Ulqinit ia marrin Valdanozin

June 29, 2009   | Intervista / Intervju

valdanos_ulqin.Gjiri i Valdanozit, perla e Mesdheut, dikur ishte pronë private, pastaj pushimore për ushtrinë e ish-Jugosllavisë, tani do t’u jepet në shfrytëzim biznesmenëve nga Rusia e Kroacia. Aty thuhet se do t’i ndërtojnë vilat miliarderi rus, Roman Ambramoviq, e kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni. Bashkë me gjirin do të shkojnë edhe 18 mijë rrënjë ullinj.
Ulqin,28 qershor – Rreth katër kilometra në veri të qytetit të Ulqinit, rrugës për në Tivar, shtrihet gjiri i Valdanozit, i rrethuar me ullinj 500-vjeçarë. Në një sipërfaqe prej 346 hektarësh, të rrethuar me tela, pjesë-pjesë gjemborë, gjendet pushimorja e ushtrisë skaj plazhit 342 metra të gjatë. Mirëpo, ky gji, asnjëherë nuk është përdorur si objekt ushtarak, sado që për këtë qëllim ishte shpronësuar me dekret në vitin 1978. Atëherë pronarëve privatë shteti u kishte marrë edhe 18 mijë rrënjë ullinj. Ata kurrë nuk kanë marrë asnjë lloj të kompensimit, me argumentimin se aty ushtria jugosllave do të ndërtonte një bazë të madhe detare. Tani, që ushtria ka ikur, por qytetarët ende nuk i kanë marrë pronat e tyre, kurse ullinjtë që para 30 vitesh i kishin punuar, i ndan teli gjembor. Porta kryesore në hyrje të këtij kompleksi ka një vit që është mbyllur për vizitorë. Askujt s’i lejohet hyrja. Këtu thuhet se do t’i ndërtojnë vilat miliarderi rus, Roman Ambramoviq e kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni. Edhe koordinatorit të organizatave joqeveritare të Ulqinit, Xhemal Peroviq, i duhet të kalojë përmes rrugës malore që të na tregojë gjirin e Valdanozit. “Po e privatizojnë pjesën më të bukur të vendit. E kanë hapur tenderin dhe ka mbetur vetëm përzgjedhja e fituesit”, tregon Peroviq për tenderin që ka hapur Qeveria e Malit të Zi, përkatësisht Agjencia e Privatizimit, për dhënien me koncesion të Valdanozit. Ai thotë se edhe në Valdanoz do të përsëritet privatizimi shkatërrues për turizmin në komunën e Ulqinit. Objektet më të rëndësishme dhe më atraktive po uzurpohen nga njerëz që ato i marrin me qëllim të stërshitjes eventuale. “Qeveria anën formale të privatizimit e bën në mënyrë të shkëlqyeshme. Por kushtet ua përshtat kompanive që i preferon”, pohon Peroviq. Megjithatë, halli i tij më i madh është si t’u kthehen pronat 202 pronarëve të ullishtave, të cilat do t’u jepen me koncesion sikurse edhe plazhi. “Të gjithë ata që kanë ndërmend ta marrin Valdanozin, gjirin më të bukur të Mesdheut, duhet ta dinë se një pjesë e kësaj pasurie është në kontest”, thotë Peroviq. Por, kjo nuk duket problem i madh për kryetarin e Komunës së Ulqinit, Gëzim Hajdinagën. Siç tregojnë banorët lokalë, ai i kishte fituar votat me premtimin se do ta kthente ullishtën, por tani thonë se e ka harruar atë. “Valdanozi do të jepet në shfrytëzim dhe aty do të rregullohet një kompleks modern”, shprehet Hajdinaga. Ai nuk përmend çështjen e ullishtës, duke anashkaluar këtë temë si problem i cili duhet të zgjidhet në gjykatë. Në vitin 2007, Komuna kishte aprovuar vendimin për kthimin e pronave, por në prag të koncesionimit të këtij vendi, Qeveria e Malit të Zi u ka propozuar pronarëve që tokat e tyre t’i marrin tokat me qira. Në tenderi për Valdanozin, që ka përfunduar tashmë, pas dy zgjatjeve të afatit, për qiramarrjen 30- vjeçare ka ofertuar kompania ruse “Mos City Group” dhe kompania britanike “Cubus Lux”. Rusët nuk janë kualifikuar, ndërsa britanikët, të cilët janë shumë të pranishëm në bregdetin e Kroacisë, janë ftuar për negociata. Por, asnjëra prej tyre nuk janë pranuar nga organizatat joqeveritare për shkak se nuk kanë eksperiencë në hoteleri. “Mos Scity Group, në Mal të Zi ka formuar firmën ndërtimore “MCG Montenegro”, që nga viti 2000. Konzorciumi ruso-malazias, ka ofruar 15 centë për një metër katror dhe investime në shumën 644 milionë euro, për Valdanozin. Kompania britanike “Cubus Lux” kryesisht është e përqendruar në investime në Kroaci. Ajo drejton dy kazino në pushimore turistike në Pula dhe në Selc dhe të ashtuquajturën Marinë të ishujve të ullinjve “Olive Island Marina”. Ajo ka ofruar 18 centë për metër katror dhe të investojë 223 milionë euro. Sipas llogaritjeve të Xhemal Peroviqit, renta vjetore për 346 hektarë do të jetë 650 mijë euro. Me kaq pak përfitime për Ulqinin, ai thotë se nuk ia vlen të jepet në shfrytëzim për 30 vjet një perlë si Valdanozi. Ai shton se kompania që e merr në shfrytëzim, brenda vitit më shumë do të fitojë nga pagesa e hyrjes për ata që dëshirojnë të shijojnë bukuritë e këtij plazhi.

Zekirja Shabani.
Gazeta Express

YouTube Preview Image