Kuvendi të vendosë për fatin e pronës së Ulqinit

June 30, 2009   | Shoqëria / Društvo

NVO MOGUL ULCINJNjë grup i organizatave joqeveritare dhe intelektualëve të Ulqinit ka ndërmarrë iniciativën për grumbullimin e nënshkrimeve të nevojshme me qëllim që Kuvendi i Komunës së Ulqinit të miratojë Deklaratën me të cilën kërkohet që tenderët për dhënie me qira, shitje ose forma të tjera të privatizimit, për secilën pjesë të territorit të Komunës së Ulqinit, të shpallen vetëm me pëlqimin e këtij Kuvendi.
Me Dekaratë po ashtu kërkohet që Qeveria e Malit të Zi të anulojë tenderët për dhënie me qira të Valdanosit, Plazhit të Madh (Shtojit) dhe Adës, sepse për të gjitha ato si dhe planet e zhvillimit të Komunës, duhet më përpara të diskutohet dhe të vendoset Kuvendin e Komunës së Ulqinit.
Në Deklaratë kërkohet që fillimisht ish pronarëve t’u kthehet prona e ekspropriuar në Valdanos, si dhe pronat e tjera në territorin e komunës, që janë marrë me ligjet revolucionare.
Njëri nga koordinatorët e grupit të punës që ka iniciuar miratimin e Deklaratës, Xhemal Peroviq, njëkohësisht kryetar i OJQ “Pax”, ka thënë se qëllimi i grumbullimit të nënshkrimeve është thirrja e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Komunës së Ulqinit me të vetmen pikë të rendit të ditës, miratimin e Deklaratës.
Organizatorët e grumbullimit të nënshkrimeve kanë njoftuar se vetëm brenda disa orëve kanë grumbulluar numrin e nevojshëm të nënshkrimeve për thirrjen e seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit.
Sipas Ligjit mbi Vetëqeverisjen Lokale, Statutit të Komunës së Ulqinit dhe Rregullores së Punës së Kuvendit të Komunës së Ulqinit, kryetari i Kuvendit është i obliguar që në afat prej 15 ditësh të thërrasë mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit.
Peroviq thotë se iniciativa për miratimin e Deklaratës është vazhdimësi e aktiviteteve që burojnë nga diskriminimi i qartë shumëvjeçarë ndaj Komunës së Ulqinit në shumë sfera, e sidomos në procesin e privatizimit, ku sipas tij, “nuk përfillet interesi i qytetarëve, shkelen ligjet dhe si rezultat kemi paralizimin e plotë të ofertës turistike”.
“Me këtë dëshirojmë të nxjerrim në shesh qëndrimet e subjekteve politike të cilat të gjitha këto çështje i kanë përsëritur, por disi më shumë gjatë fushatave zgjedhore”, thotë ai.
Anëtari tjetër i grupit inicues për miratimin e Deklaratës, Dritan Abazoviq, thotë se duke i parë të gjitha privatizimet që janë bërë deri tani në Ulqin për të cilat, sipas tij, të gjithë pajtohemi se kanë qenë shumë të dobëta dhe katastrofale dhe nuk kanë sjellë zhvillimin që e kemi pritur të qytetit, “ne me këtë iniciativë përpiqemi të ruajmë lokalitetet më me vlerë të komunës së Ulqinit prej kësilloj privatizimesh”.
“Përmes shfrytëzimit të mekanizmit demokratik jemi duke kërkuar prej përfaqësuesve të popullit në Kuvendin e Komunës së Ulqinit që të marrin përgjegjësinë për gjërat që do të ndodhin në komunën e Ulqinit”, thotë ai.
Qëllimi i inicimit të miratimit të Deklaratës, sipas tij, është që Ulqini të pyetet se në cilën mënyrë do të privatizojë pronat e veta.
Abazoviq thotë se Kuvendi duhet të zgjedhë modalitetet e zhvillimit të komunës.
“Me këtë mënyrë nuk jemi kundër zhvillimit të qytetit, por përkundrazi, jemi duke u munduar që ky zhvillim të realizohet në një mënyrë sa më të përshtatshme për qytetarët dhe në të mirë të të gjithë qytetarëve”, thotë ai.
Iniciatorët e Deklaratës presin që ajo të miratohet në Kuvendin e Komunës së Ulqinit.
“Presim që Deklarata të miratohet dhe të parandalohen pasojat tragjike të veprimtarive të paralajmëruara, sidomos në aspektin e kohezionit social”, thotë Xhemal Peroviq.
Edhe Dritan Abazoviqi mendon se Deklarata do të miratohet në Kuvendin e Komunës së Ulqinit. “Por nuk jam fort optimist që kur ajo të miratohet, Kuvendi do të zgjedhë opcionin më të mirë kur nesër në të, të diskutohet për shitjen e ndonjë prone”, thotë ai, duke shtuar se shpreson që të jetë gabim sa i përket këtij parashikimi të tij.
Por çfarë efekti do të ketë miratimi eventual i Deklaratës dhe sa do të merret ajo parasysh nga organet qeveritare të Malit të Zi?! Kuvendi i Komunës së Ulqinit ka miratuar kohë më parë një deklaratë tjetër që ka të bëjë me kthimin e pronave të marra qytetarëve të Ulqinit e cila deri tani nuk ka gjetur zbatim në praktikë.
“Nëse miratohet Deklarata, do të ketë efekt pasi që do të largohen investitorët e dyshimtë dhe do të forcohet pozita e pushtetit vendor në harmonizimin e planit të zhvillimit me Qeverinë e Malit të Zi. Unë mendoj se kjo deklaratë nuk do të pësojë fatin e asaj lidhur me kthimin e pronave pasi që do të forcojë vendosmërinë e unitetit të komunitetit lokal rreth kësaj çështjeje”, thotë Xhemal Peroviq.
dritan-abazoviq_ulqinNdryshe mendon Dritan Abazoviq
“Mendoj se iniciativa nuk do të ketë shumë efekt tek organet qeveritare. Nuk jam i sigurt se ata do të marrin parasysh mendimet e Kuvendit të Komunës së Ulqinit, por ne kemi bërë punën tonë”, thotë ai.
Në të ardhmen e afërt pritet që të thirret seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Komunës së Ulqinit ku këshilltarët do të debatojnë rreth Deklaratës
I.Kallaba
Koha Javore
YouTube Preview Image