Reagim i sekretarit për buxhet dhe financa të komunës së Ulqinit ndaj kumtesës së Forcës

June 29, 2009   | Politika

Fatmir Gjeka, sekretar për buxhet dhe financa i Komunës së UlqinitMllef dhe urrejtje ndaj pushtetit aktual

Duke lexuar kumtesën e Forcës edhe njeriu më i thjeshtë vë re një mllef (për të mos thënë urrejtje) të kumtesëshkruesit ndaj pushtetit aktual në Ulqin. Kumtesëshkruesi aspak nuk e ka hallin te faktet, shifrat, realiteti, por nxiton të thotë atë që nuk ekziston, se mbase edhe duke shpifur mbledh ndonjë kredi politike. Nuk është asgjë e re e as e mençur të thuash se buxheti nuk do të realizohet ashtu siç është miratuar. Madje gjatë diskutimit publik e kemi thënë se me siguri pjesa e të ardhurave nga shitja e tokës nuk do të realizohet, sepse nuk e kemi atë mandat e as guxim që pasurinë e këtij qyteti ta falim. E kemi thënë dhe e themi se për këtë arsye kjo pjesë e të ardhurave nuk do të realizohet. Zotërinj të Forcës ua them me bindje të plotë se ky pushtet do të funksionojë, se nuk do të ndodhë ashtu si thoni ju: “…në mënyrë që të parandalohet bllokimi i plotë i punës së pushtetit ekzekutiv.” Kam përshtypjen që ju e dëshironi një gjë të tillë, që ju do të kënaqeshit sikur të ndodhte ashtu, të “bllokohej pushteti ekzekutiv”. Këtë kënaqësi nuk do tua japim.
Mendoj se me shifrat që shërbehet kumtesë shkruesi nuk ia vlen te merrem, por dua t’i them kumtesë shkruesit se shumica e investimeve të parapara do të realizohen, e për këtë edhe ju vetë mund të jeni dëshmitarë, por siç duket ju edhe politikën edhe kumtesat i bëni në zyra, pa shikuar aspak realitetin i cili është një çikë më ndryshe nga ai i kolltukëve të zyrave tuaja. Dua t’u them edhe këtë se nuk qëndron aspak konstatimi juaj se “…nuk funksionon thesari i Komunës së Ulqinit.” Pra thesari funksionon dhe funksionon sipas, siç thoni ju: “…Ligjit për vendimin mbi Thesarin…”.
Diçka tjetër që dua të përmendi është edhe fakti se e gjithë Bota e pranon se ekziston një krizë globale. Këtë e kanë pranuar edhe zyrtarët më të lartë të Malit të Zi. E kemi pranuar, por edhe po e ndjejmë edhe ne dhe qytetarët tanë. Këtë nuk e pranojnë vetëm në Forcën e Re Demokratike. Për ta kriza nuk ekziston. Për ta fajtorët kryesorë jemi ne në pushtet, e ndër më fajtorët ne në Sekretariatin për Financa të Komunës së Ulqinit. Në fakt ju, zotërinj sikur kënaqeni kur mendoni se ne kemi krizë. Mund t’u them vetëm këtë se ne kemi krizë, por ajo është si pasojë e krizës globale, e jo siç do të donit ju të ishte dhe siç e parashtroni ju, krizë e keqmenaxhimit. Nga e gjithë kriza që edhe ne e kemi parashikuar dhe paralajmëruar mund të vijë vetëm deri te ndonjë shkurtim i vogël i investimeve, por në asnjë mënyrë e ndonjë “bllokimi të plotë të pushtetit ekzekutiv”. Ju ndoshta këtë do të dëshironit, por kjo nuk do të ndodhë. Nga kumtesa juaj, por edhe nga sjellja juaj në Parlamentin lokal vërehet se na përjetoni si kundërshtarë. Ne, megjithatë ju shohim opozitë e cila duhet të jetë konstruktive dhe presim propozimet tuaja konkrete dhe konstruktive për zgjidhjen e problemeve të pushtetit dhe qytetarëve. Pra, zotërinj problemet nuk zgjidhen me konferenca për gazetarë, me kritika jokonstruktive e me fjalë të mëdha, por me punë konkrete. Përkundrazi, keni qenë dhe mbeteni jo vetëm opozitë e koalicionit “Për Ulqinin Europian”, por edhe opozitë e vetë qytetit, zhvillimit dhe qytetarëve.

Fatmir Gjeka, sekretar për buxhet dhe financa i Komunës së Ulqinit

Koha Javore
YouTube Preview Image