniet diplomatike me Kosovën?

Presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç: Vendosja e marrëdhënieve diplomatike është në qeveri dhe në mënyrë funksionale realizohet nëpërmjet Ministrisë së Jashtme. Kjo çështje trajtohet në mënyrë të vëmendshme në qeveri dhe unë jam i bindur që ky është një raport i mirë i qeverisë dhe do të ketë një vëmendje edhe një durim, do të ketë edhe cilësi. Ju e dini që veprimi i fundit i Presidentëve është që të japë pëlqimin dhe letrat kredenciale dhe kur të bëhet shkëmbimi të japë pëlqimin. Detyra ime është të kujdesem për pakicën malazeze që është jashtë Malit të Zi dhe të plotësoj dëshirat e të shpërngulurve nga Kosova. Besoj që në Prishtinë i kuptojnë këto që ne presim dhe kemi dëgjuar një mendim konstruktiv të Presidentit Sejdiu dhe një disponim pozitiv që ai përcjell tek ne.

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov: Sa i përket çështjes së kufirit, nga pala maqedonase kjo është një çështje e mbyllur. Mbeten vetëm disa aspekte teknike, të cilat duhet t’i përfundojë Komisioni i ngarkuar për këtë çështje. Në përgjithësi ne këtë çështje e konsiderojmë si të mbyllur.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu: Unë mund të them nga ana ime se komisioni është duke përfunduar dhe besoj që kanë ujdi të përbashkët në atë proces. Ne kemi bashkëpunuar mirë dhe besoj janë në përfundim të punës, por punën po e bëjnë ata.

Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi: Meqë të zotit të shtëpisë i dhatë komoditetin nuk i drejtuat pyetje, natyrisht, në parantezë bëj shaka, sepse me të drejtë sot fokusi u drejtua tek komunikimi i Kosovës me vendet fqinje, si një realitet i ri në Ballkan.

Sikurse po e shikoni dhe vetë ka një frymë mjaft të mirë bashkëpunimi, ka një predispozicion të shprehur për çështje që janë ende të pazgjidhura që të gjejnë rrugën e zgjidhjes dhe këtë mundësi e jep lidershipi politik, qeveritë respektive të vendeve tona dhe kjo tregon që rajoni ynë shkon me siguri drejt ditëve shumë të mira të paqes dhe të frymës euroatlantike. Ky takim ka një kuptim substancial të dyfishtë: një mesazh për popujt e vendeve tona dhe një mesazh shumë i qartë për partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët e shohin me shumë interes të ardhmen e Ballkanit, kanë objektivat e tyre të qarta për t’i thithur këto vende në familjen evropiane dhe euroatantike. Natyrisht, ato shikojnë dhe kërkojnë dhe gadishmërinë për të bashkëpunuar realisht në këto terma. Unë i falenderoj kolegët dhe miqtë e mi për gjithçka ç’ka shprehën në bisedime, por njëkohësisht i falenderoj për transparencën e plotë për gjithçka që u bisedua atje për ta paraqitur përpara publikut. Për një lider politik të këtyre përmasave, transparenca me popullin e vet është ajo që kërkohet nga të gjithë. Kur ekziston kjo frymë nuk ka pengesë që nuk kapërcehet. Ju falenderoj dhe ju që ishit të pranishëm dhe një falenderim të veçantë për popullin e Vlorës, që është një popull shumë mikpritës. Falemnderit!

Zyra e Presidentit për informim

YouTube Preview Image